Banner

JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 8



Kaloi një kohë e gjatë ku banorët e Mekes imitonin medhhebin e këtyre dy imamëve. Nuk kundërshtoi urdhërin e Halites as Atai, as Muxhahidi e as ndonjë imam tjetër. Po ashtu nuk kishte ndaluar asnjëri prej tyre që njerëzit të imitojnë ndonjë medhheb të caktuar.

Ndoshta disa njerëz e ndienin veten të qetësuar në fetvatë e Abdullah ibn Abbasit r.a. dhe i drejtoheshin vetëm atij me pyetjet e tyre. Nuk di asnjë dijetarë, se vetë Ibn Abbasi ose ndonjë tjetër sahabë i ka ndaluar ata nga ky imitim ose i ka konsideruar ata mëkatarë.

Banorët e Irakut kanë kaluar një kohë të gjatë duke imituar medhhebin e Abdullah ibn Mes'udit ose të nxënësve të tij që kanë ardhur pas tij, mirëpo asnjë dijetar nuk ka kundërshtuar këtë imitim. Po ashtu, banorët e Hixhazit kanë kaluar një kohë të gjatë duke imituar medhhebin e hadithit të përfaqësuar nga personaliteti i Abdullah ibn Omerit, nxënësve dhe shokëve të tij, mirëpo asnjë dijetar nuk ka kundërshtuar këtë imitim.

Miliona njerëz, qofshin të rëndomtë, studentë dhe fukaha i kanë takuar ndonjërit nga medhhebet e katër imamëve. Secili prej tyre zgjedh cilin medhheb të dojë ose atë që e ka më lehtë për ta mësuar ose atë që është më afër vendlindjes së tij. Emrat e mijëra prej dijetarëve janë shënuar në librat e "Tabakatëve".

Këto emra mund t'i lexosh në Tabakatush-shafiijetil-kubra të imam Sebkiut, në Tabakatul-hanabile të Ibn Rexhebit, në Tabakatul-malikije të Burhanudin El-Medeniut dhe në Tabakatul-hanefije të Hafidh El-Kureshiut. Asnjëri prej tyre, mësuesve dhe imamëve të tyre, nuk ka thënë se nuk lejohet që njeriu të imitojë një medhheb të caktuar!!

Ja pra, imam Dhehebiu -rahimehullah- tregon për fukahatë që i kanë imituar medhhebet e imamëve të tyre duke i lavdëruar dhe duke i përkrahur në atë, përderisa ndonjëri prej tyre nuk përmbanë medhhebin e tij edhe pse është në kundërshtim me argumentin e qartë.

Në librin "Zeglul-Ilmi vet-Talebi" thotë: "Fukahatë e malikive janë në rrugë të hajrit dhe me vlerë sikur gjykatësit dhe muftitë e tyre të mos shpejtonin në gjakderdhje dhe hedhje në kufër".

Mandej thotë: "Fukahatë hanefij, zotërinjtë e mendjeprehtësisë dhe mençurisë, çdo e mirë vjen prej tyre sikur të liroheshin prej hileve që i bëjnë rreth kamatës dhe anulimin e zeqatit në disa raste".

Mandej thotë: "Fukahatë shafiij janë prej njerëzve më të mirë dhe prej më të njohurve në fe. Themelet e medhhebit të tyre janë të ngritura mbi hadithet e vërteta. Imami i tyre është prej prijësve të shkencës së hadithit. Nëse ke mundësi që të mësosh këtë medhheb dhe me të të adhurosh Allahun dhe të largosh nga vetja injorancën, ti je në hajr".

Për hanbelitë thotë: "Hanbelitë posedojnë dituri të dobishme, në përgjithësi janë fetarë të mirë dhe janë shumë pak të interesuar për këtë botë. Njerëzit flasin për akiden e tyre dhe i akuzojnë se besojnë se Allahu është trup, ndërsa ata nuk janë të tillë, në përjashtim të një numri të vogël. Allahu i faltë ata".

Imam Dhehebiu i ndalon imituesit e medhhebeve nga fanatizmi dhe nga bindja e ndonjërit prej tyre, se medhebi i tij është më i mirë se të gjitha medhhebet tjera dhe thotë: "Mos mendo se medhhebi yt është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se medhhebet tjera, sepse nuk ke argument për këtë, e as kundërshtari yt po ashtu nuk ka argument. Të gjithë imamët -radijellahu anhum- janë në të drejtë. Atyre për çdo çështje që e kanë qëlluar kanë dy sevape, e nëse kanë gabuar kanë një sevap". [11]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[11] - Shih Zeglul-Ilmi vet-Talebi, f. 14,15 dhe 16.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...