Si nisi dhe si u zhvillua shënimi i biografisë pejgamberike? 1
Shënimi i biografisë pejgamberike sipas radhitjes kohore vjen në rend të dytë në krahasim me shënimin e sunetit të Pejgamberit (alejhi selam). Nuk ka dyshim se shënimi i sunetit, përkatësisht i haditheve të Pejgamberit (alejhi selam) ishte para shënimit të biografisë së Muhamedit (alejhi selam), sepse shënimi i sunetit siç është e njohur, ka filluar qysh në kohën kur ishte gjallë Pejgamberi (alejhi selam) me lejen apo me vetë urdhrin e tij. Kjo ndodhi pasi ai ishte siguruar se shokët e tij e kanë kuptuar dallimin e madh ndërmjet stilit të Kuranit të mrekullueshëm dhe stilit të hadithit pejgamberik, gjë e cila do ta siguronte se nuk do të bënin përzierje mes tyre.
Shënimi i jetës së të Dërguarit (alejhi selam) dhe luftërave të tij në përgjithësi, ka ndodhur më vonë se fillimi i shënimit të sunetit, edhe pse sahabët ishin të interesuar për transmetimin e biografisë dhe të luftërave të tij gojarisht. Ndoshta njeriu i parë që u kujdes për shënimin e biografisë së Pejgamberit (alejhi selam) është Urveh Ibn El-Zubejri (i cili vdiq në vitin 92 sipas hixhretit), pastaj Eban Ibn Othmani (i cili vdiq në vitin 105 sipas hixhretit), më pas Vehb Ibn Munebeh (i cili vdiq në vitin 110 sipas hixhretit), pastaj Shurahbil Ibn Seadi (i cili vdiq në vitin 123 sipas hixhrit), më pas Ibn Shihab El-Zuhrij (i cili vdiq në vitin 124 sipas hixhretit).
Këta autorë, pa dyshim konsiderohen ndër të parët që janë kujdesur për shënimin e biografisë së Muhamedit (alejhi selam). Librat e tyre konsiderohen fillim i kësaj pune të madhe shkencore, madje janë hapi i parë në shënimin e historisë dhe kujdesin për të në përgjithësi. E gjithë kjo ka ndodhur edhe përkundër asaj se shumë ngjarje nga jeta e Muhamedit (alejhi selam) mund të gjenden në mënyrë direkte dhe indirekte në librin e Allahut të Lartësuar dhe brenda përmbledhjeve të sunetit të tij, duke u kujdesur për biografinë e tij, pra për fjalët dhe veprat e tij, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me dispozitat e sheriatit.
Të gjitha të dhënat që i kanë shënuar këta historianë me kalimin e kohës janë zhdukur dhe te ne nuk ka mbërritur asgjë prej tyre, me përjashtim të disa pjesëve të shpërndara - të cilat i ka transmetuar El-Taberiu. Thuhet se një pjesë tjetër e Vehb Ibn Munebeh ruhet në qytetin e Hajdelbergut të Gjermanisë. Mirëpo, në gjeneratat e mëvonshme kishte historianë që kishin grumbulluar të dhënat e autorëve të kohës së Pejgamberit (alejhi selam), duke regjistruar me kujdes detaje nëpër librat e tyre, shumica e të cilave -me ndihmën e Allahut- kanë mbërritur te ne.
Prijës i kësaj gjenerate ishte Muhamedi Ibn Is'haku (i cili vdiq në vitin 152 sipas hixhretit). Hulumtuesit janë unanim në qëndrimin se vepra të cilën e ka shkruar Muhamed Ibn Is'haku konsiderohet më e dokumentuara dhe më e besueshmja e shkruar rreth biografisë së Pejgamberit (alejhi selam) në atë periudhë. [1]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".
[1] - Shih atë që e ka shkruar Ibn Sejidunnas në parathënen e librit të tij "Ujunul Ether" rreth Ibn Is'hakut dhe biografisë së tij.