Banner

Deri kur Islamin do ta merrni si armë me të cilën do t'i ndërprisni lidhjet e këtij Umeti?



Ka shumë nga ata që me zemër të pastër dhe me qëllim të sinqertë flasim për atë që tani po quhet zgjimi islamik. Të lumtur dhe të gëzuar flasin për një numër të madh të treguesve, sipër shembull, dikush ia përmend shokut tij apo ose vëllezërve një fshatnë Britani i cili në tërësi e ka pranuar Islamin dhe ka formuar një komunitet të vogël musliman të rregulluar në përputhje me dispozitat e Allahut të Plotfuqishëm.

Dikush tjetër përmend me dhjetëra e qindra burra dhe gra të cilët në grupe hyjnë në Islam në pjesë të ndryshme të botës perëndimore. E gjithë kjo është e vërtetë dhe ka edhe më shumë shembuj të tillë. Mirëpo, unë dua të them se ne më shumë duhet të kemi frikë nga ata që duan të na e marrin ndonjë begati se sa të gëzohemi për vetë begatinë. Sado që të rritet ndonjë begati, rritet gjithashtu edhe numri i atyre që sillen rreth saj dhe duan që ta marrin. Për këtë arsye, mendimi për rreziqet që e kërcënojnë zgjimin islamik real më pengon që të gëzohem për të.

Sado që të rritet pranimi i Islamit në të gjithë botën, ashtu krijohen mjete dhe plane të reja për luftim dhe intriga kundër Islamit. Kështu veprojnë armiqtë e Islamit, kur e shohin se ylli i tyre po e humb shkëlqimin, largohen prej tij dhe dobësohet vullneti i tyre për armiqësi, ndërsa kur e shohin se shkëlqimi i tij po forcohet dhe po e rikthen forcën e tij, mbledhin mjete dhe fonde dhe shpenzojnë me net të tëra, duke përgatitur intriga dhe kurthe për këtë fe e cila është bërë kërcënim i madh për ta. Prandaj, duhet të jemi të vetëdijshëm, të gëzohemi për begatitë, por, në të njëjtën kohë, të paktën, ta lusim Allahun e Madhërishëm që të na mbrojë nga intriguesit dhe ngatërrestarët.

Nëse ne e dimë se ekzistojnë armiq të fesë dhe plane që i përgatisin, atëherë duhet të na jenë të qarta këto plane dhe duhet të jemi në nivel të vetëdijes të cilën prej nesh e kërkon feja jonë. Si përgatiten këto plane, o muslimanë?! Ato përgatitën në dhoma të errëta dhe të fshehta, të cilat janë larg, madje edhe nga shoqëritë perëndimore të larguara nga Islami. Megjithatë, një numër i madh i ekzekutorëve të drejtpërdrejtë të këtyre planeve janë vetë muslimanët. Çdo kush që nuk është i vetëdijshëm për këtë fakt është naiv, dhe, në thelb, është me mendim sipërfaqësor.

Planet përgatiten diku larg, por një numër i madh i atyre që i realizojnë janë nga vetë muslimanët. Midis tyre janë të shumtë ata që e dinë se çfarë kërkohet prej tyre dhe e dinë se ata janë në shërbim të luftës kundër Islamit dhe muslimanëve, por ka edhe të atillë që pa vetëdije i shërbejnë këtij qëllimi. Unë mendoj se secili prej nesh duhet ta dijë se këto plane janë të shumta dhe të ndryshme, por më i rrezikshmi është ai që çon në grindje dhe në konflikte mes muslimanëve.


Plani djallëzor: muslimanët të ndahen në grupe kundërshtare

Plani, i cili ka për qëllim që Islamin ta transformojë në një numër versionesh konkurruese dhe armiqësore të Islamit është plani më i rrezikshëm që po përgatitet - siç thashë - diku larg, dhe po ju flas në bazë të njohurive që kam, por zbatimi i tij ju është besuar njerëzve të cilët formalisht janë muslimanë, sepse askush nuk mund të bëjë përçarje midis muslimanëve përveçse nëpërmjet dikujt nga mesi i tyre. A mendoni se armiku ynë mund të hyjë me lehtësi në ndërtesën e Islamit dhe ta shkatërrojë atë? Nuk mundet, sepse identiteti i tij është i njohur dhe për këtë arsye përpjekja e tij do të prodhojë kundër efekt.

Prandaj, mënyra më e përshtatshme është që ajo detyrë tu besohet atyre që e theksojnë identitetin e tyre si musliman dhe të qenët e tyre (kinse) mbrojtës të Islamit, të besimeve dhe parimeve të tij. Ata përfshihen në debate mbi parimet islame, mbi rregullat dhe besimet e tij dhe i përmendin njërën pas tjetrës çështjet rreth të cilave ekzistojnë mospajtime, pastaj nga ato çështje periferike që janë objekt i divergjencave, krijojnë vullkan i cili duhet të shpërthejë dhe të shkaktojë problem, i marrin ato si bazë për shpalljen e muslimanëve të tjerë të pafe (tekfir), mëkatarë (tefsik) dhe heretikë (tebdi') dhe muslimanëve ju sjellin problem pas problemi. Në këtë, ata e ndjekin rrugën e neveritshme të stërhollimit dhe të shtrëngimit të qartë, erën e së cilës e ndjen kushdo që sado pak mendon!

Kështu, ky grup i "muslimanëve" shkon rrugës drejt qëllimit të përcaktuar, e ai është që muslimanët të cilët janë unikë dhe që nëpër shekujt e gjatë në histori ishin një Umet,të shndërrohen në grupe kontradiktore dhe armiqësore. Në mënyrë të ngjashme veprojnë ata që janë mbledhur rreth tryezës në të cilën është vendosur një pjesë të madhe e mishit të pjekur. Si mund ta hanë? Mënyra e vetme është që ajo pjesë e madhe të pritet në copa të vogla të cilat secili prej të pranishmëve do të mund t'i gëlltisë. Kjo është ajo që po ndodh dhe po veprohet sot në emër të Islamit.

Mendoni, vëllezër, dhe kthehuni pesë, gjashtë, shtatë ose tetë shekuj prapa, a mund ta ndjeni erën e përçarjes apo konfliktit mes muslimanëve për shkak të domethënies së fjalëve të Allahut të Madhërishëm: "I Gjithëmëshirshmi ka bërë istiva mbi Arsh". A mund të gjeni konflikte dhe armiqësi, veçanërisht tekfir në mesin e muslimanëve, para tetë shekujve, për shembull, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me të kuptuarit e ajeteve të cilat flasin për Atributet? Ose për shkak të mosmarrëveshjeve rreth Pejgamberit s.a.v.s., a duhet të bëjmë tevessul me të apo jo? Kërkoni dhe shfletoni veprat historike dhe biografike që nga koha e Pejgamberit s.a.v.s. deri në këta shekujt e fundit dhe shikoni a do të gjeni se dikush e ka ngritur botën në këmbë me kritikë apo me tekfir për shkak të pyetjes a është Allahu lart apo jo?

Nëse gjurmoni dhe mendoni, do të shihni se kjo çështje asnjëherë nuk ka paraqitur problem në shekujt e parë të Islamit. Ata kanë hulumtuar dhe kanë zënë pozicione të ndryshme, por kanë qëndruar tek ajo që unë e quaj divergjencë e dobishme (el-ihtilaf et-te'avuni) e cila nuk e ka prishur aspak dashurinë e tyre të ndërsjellë, sidomos nuk e ka prish SAFF-in e tyre apo t'i ketë lejuar armikut të hyjë në mes tyre dhe të përfitojë nga kjo ndarje. Mirëpo, ne sot po shohim dhe po dëgjojmë akuza dhe grindje, dhe atë jo vetëm në shoqërinë muslimane, sepse ajo është kthyer në një vullkan për këtë çështje, por edhe në shoqëritë perëndimore brenda bashkësive të vogla muslimane. Jemi duke parë se si po fillon konflikti dhe nuk ka të ndalur interpretimi i Qenies së lartësuar të Allahut të Madhërishëm, dhe nëse nuk thua se Allahu është lart, ti ke bërë kufër, shirk dhe ke dalë nga feja.


Me debate të pafrytshme të ndahen muslimanët

Sado që të zhvillohet debat dhe dialog, dhe sado që të paraqiten argumente, se pikënisja e fesë në këto çështje është një, dhe se rreth parimeve të përgjithshme nuk ka divergjencë në mendime, se Allahu nuk ka vend, dhe se është i lartësuar nga të qenët i ngjashëm me krijesat, përsëri nuk do të gjesh asnjë mënyrë për t'i dhënë fund këtij diskutimi, sepse këto pyetje nuk nxiten për qëllime që kanë lidhje me shkencën, por ato kanë për qëllim ndarjen mes muslimanëve, që ata të ndahen në dy apo më shumë grupe, të cilat njëra-tjetrën do ta shpallin jobesimtare.

Ne i kemi lexuar këto plane të fshehta të cilat vijnë nga universitetet orientaliste perëndimore, por është shumë brengosëse se kush i ekzekuton ato? Këta janë ata të cilët duan t'i tubojnë njerëzit përreth tyre dhe ta marrin rolin udhëheqës në mesin e muslimanëve. Pasha Allahun, ata i shërbejnë realizimit të këtij qëllimi, i cili një ditë do të zbulohet së bashku me ata që e kanë projektuar dhe ata që e kanë realizuar.

Nëse ju thuhet atyre, cila është ajo ana e lartë në të cilën gjendet Allahu, këtu apo atje, ai do të tregojë lart. Natyrisht ashtu do të tregojë sepse pohon se Allahu është lart. Prandaj, Ai është në njërën nga anët dhe ashtu do të tregojë. Shikoni këtë të kuptuar se deri në cilën shkallë të injorancës dhe naivitetit janë zhytur, shikoni prapambetjen për të cilën shprehin keqardhje edhe fëmijët në shkollë. Allahu është në këtë anë lart, ndërsa po kjo e njëjta anë në tjetër vend është poshtë, atëherë si të zgjidhet problemi? A po pohon se në çdo vend ku gjendesh se Allahu është lart dhe askund tjetër? Po nëse shkon në anën e kundërt, përsëri ti do të thuash se Allahu është lart dhe askund tjetër? Kush do ta besojë këtë fjalim të pavlefshëm në këtë kohë shkence, të cilin e refuzojnë fëmijët në shkollë?

Sa herë që t'i i përmend fjalët e Allahut të Madhërishëm: "... Ai është me ju kudo që të jeni ...", (el-Hadid, 4). "Dhe Ai është Zot në qiell dhe Zot në Tokë ...", (ez-Zuhruf, 84). "Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç'pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij", (Kaf, 16). Kjo përsëri nuk do ta ndalë debatin. Përse? Sepse nuk është për qëllim zgjidhja, por trillimi i problemit. Bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin e Tij Muhamedin, i cili ka zbuluar shumë fatkeqësi të cilat do të ndodhin pas tij deri në ditët e sotme, i cili ka thënë: "U shkatërrofshin ata që bëjnë stërhollime"! Pasha Allahun, nëse kjo nuk është stërhollim, atëherë unë nuk e di se çfarë është ajo.

I kam thënë më herët një dijetari të respektuar i cili bën pjesë në mesin e ulemave të atij vendi, të cilët vetvetes ia ngarkojnë udhëheqjen e botës islamike për ta copëtuar bashkimin e saj: "Deri kur Islamin do ta përdorni si armë me të cilën do t'i ndërprisni lidhjet e këtij Umeti? Ne jemi një umet dhe të gjithë i përkasin Ehlisunnetit dhe xhematit, të gjithë e synojmë vëllazërimin, na quani musafirë të Mëshiruesit dhe kur ju vijnë musafirët e Mëshiruesit, ju i akuzoni për pabesim dhe herezi".

E kam dëgjuar hatibin në xhaminë Nemire i cili ju drejtua muslimanëve duke i akuzuar ata për kufër dhe shirk, sepse ata po bënin tevessul me Pejgamberin s.a.v.s., dhe i numëronte ata në kuptimin fjalëve të Allahut të Lartësuar: "Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër, neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerët, ata gëzohen", (ez-Zumer, 45).

Unë i thashë: Në cilin fjalor të fesë, në cilin komentim të Kuranit mund të gjendet se ky ajet mund t'ju referohet këtyre muslimanëve të cilët e adhurojnë vetëm Një Zot dhe të cilët kanë ardhur për ta bërë haxhin në shtëpinë e shenjtë të Allahut? U pajtuam me të se ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe se ka ndërfute që duhet të zbulohen. Ne ramë dakord se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që ai nga shteti i tij t'i zgjedhë dhjetë dijetarët më të mirë dhe më të ndershëm, ndërsa unë nga vendi im do t'i zgjedh dhjetë më të mirë dhe më të ndershëm sipas mendimit tonë.

Pastaj do ta organizonim një konferencë në të cilën do të takoheshin këta dijetarët dhe do të diskutonin për këto çështje të cilat janë bërë armë për ndarje dhe mosmarrëveshje në Umet. Një gjë për të cilën biem në ujdi ajo më nuk do jetë problem, ndërsa ajo për të cilën nuk jemi dakord, mospajtimi ynë do të jetë dëshmi se kjo është çështje e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të ndryshme (ixhtihad), dhe, për këtë arsye, secili grup duhet ta respektojë tjetrin. Pas kësaj, do të obligoheshim që mos t'i potencojmë këto pyetje, por do të punojmë në forcimin e unitetit tonë.

Unë bëra marrëveshje me të dhe ai shkoi në vendin e tij. Unë u ktheva në Damask, Allahu ja shtoftë mbrojtjen dhe sigurinë, dhe ja dërgova atij emrat e dhjetë ulemave të moderuar, për të cilët mendoj se janë të përkushtuar ndaj fesë së Allahut. Prita që të m'i dërgojë dhjetë emrat nga ana e tij dhe ta organizojmë mbledhjen dhe dialogun. Që nga ajo kohë kanë kaluar gjashtë apo shtatë vite dhe unë ende jam në pritje të përgjigjes së tij.

Pastaj mora vesh se propozimi ju ishte paraqitur dijetarëve të cilët janë "të shqetësuar" për fenë e Allahut dhe se ata e kishin refuzuar thirrjen për atë tubim.

Prandaj vëllezër, çështja është shumë e rrezikshme. Disa për këtë janë të vetëdijshëm, kurse disa jo. Këtu, pra, nuk është fjala për fenë e Allahut. Zoti na ruajt! Në pyetje është uniteti i Umetit. Kjo është urrejtje ndaj unitetit të Umetit. Dëshirohet të dobësohet dhe të ndalet zgjimi islamik, por si? Nuk ka asnjë dobiqë kjo të bëhet diku në Perëndim, sepse kjo do të shkaktonte kundër efekt. Mënyra e vetme është që të përçahen muslimanët dhe, siç thashë, Islami të ndahet në sekte të kundërta të cilat do ta shkatërrojnë njëra-tjetrën. Çfarë problemi ka nëse unë bëj tevessul me Pejgamberin s.a.v.s., ndërsa ti nuk bën? Ti je vëllai im dhe unë jam i yti, unë kam ixhtihadin tim dhe ti tëndin, siç e kanë pasur ixhtihadin e tyre Ebu Hanife dhe Shafiu në shumë çështje. Ku është problemi? Pse nga kjo po bën vullkan i cili duhet të shpërthejë?

Së shpejti do të vjen koha e mevludit në këtë shtet dhe muslimanët do ta shprehin dashurinë e tyre për Pejgamberin s.a.v.s.. Shikoni dhe dëgjoni zhurmën e cila do të zhvillohet, shikoni ato sulme të ashpra dhe të shëmtuara. Çfarë është ajo? A mendoni se me të dëshirohet kënaqësia e Allahut? Çfarë mendoni nëse ne do të kishim vepruar ashtu, çfarë do të ndodhte me muslimanët? Ndërsa armiku i tyre pret që kjo edhe më shumë të merr flakë.

Disa vjet më parë, në një ditë, kanë qenë dy data të rëndësishme: "Viti i Ri dhe Mevludi". Rastësisht, atë ditë e dëgjova një stacion islam dhe folësin i cili paralajmëronte për mëkatet që po ndodhin këto ditë në shtëpi. Mendova me vete: "Allahu e shpërbleftë që po na tregon për mëkatet që po na vijnë nga Perëndimi me rastin e Vitit të Ri". Kështu që e dëgjova duke i miratuar fjalët e tij, mirëpo në fund të fjalimit doli se ai ishte duke folur për mevludin. Me bërjen e mëkatit: "ai po mendonte në shënimin e mevludit në këto ditë, ndërsa me argëtim dhe largim nga feja kishte për qëllim përgjigjen e muslimanëve për ta shënuar mevludin gjatë këtyre ditëve". Ndërsa mëkatet që bëhen nëpër shtëpi në atë natë dhe lumenj të pijeve alkoolike që derdhen me atë rast, kjo nuk është rrezik dhe nuk është në kundërshtim me fenë e Allahut?!

Unë po ju flas për këtë, o vëllezër, që të jemi të vetëdijshëm dhe të jemi dhjetë herë më të kujdesshëm ndaj armiqve të afërt dhe të largët të zgjimit islamik, sesa që të gëzohemi.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përshtati: Miftar AJDINI



_________________________

- Hutbeja e Prof. Dr. Muhammed Se'id Ramadan El-Buti, e mbajtur më datën 04.09.1992.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...