Banner

Të gënjejnë kur të thonë se ... - Hyrje 2



Jam i bindur se sikur ndonjë nga apologjetët e këtyre sofizmave të ishte ai që i paraqet argumentet e tyre për t'i mbrojtur ato, nuk do të kishte mundur t'i formulonte dhe t'i shprehte ato më qartë dhe më fuqishëm se saqë jam shprehur unë për ato.

Kam bindje të plotë se këta sofizma kanë vetëm një burim gjeneral e jo më tepër e që është se Islami me gjithë pasuritë e tij nga parimet (normat), dispozitat (ligjet) dhe besimet, të gjitha këto sipas bindjes së tyre nuk janë diç tjetër veçse rezultate dhe fryte të mendimit njerëzor, andaj ata këtij vlerësimi i propagandojnë duke përdorur metoda të ndryshme, nga më kryesoret është përdorimi i shprehjeve e termave që aludojnë dhe asocojnë në mënyrë të fshehur e tërthorazi në këtë vlerësim (lidhje) të tyre, fjala bie kur thonë: "idetë islame", "mendimi islam", "historia e mendimit islam", etj..

Finalja e këtyre është se: nëse arrihet të besohet se të vërtetat islame janë rrjedhojë dhe rezultat i mendimit njerëzor, atëherë çdo mendim tjetër njerëzor ka të drejtë ta demantojë mendimin tjetër, sepse në arenën e mendimeve njerëzore nuk ekziston një mendim më suprem se tjetri.

Unë gjatë dialogimit me këta llomotitës e llafazanë e që janë apologjetë të këtyre sofizmave, kam përdorur mendimin si pishtar që me të të dalloj të vërtetat e islamit dhe përmes këtij pishtari të kuptoj se në të vërtetë ato (parimet islame) janë të vërteta objektive që kanë ekzistencë të pavarur nga të menduarit dhe talenti. Ndërkaq, unë këtu nuk kam rrahur mendimet e tyre personale me mendimet (idetë) e mia personale.

Sikur unë t'u dilja zot mendimeve të mia individuale dhe nisur nga ajo se janë mendime te mia, kundër mendimeve të të tjerëve, atëherë unë do të isha sikur ai që ngjesh shpatën për shpatë dhe e fërkon tehun e njërës shpatë me tehun e shpatës tjetër.

Ndërkaq, shfrytëzoj këtë rast të them se: Nuk kam hasur ndonjë fjalë që njerëzit e përdorin sot mes tyre më absurde, më të pakuptimtë dhe më boshe se fjala: "Filan mendimtari islam"!! A nuk është kjo njësoj sikur dikush të thotë: "Filan i mençuri islam""!!

Çfarë kuptimi më të tepërt mund t'i jep njeriu titullit: "mendimtari" se ai është "gjallesë që ka aftësi për të folur: folës"? Dhe prej kur të menduarit i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë pikë e përbashkët mes të gjithë të mençurve, u bë monopol vetëm për ata që merren me dituritë islame e jo edhe për ata që merren edhe me dituritë e tjera?!

Titulli meritues me të cilin dallohej hulumtuesi në dituritë islame ishte "Alim - Dijetar", nëse ai ngrihet edhe një shkallë më lart atëherë quhej "Al-lameh" e nëse shkon edhe më lart është cilësuar si: "El-Muhakkik".

Kurse, tani erdhën disa që punojnë me të madhe për të anuluar këto epitete apo tituj duke i zëvendësuar me fjalën "mendimtar" me shpresë që të dominojë titulli i cili frymëzon mendjen se Islami në tërësinë e vet nuk është diç tjetër veçse fryt apo kontribut i mendimit njerëzor.

Përndryshe a keni hasur që të thonë: "mendimtari filozofik", "mendimtari gramatikan", "mendimtari letrar" ose "mendimtari historik"?!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...