Banner

JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 3



Aspekti i tretë: Argumenti i qartë logjik. Këtë e shprehim me fjalët e dijetarit të famshëm Abdullah Draz ku thotë: "... argumenti logjik është se ai i cili nuk posedon aftësi për ixhtihad, nëse ndodhë ndonjë ndodhi anësore, atëherë ose të mos realizohet me të adhurimi në esencë e që është në kundërshtim me ixhmain, ose të realizohet. Në rastin kur realizohet, ajo bëhet ose me anë të hulumtimit të argumentit që e vërteton hukmin ose me anë të imitimit. Obcioni i parë, është i pamundshëm, sepse kjo do të thotë që të gjithë njerëzit të merren me të studiuarit e argumenteve e t'i lënë anësh të gjitha punët tjera të kësaj bote që rezulton me shkatërrimin e jetës së kësaj bote. Po ashtu ky obcion synon çrrënjosjen e imitimit, gjë që është e pamundur. Atëherë, nuk mbetet gjë pos, obcionit të dytë, e që është imitimi, me anë të të cilit realizohet adhurimi". [6]

Kur kanë pare dijetarët se ekziston argument nga Kur'ani, sunneti dhe logjika se njeriu i rëndomtë (i padituri) ose dijetari, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit, nuk ka rrugëdalje tjetër pos të imitojë ndonjë muxhtehid që njeh mirë argumentet, kanë thënë se fetvaja e muxhtehidit për njeriun e rëndomtë (të paditurin) është sikur argumenti nga Kur'ani dhe sunneti për muxhtehidin, sepse Kur'ani sikur që e ka obliguar dijetarin që t'i përmbahet argumenteve të tij, po ashtu e ka obliguar xhahilin (të pa diturin) që t'i përmbahet fetvasë së dijetarit dhe ixhtihadit të tij.

Në lidhje me sqarimin e kësaj të vërtete, imam Shatibiu thotë: "Fetvatë e muxhtehidëve për avamët (njerëzit e rëndomtë) janë sikur argumentet e sheriatit për muxhtehidët".

"Argument për këtë është se ekzistimi ose mosekzistimi i argumenteve për imituesit është i barabartë, përderisa ata nuk mund të përfitojnë asgjë prej tyre. Studimi i argumenteve nuk është punë e tyre e as nuk lejohet për ta në asnjë mënyrë. Allahu xh.sh. ka thënë: "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini". Imituesi nuk është dijetar dhe nuk i lejohet atij pos t'i pyesë dijetarët. Imituesi dispozitat e fesë i kërkon prej dijetarëve, sepse ata për të janë në vend të sheriatit dhe fjalët e tyre janë në vend të ligjvënësit. [7]

Patjetër të përkujtoj edhe citatet të cilat i cekëm më parë nga Ibnul-Kajjimi, Dehleviu, El-Izz ibn Abduselami dhe El-Kemal ibn El-Hummami duke iu përgjigjur argumenteve të autorit të broshurës. Të gjitha këto citate përmbajnë argumente që legalizojnë imitimin për atë person, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit dhe nxjerrjes së dispozitave prej burimeve kryesore.

Nëse ke vërejtur argumentin e qartë që ngritet mbi bazat e teksteve kur'anore, ixhmait (konsensusit) të prerë dhe logjikës së shëndoshë për legalizimin e imitimit, bile obligueshmërinë e tij në rast kur mungon aftësia për ixhtihad, atëherë çfarë dallimi ka mes asaj që muxhtehidi të jetë një person prej sahabëve, prej medhhebit të ra'jit ose hadithit, ose një prej imamëve të katër medhhebeve, për derisa të gjithë janë muxhtehidë dhe për derisa të tjerët janë imitues dhe injorantë me mënyrën e nxjerrjes së dispozitave prej argumenteve?!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[6] - Shih komentin e Shejh Abdullah Drazit ndaj librit El-Muvafekat të Shatibiut: 4/22. Po ashtu lidhur me këtë shih çka ka thënë Gazaliu dhe Amidiu në dy burimet e cekura më parë.
[7] - Shatibiu: El-Muvafekat, 4/290,292.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...