Banner

Rruga e ndërmarrë nga ana e dijetarëve muslimanë në shqyrtimin e tezës 3



Ndërkaq, pasi të bëhet një shqyrtim i tillë atëherë është njëlloj nëse mendja e njeriut do të jetë në gjendje t'i kuptojë të padukshmet (gajb) nëpërmjet rrugës së saj të veçantë apo nuk do të jetë në gjendje t'i kuptojë ato, gjegjësisht gjërat, të cilat janë të padukshme (gajb), të cilat i dijmë nëpërmjet lajmit të sigurtë e të vërtetë, si: Dita e Kijametit, ringjallja e krijesave, ekzistimi i xhenetit e i xhehenemit dhe melaiket. Të gjitha këto për të hyrë nën konceptet e bindjes (të pakontestueshmeve), mjafton që të jenë të theksuara e përmendura në ndonjë tekst të qartë kur'anor apo të Sunetit mutevatir.

Por megjithatë përsëri e gjejmë Kur'anin të na shtyjë të mendojmë dhe t'i studiojmë të gjithë ato lajme, të cilat i kërkon t'i besojmë. Përkatësisht gjërat e padukshme, për të cilat mendja e njeriut ka mundësi të meditojë dhe të kuptojë të vërtetën lidhur me ato, bie fjala ekzistimin e All-llahut, fillimësinë e gjërave të mundshme, ligjin e kauzalitetit e të ngjashme me këto.

Dijetarët skolastikë u zhytën në hulumtimin e këtyre problematikave kryesisht vetëm nëpërmjet rrugës së logjikës dhe mendimit duke mos vendosur lajmin e vërtetë si ndërmjetësues midis këtyre problematikave dhe vetes së tyre. Këta skolastikë nuk e mbështetën këtë qëndrim si e vetmja rrugë, por vepruan kështu me qëllim që të hapin një rrugë tjetër të hulumtimit për të arritur te bindja, krahas rrugës që kanë e që është lajmi i vërtetë.

Pra, mendimi islam rrugën që e hap deri te besimi në ekzistimin e All-llahut, Njëshmërinë e Tij dhe gjithçka që ka të bëjë me to, e hap në dy rrugë, e që të dyja janë me metoda të përpikta shkencore për të cilat nuk dyshohet:

- Rruga e parë është Vahji (Shpallja hyjnore): Kjo rrugë fillon me fazën e hulumtimit të dukurisë së vahjit, e kur e kalon këtë atëherë i kthehet fazës së studimit për vërtetësinë e arritjes së lajmit dhe atë se sa janë të përmbushur elementet e bindjes në lajmin në fjalë. Kur e kalon edhe këtë atëherë çështja në fjalë arrin shkallën e bindjes dhe vërtetësisë, për shkak të vërtetësisë së premisave të tij (lajmit).

- Rruga e dytë është më e shpejtë dhe çështjen në fjalë e analizon vetëm në dritën e mendimit dhe argumenteve racionale, duke mos shkuar larg për të analizuar pejgamberinë, Kur'anin dhe vërtetësinë e tyre. Që të dy mënyrat hulumtuesin e çojnë deri te bindja e plotë dhe e thellë madje edhe e përforcojnë njëra-tjetrën. Përsa i përket çështjeve për të cilat nuk kemi lajm "mutevatir" bindës e të qartë, mënyra për të arritur deri tek e vërteta për këto raste kufizohet vetëm në analizën racionale e që realizohet në dy mënyra.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...