Banner

Rruga e ndërmarrë nga ana e dijetarëve muslimanë në shqyrtimin e tezës 2



Kurse kur është fjala për çështjet abstrakte ose për ato që janë të padukshme e që nuk i nënshtrohen shqisave, disa prej tyre i gjejmë me tekste të qarta kur'anore dhe në hadithe mutevatir, e për disa nuk gjejmë që Kur'ani e Suneti t'i ketë sqaruar.

Çështjet, të cilat janë të theksuara në njërin prej këtyre dy burimeve (Kur'anin apo Sunetin), rreshtohen në konceptet e bindjes. Kurse metoda për t'u vërtetuar për këto për nga aspekti i Kur'anit dhe Hadithit, varet nga ajo se, a ka tekst mutevatir, të cilin posa e sqaruam. Kjo është kështu sepse Kur'ani është fjalë e All-llahut, e cila i është shpallur Muhammedit (bekimet e All-llahut qofshin për të), që arriti deri te ne në një rrugë plotësisht të bindshme e të sigurtë (mutevatir) prandaj s'ka dyshim se fjalët kur'anore janë plotësisht të besueshme. Po ashtu të njëjtin status si Kur'ani, e ka edhe Suneti që është mutevatir.

Ndërkaq, për sa i përket aspektit të besueshmërisë për përmbajtjen e Kur'anit, duke mos marrë parasyshë se ai (Kur'ani) me plot siguri dhe besueshmëri ka arritur te ne nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është krejtësisht një çështje tjetër shkencore që ka të bëjë me pjesën e dytë të pohimit e që lidhet me çështjet abstrakte apo me ato që i përkasin të padukshmeve. Duhet të dish se këtë do ta shqyrtojmë në pjesën e dytë kur do të flasim për dukurinë e shpalljes gjatë jetës së Pejgamberit. Shqyrtimi i kësaj ngrihet në argumente bindëse që mbështeten në induksionin e plotë dhe në konsekuencën e qartë, për të cilët do të flasim pak më poshtë.



Pra, tekstet e prera të theksuara në Kur'an në të njëjtën kohë na japin bindje edhe për përmbajtjen e tyre, kuptohet që pasi t'i kalojmë dy fazat e shqyrtimit.

- Faza e parë është: shqyrtimi rreth senedit të Kur'anit, duke filluar prej zotërisë tonë Muhammedit alejhis-selam e deri kur mbërrin te ne.

- Faza e dytë është: shqyrtimi rreth vërtetësisë së lajmit të Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi vesel-lem se Kur'ani është nga All-llahu. Pasi të vërtetosh fazën e dytë sipas dritës së normave që do t'i përmendim pak më vonë, atëherë tekstet e Kur'anit bëhen burim i sigurtë e i përhershëm.

Ja, kjo është domethënia e fjalës sonë që e theksuam pak më parë se: "Kur është fjala për çështjet për të cilat ka tekst në njërin prej dy burimeve (Kur'anit apo Sunetin) atëherë këto rreshtohen në konceptet e bindjes (të pakontestueshmeve)".



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...