Banner

JoMedhhebizmi: Manipulimet



5. - Në (f.33), autori na e sheh për të madhe se ne kemi ndarë njerëzit vetëm në dy grupe: muxhtehid dhe mukalid (imitues), pa marrë në konsideratë grupin e tretë mes tyre e që është "el-muttebi'". Më parë kemi theksuar se fundi i muttebiut është në njërën prej të dyjave: ose teklid (imitim) nëse nuk arrinë gradën që të kuptojë argumentet, ose ixhtihad nëse e arrinë atë gradë.

Autori për qëndrimin tonë si të gabuar e argumenton me një tekst që e transmeton nga fjalët e Shatibiut në librin "El-I'tisam". Kërkoj prej teje lexues i nderuar që të mendosh mirë në falsifikimin dhe përgënjeshtrimin e citateve. Në anën tjetër, mendo mirë se si ata njerëz tentojnë t'ua mveshin imamëve fjalët të cilat nuk i kanë thënë e me këtë të kuptosh realitetin e tyre dhe atë që e fshehin në brendinë e tyre.

Autori gabimin tonë që muttebiun nuk e kemi konsideruar grup të tretë mesatar e argumenton me sa vijon:

Shatibiu ka thënë: "I obliguari me dispozitat e sheriatit patjetër të gjendet në njërën prej tri gjendjeve:

E para: Të jetë muxhtehid në dispozitat e sheriatit të Allahut, e në këtë rast ai duhet të veprojë sipas ixhtihadit të tij.

E dyta: Të jetë imitues që nuk posedon njohuri për nxjerrjen e dispozitave. Në këtë rast, për këtë është patjetër që të ketë prijës që e udhëheqë dhe dijetarë që e imiton.

E treta: Të jetë dijetar, por jo në gradën e muxhtehidëve. E kupton argumentin, pozitën e tij dhe ka aftësi për t'u përcaktuar për mendimin me të saktë ..."
, (f.35).

Autori këtu e përfundon citatin nga imam Shatibiu, e mbyllë kllapën pa e plotësuar fjalinë që e ka thënë imam Shatibiu për hukmin e këtij grupi të tretë. Kthehemi në tekstin origjinal, në librin "El-I'tisam" (v.3, f.253) të imam Shatibiut që të lexojmë fragmentet që nuk i ka theksuar autori i ndershëm. Në të vërejmë me sa vijon: "... për këtë person ose të merren parasysh përcaktimet e tij ose jo. Nëse merren parasysh, atëherë ai bëhet sikur muxhtehidi në atë çështje. Po nëse nuk merren, atëherë ai kthehet në gradën e njeriut të rëndomtë, që duhet të imitojë muxhtehidin".

Pra, si përfundon hukmi i "muttebiut" sipas Shatibiut, me fjalët e të cilit ka argumentuar autori? Hukmi i tij është: ose t'i bashkangjitet muxhtehidit nëse e arrinë gradën e tij, ose njeriut të rëndomtë nëse nuk e arrinë atë gradë. Pra, ndarja është në dy, siç kemi theksuar më parë.

Mirëpo, autori besnik e fshinë këtë pjesë që konsiderohet fryt i fjalës së Shatibiut. Ai e formulon në formën e kundërt të asaj që e dëshiron Shatibiu dhe e përdor si argument për ta vërtetuar supozimin e tij, ndërsa qëndrimin tim për ta konsideruar të gabueshëm. Bile, për t'u habitur se unë e kam parë këtë tekst por nuk e kam kuptuar dhe se "kam filluar t'i përziej gjërat prej paditurisë"!

Më lejo lexues i nderuar të pyes: Si lejohet për muslimanin që të ketë besë në fenë e atij që i falsifikon tekstet dhe i devijon fjalët prej vendeve të tyre, siç po e sheh me sytë tuaj, e më pas t'i zë besë atij në marrjen e dispozitave të sheriatit islam, bile t'i zë besë në nënçmimin e fjalëve të imamëve dhe ixhtihadeve të tyre? Si: si lejohet kjo për muslimanin, çfarëdo muslimani qoftë?

Unë kërkoj prej çdo personi që e posedon librin "El-I'tisam" të Shatibiut, të lexojë në (f.253, v.3, shtëpia botuese: El-Menar) të mendojë mirë dhe të mësohet prej tij. Të jetë syçelë dhe vigjilent në fenë e tij para dredhive të atyre njerëzve.

6. - Më parë, kam sqaruar atë që e pranon xhumhuri i muslimanëve, se imitimi nëse i plotëson kushtet lejohet në furu' (dispozitat sekondare), kam për qëllim dispozitat e sheriatit të cilat ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera). Ndërsa nuk lejohet imitimi në çështjet e besimit dhe në dispozitat të cilat ngriten mbi argumente kat'ije (të prera). Poashtu kam sqaruar se pjesa dërmuese e dispozitave fer'ije (sekondare) ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera), për këtë, ixhtihadi në to është çështje natyrore.

Mirëpo, shejh Naseri në librin të cilin e kanë përpiluar së bashku me Mahmud Mehdiun dhe Hejredin Vanliun, thotë se unë kam gabuar kur kam bërë ndarjen mes akides (besimit) dhe sheriatit (dispozitave) në çështjen e imitimit si dhe kam gabuar kur kam thënë se pjesa dërmuese e dispozitave fer'ije (sekondare) ngriten mbi argumentet dhannije (jo të prera).

Sipas mendimit të tij, edhe akideja (besimi) e prerë, edhe dispozitat fer'ije që mund të bëhet në to ixhtihad, lejohet që të ngriten mbi argumente dhannije, si p.sh. me haber ahad (lajm nga një person), përndryshe si ka mjaftuar që Muhamedi a.s. të dërgojë një person për t'ua mësuar njerëzve çështjet e akides?!

Themë: Nuk kam parë mendim më të çuditshëm se ky mendim, prej të gjitha mendimeve të ndryshme me të cilat dallohet shejh Naseri nga të tjerët. Kam pritur të më kundërshtojë në shumicën e asaj që e kam shkruar në këtë libër, mirëpo në asnjë mënyrë nuk kam pritur që të më kundërshtojë në këtë të vërtetë shkencore, për të cilën ekziston konsensus i të gjithë dijetarëve në të kaluarën dhe të tashmen, përpos një njeriu prej mu'tezilëve e që është Ubejdullah ibn El-Hasen El-Anberij!

Kjo e vërtetë para se gjithash është rregull shkencor. Këtë e vërtetojnë argumentet logjike për të cilat nuk mund të ketë kundërshtime, mandej siç do të shohim tash e vërteton edhe qëndrimi i sahabëve.

Argumenti logjik: Të gjithë mendimtarët janë të mendimit se premisat dhannije (jo të prera) japin rezultate dhannije (jo të prera). Ndërsa e vërteta shkencore e prerë nuk mund të lind pos në bazë të premisave dhe argumenteve të prera si ato. Mjeku i cili posedon argumente të prera se ai i cili do të pijë një filxhan prej helmit të caktuar, do të vdesë pas gjysëm ore p.sh., ai me kalimin e kësaj gjysëm ore, vendos për vdekjen e tij. Ndërsa ai i cili nuk posedon, pos argumente dhannije (jo të prera) për atë çështje, ai nuk ka asgjë në duart e tij pos të mendojë se do të ndodhë diç e tillë.

Rreth kësaj të vërtete nuk diskuton asnjë i mençur. Duke u bazuar në këtë, mund të themi se argumenti dhannij (jo i prerë) siç është rasti me haber ahad, nuk mund që në vete të jetë mbështetje për ndonjë parim prej parimeve të besimit, me të cilat na ka angazhuar Allahu xh.sh. që të jemi të bindur në to. Për këtë ekziston konsensus nga ana e dijetarëve. Për çështjet e besimit të cilat ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera) siç është rasti me ringjalljen e trupave në ditën e kijametit se a do të jetë pas zhdukjes totale të tyre apo pas ndarjes së pjesëve të tyre, për këtë çështje nuk ka argument kat'ij (të prerë), për këtë, obligimi që të besohet njëri prej dy obcioneve është obligim me diçka që është jashtë mundësisë dhe në bazë të saj bindja në njërën prej tyre nuk është vaxhib.

Nëse këtë që e thamë është e qartë, atëherë si mundet që shejh Naseri të paramendojë se është e saktë që bindja e prerë të ngritet mbi argumente dhannije (jo të prera) sikur që është rasti me haber ahad?!

Shejh Naseri dilemën e tij e argumenton me atë se një nga të dërguarit e Muhamedit a.s. ua kumtonte njerëzve parimet e besimit sikur që ua kumtonte dispozitat fer'ije.

Përgjigjja -siç e cekë imam Gazaliu dhe të tjerët- është, se ata të dërguar nuk u kanë kumtuar njerëzve asgjë nga çështjet e besimit që të mund njerëzit të supozojnë vërtetësinë e të dërguarit në atë që informon dhe kumton, përndryshe çka do t'i detyrojë ata që të besojnë atë, në kohën kur ata ende nuk e kanë besuar shpalljen!

Në lidhje me këtë, imam Gazaliu thotë: "... ndërsa në esencën e shpalljes, besimit dhe njohjen e pejgamberisë nuk mund të ketë bindje mbi haber ahad, përndryshe si do të thotë i dërguari i të dërguarit të Allahut: I dërguari i Allahut ua ka bërë obligim që të më besoni, në kohën kur ata ende nuk kanë besuar shpalljen e tij? Ndërsa pas besimit në të Dërguarin e Allahut, është e mundur që t'i dëgjojnë ngase ai i ka obliguar me diç të tillë".

Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, ai që beson në Allahun duke u bazuar në haber ahad, besimi i tij nuk mund të jetë i plotë vetëm duke u bazuar në këtë haber, por për të qenë besimi i tij i plotë duhet që ta ngritë mbi një sërë argumentesh logjike që sjellin bindje të prerë, ndërsa haberi ahad të cilin e ka përdorur, nuk është asgjë tjetër pos për ta udhëzuar në këto argumente. Këtë e ka cekur dijetari i famshëm El-Ixhi në librin e tij "El-Mevakif" dhe të tjerët. Është e pamundur që njeriu i mençur në zemrën e tij të ngritë besim ta paluhatur duke u bazuar vetëm në haber dhannij (jo të prerë) për ndonjë çështje që nuk e ka prekur as nuk e ka parë, e as që ka gjetur mbështetje në ndonjë argument bindës për të.

Pra, u vërtetua se parimet e besimit me të cilat na ka angazhuar Allahu që të jemi të paluhatur në to, nuk mund të ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera) siç është rasti me haber ahad, por është e patjetërsueshme që të mbështetet në premisa bindëse sikur haber mutevatir (të saktë) dhe argumente logjike të prera që mund t'i kuptojë çdo i mençur.

Në atë që argumenton shejh Naseri nuk ka asnjë argument që vërteton të kundërtën e asaj që e themi dhe e thotë xhumhuri i ulemave.

Nëse kjo është vërtetuar, atëherë vetvetiu vërtetohet se nuk lejohet imitimi në atë që Allahu na ka angazhuar që të jemi të paluhatur në besimin e tij, sepse imitimi është rezultat i pamundësisë për ixhtihad, ndërsa ixhtihadi lejohet në çështjet dhannije (jo të prera), siç është e ditur. Bazat elementare të fesë, me të cilat Allahu na ka obliguar që të jemi të bindur në to, nuk u takojnë çështjeve dhannije (jo të prera) siç e sqaruam, atëherë nuk ka hapësirë për të bërë ixhtihad në to. Pra, si mund të arsyetohet imitimi?

Nuk lejohet të thuhet: Është e mundur që njeriu të jetë i paaftë në të kuptuarit e argumentit rreth parimeve të besimit, atëherë në këtë rast është patjetër që të imitojë, sepse kjo do të ishte e vërtetë sikur të kërkohej prej tij që të futet në hapësirën e analizimeve dhe krahasimeve mes argumenteve dhannije për të nxjerrur prej tyre atë që e shpreson. Por ajo që kërkohet prej tij këtu është që ai t'i ketë parasysh argumentet logjike të prera, të cilët nuk kanë nevojë për argumentim dhe të cilët i kuptojnë të gjithë njerëzit e mençur.

Për këtë dijetarët kanë thënë: Ai që thotë se besoj në Allahun sepse kam parë prindërit e mi ose mësuesin tim duke besuar në të, ky besim është i papranuar. Më së paku që mund të thuhet në lidhje me atë që imiton në parimet e besimit është se ai është mëkatar.

Nëse "komisioni i caktuar për hulumtim" për herë të parë e dëgjon këtë fjalë ose e sheh se është në kundërshtim me qëndrimin e tij, ose librin që do ta nxjerrë shejh Naseri në lidhje me këtë tematikë, atëherë sinqerisht kërkoj prej shejh Naserit që të lexojë atë që e kanë shkruar dijetarët dhe imamët e mëparshëm në lidhje me të. P.sh. le ta lexojë atë që e ka shkruar Shafiiu në librin e tij "Er-Risale", prej fillimit të temës El-Ilmu e deri në fund të librit. Le ta lexojë temën El-Haberu vel-Ixhtihadu në librin "El-Mustesfa" të Gazaliut. Po ashtu të njëjtën temë le ta lexojë në librin "El-Ihkam" të Amidiut ose në librin "El-Muvafekatu" të Shatibiut, ose në cilindo libër prej librave të mëdhaja të akides, mirëpo dalëngadalë pa shpejtuar. Nëse në brendinë e këtyre librave ka diçka që nuk e kupton, nuk është mëkat që t'i pyesë të tjerët, sepse një gjë e tillë nuk është turp. Ngase, nuk është lehtë që njeriu në lidhje me ndonjë çështje të rezikshme si kjo, të thotë: "Mendimi im është se kjo fjalë ose ky argumentim është i papranuar ...!", para se të lexojë gjithë atë që e kanë shkruar dijetarët në lidhje me atë çështje.

Shejhi i nderuar le ta pranojë prej meje këtë këshillë, edhe pse del nga një xhahil, që sipas tij nuk ka të drejtë që të shkruaj, sepse është e mundur që Allahu ndonjëherë ta vendosë ndonjë urtësi në gjuhën e ndonjë xhahili!

7. - Më pas, autori nën temën "Mendimi ynë ndaj katër imamëve muxhtehidë" thotë se ai i respekton shumë imamët e medhhebëve dhe se ai dhe vëllezërit e tij u janë mirënjohës për mundin e tyre dhe se ecin pas gjurmave të tyre në zbatimin e Kur'anit dhe sunnetit ... etj..

Themi: Kjo fjalë është shumë e bukur, por shumë e varfër për çfarëdo argumenti që e përforcon atë në sferën e realitetit.

Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, nuk do të dëgjonim fjalët nënçmuese për ta që dalin nga goja e nxënësit dhe imituesit më të madh të tyre. Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, nuk do të thoshte njëri prej autorëve, në një vend tjetër të këtij libri, duke sinjalizuar për Ebu Hanifen, se ai nuk ka ditur pos disa haditheve! Sikur të kishte qenë kjo fjalë e vërtetë, atëherë dora e shejh Naserit nuk do ta shkruante atë shprehje mëkatare të rrezikshme në njërin prej komentimeve të tij ndaj librit Muhtesar Sahihi Muslim të Mundhiriut ku thotë: "Kjo është e qartë se Isa a.s. do të gjykojë me sheriatin tonë, me Kur'an dhe sunnet e jo me diç tjetër sikur me Inxhilin , fikhun hanefij ose diç të tillë". Pra, ai ka bindje se fikhu hanefij është sikur Inxhili dhe se ai është diç tjetër nga sheriati islam dhe diç tjetër nga ajo që e përmbanë Kur'ani dhe sunneti. Estegfirullahel-adhim nga kjo fjalë e pakuptimtë që nuk duhet ta thotë asnjë musliman. Këtë gjë më gjerësisht e kemi treguar, gjatë një komentit tonë në brendinë e librit.

Si, si mund të besojmë se ai dhe vëllezërit e tij i përmbahen gjurmëve të katër imamëve në zbatimin e Kur'anit dhe sunnetit, kur ai qartë thotë se medhhebi hanefij është diçka tjetër nga Kur'ani dhe sunneti, plotësisht sikur Inxhili?!

Mandej, autori kërkon prej njerëzve që të angazhohen të gjithë për bashkimin e medhhebeve, për të cilën edhe i cakton mjetet dhe i planifikon shkaqet, duke iluzionuar se ky bashkim është shumë i lehtë dhe se ai nuk është më shumë se sikur ai që grumbullon fletë apo degë të shpërndara. Është për t'u habitur se ai kërkon bashkimin e medhhebeve në kohë kur kërkon prej të gjithë njerëzve të bëjnë ixhtihad!

Ne i themi atij, atë që e kemi përsëritur dhe e kanë përsëritur dijetarët dhe imamët, derisa është bërë prej gjërave të padiskutueshme që nuk i kundërshton askush.

Atij i themi: Sa i përket dispozitave, për të cilat katër imamët kanë qëndrim unik, nuk do të flasim për to, sepse ata praktikisht kanë qëndrim të përbashkët. Ndërsa, dispozitat për të cilat ixhtihadet e tyre janë të ndryshme, për to themi se këto dispozita ngriten mbi argumente dhannije (jo të prera) për shkaqe të shumta që i kupton çdokush që e njeh mirë shkencën e usulul-fikhut. Pra, pikëpamjet e dijetarëve në nxjerrjen e dispozitave do të mbesin të ndryshme, përndryshe nuk do të ishin argumente dhannije (jo të prera).

Problemi i shejh Naserit është se ai përmbajtjen e katër medhhebeve e sheh vetëm nëpërmjet dhjetë mes'eleve, me të cilat ngritet dhe ulet i revoltuar ndaj imamëve dhe ulemave.

Atij i themi duke e përsëritur se përmbajtja e katër medhhebeve nuk është vetëm në këto mes'ele, por ekzistojnë tema në muamelat si p.sh. shitblerjet, qiraja, kamata, partneriteti etj., tema tjera në të drejtën civile si p.sh. kurorëzimi, shkurorëzimi, gjidhënia, përkujdesja për fëmiun, testamenti, shpenzimi etj., tema tjera në të drejtën penale, për xhihadin, dhe ... dhe ... deri në fund.

Kërkesa e vetme e imja prej këtij njeriut kishte me qenë që ai t'i lexojë këto tema në librat e mëdha të fikhut duke i krahasuar me katër medhhebet, e më pas të na japë prodhimin e tij mendor. Më pas le të thotë -nëse ka mundësi- se muslimanët e kanë për obligim t'i bashkojnë medhhebet. P.sh. le të lexojë: "Il-leti (motivi) i kamatës në gjashtë llojet dhe ndikimi i saj në gjërat që mund të kenë kamatë". Le ta kuptojë atë mirë prej katër medhhebeve, e më pas le të vijë e të më thotë se si mund t'i bashkojë medhhebet në të, do të thotë vetëm në këtë mes'ele!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...