Si nisi dhe si u zhvillua shënimi i biografisë pejgamberike? 2
Megjithëse libri i tij "El-Megazi", nuk ka arritur deri te ne, të njëjtin e ka transmetuar Ebu Muhamed Abdulmeliku i njohur si Ibn Hisham i cili erdhi akoma pa kaluar pesëdhjetë vjet nga Ibn Is'haku dhe i njëjti e transmetoi të korrigjuar e të qashtër në një version të integruar.
Ibn Halkani thotë: "Ibn Hishami është ai i cili e tuboi biografinë e të Dërguarit të Allahut prej librave "El-Megazi" dhe "Es-Sijer" të Ibn Is'hakut të cilat i korrigjoi dhe i shkurtoi. Kjo është "Sireja", biografia e cila gjendet në duart e njerëzve dhe njihet me emrin "Siretu Ibn Hisham" ("Historia e Ibn Hishamit")". [2]
Sidoqoftë, burimet e biografisë së Pejgamberit (alejhi selam), në të cilat mbështeten të gjithë dijetarët, pa marrë parasysh gjeneratën dhe kohën se kur janë shkruar, janë të përfshira në këto burime:
1. - Libri i Allahut të Lartmadhëruar. Ai është mbështetësi i parë në njohjen e tipareve të përgjithshme të jetës së Muhamedit (alejhi selam) dhe në përcjelljen e të gjitha epokave të biografisë së tij të ndershme, pa marrë parasysh stilin e Kuranit në sqarimin dhe paraqitjen e gjithë kësaj.
2. - Koleksionet e sunetit të Muhamedit (alejhi selam). Ato janë librat të cilat i kanë shënuar imamët e hadithit, të njohur për sinqeritetin dhe përpikërinë e tyre, siç janë "El-Kutubus-Sitte" ("Gjashtë koleksionet"), "Muvetai" i imam Malikut, "Musnedi" i imam Ahmedit, etj.. Kujdesi kryesor i këtyre koleksioneve të para ishte i orientuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut dhe në veprat e tij si burim i legjislacionit (sheriatit) e jo si histori që shënohet. Për këtë arsye, hadithet e shumë prej këtyre koleksioneve janë të radhitura sipas kapitujve të fikhut, disa prej tyre janë të radhitura sipas emrave të sahabëve të cilët i kanë transmetuar këto hadithe, për këtë arsye edhe nuk është marrë në konsideratë radhitja kronologjike e ngjarjeve.
3. - Transmetuesit të cilët janë përkujdesur për biografinë e Pejgamberit (alejhi selam) dhe jetën e tij në përgjithësi. Në mesin e sahabëve kishte shumë të tillë. Madje, çdo sahab që ishte me të dërguarin e Allahut në ndonjë ngjarje prej ngjarjeve, ua transmetonte atë të gjithë sahabëve dhe atyre që vinin më pas më shumë se një herë. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk ishte përkujdesur që t'i tubojë apo t'i shënojë ato. Këtu dua të tërheq vëmendjen në një dallim ndërmjet asaj të përgjithshmes që quhet "kitabetun ve tekjid", shënim dhe regjistrim dhe asaj të veçantës që quhet "te'lif dhe tedvin", autorësi dhe shkrim. Forma e parë ishte zbatuar në grumbullimin e sunetit në jetën e të Dërguarit të Allahut siç e përmendëm më lartë, kurse forma e dytë (d.m.th. tubimi mes dy kopertinave) është shfaqur më vonë, atëherë kur është paraqitur nevoja për të.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".
[2] - 'Vefejatul A'jan', vëll. I, f. 290.