Banner

Rruga e ndërmarrë nga ana e dijetarëve muslimanë në shqyrtimin e tezës 1



Siç e theksuam më parë metoda ndryshon sipas ndryshimit të llojit të tezës. Nëse teza është e lidhur me diçka që është lëndore, do të thotë që i nënshtrohet analizës dhe provës atëherë patjetër duhet të mbështetet në dëshmi dhe fakte nga pesë shqisat, domethënë në atë që sot në terminologjinë bashkohore quhet Prova dhe eksperimenti. Pra, kjo është mënyra e rregullt për të arritur perceptimin e sigurtë për çështjen në fjalë. Islami nuk luhatet aspak që të pranojë çdo gjë që vërtetohet dhe realizohet nëpërmjet kësaj metode.

Ndërkaq, në të kundërtën shkenca nuk ka mundur deri sot të na ofrojë asnjëfarë të vërtete shkencore që nuk përputhet qoftë edhe me ndonjë hollësi prej detajeve të akides islame.

Kur'ani dhe Suneti nuk na kanë ngarkuar me të dhëna speciale e të qarta lidhur me ekzistencat materiale që gjenden rreth nesh, por vetëm se na kanë sinjalizuar nëpërmjet fjalëve, të cilat më tepër nxisin dhe provokojnë mendimin dhe vështrimin se sa na ofrojnë të dhëna për to.

Këta dy bazamente (Kur'ani dhe Suneti) kanë vepruar kështu qëllimisht, që ne të mbështetemi në mjetet dhe faktorët me të cilat All-llahu e pajisi njeriun e të cilat janë mjete të rregullta për heqjen e frenave të mosdijes dhe për zbulimin e çdo të vërtete materiale që ekziston.

Prandaj ky është edhe shkaku se përse Kur'ani nuk shpjegon hollësisht ligjet shkencore që kanë të bëjnë me të ndjeshmet (të perceptueshmet, që kapen me anë të shqisave), të dukshmet (eksperimentalet). Ndërkaq sikur Kur'ani ta kishte bërë një gjë të tillë atëherë njerëzit do të detyroheshin t'i besojnë gjykimet e tij, ndërsa një gjë e tillë është detyrim apo dhunim ndaj mendjes që të pranojë të vërtetat shkencore nën dhunë, duke mos e hapur rrugën deri tek ato nëpërmjet argumenteve përkatëse siç është prova dhe eksperimenti.

Një gjë të tillë Kur'ani kurrsesi nuk e bën dhe nuk e kërkon nga njerëzit dhe kjo për respektin, vlerësimin, nderimin që ia kushton mendjes. Nga ana tjetër Kur'ani këtë qëndrim e ka që ta lërë njeriun të lirë, të ndjekë e të trasojë metodën e rregullt për të zbuluar të vërtetat që kapen me anë të shqisave.

Pra, mbështetur në këto që thamë, gjejmë se islami lidhur me këto çështje nuk shton më tepër se t'i stimulojë dijetarët që të hulumtojnë dhe zbulimin ta bëjnë, duke përdorur metodat e tyre shkencore. Kurse kur bëhet fjalë për lajmet që kanë të bëjnë me gjërat që u takojnë të padukshmeve (gajbit), Kur'ani këto i ka shpjeguar hollësisht dhe në mënyrë të prerë sepse këto çështje nuk arrihen nëpërmjet provës dhe eksperimentit madje edhe rruga për t'i besuar ato, nuk është ndryshe vetëm se nëpërmjet shpalljes së All-llahut apo sunetit mutevatir.

Pra, kjo që u tha deri tani kishte të bëjë me gjërat që u përkasin çështjeve që ndijohen (shqisore).



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...