JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 4
Argumenti i katërt: Fjalët të cilat i ka cituar autori i broshurës nga libri "El-Insaf" të autorit Velijullah Ed-Dehleviut, ku mes tjerash ka cituar edhe këto fjalë: "Kush i merr (imiton) të gjitha fjalët (mendimet) e Ebu Hamfes, ose të gjitha fjalët e Malikit ose te gjitha fjalët e Shafiiut, ose të gjitha fjalët e Ahmedit ose të tjerëve, e nuk mbështetet në Kur'an dhe sunnet, ai padyshim se e ka kundërshtuar ixhmain (konsensusin) e gjithë ummetit dhe nuk iu ka përmbajtur rrugës së muslimanëve".
Themë: Këtë fjalë, në lidhje me imituesin e pa mundur për ixhtihad, absolutisht nuk është vërtetuar se e ka thënë Dehleviu as në librin "El-Insaf", e as në librat tjera të tij. Bile, atë që e ka thënë në më shumë se një vend, është krejtësisht e kundërta e saj.
Velijullah Ed-Dehleviu në librin e trj "El-Insaf" f. 53 dhe në librin "Huxhxhetullahi, El-Baligah" (vëll. -I- f. 132, shtëpia botuese: El-Hajrije) me këtë tekst, thotë: "Këto katër medhhebe të përmbledhura dhe të verifikuara, ekziston ixhma' (konsensus) i ummetit ose i atyre që i pranojnë ato, se lejohet imitimi i tyre deri në ditët e sotme. Në të imituarit e tyre ka shumë dobi që nuk fshehen, sidomos këto ditë kur vullneti i njerëzve është tejet i dobët, kur epshi ka depërtuar në shpirtrat e tyre dhe kur secili që mund të japë ndonjë mendim, i pëlqen mendimi i tij". Unë garantoj se as autori i broshurës e as imituesit e tij nuk kanë mundësi që të gjejnë asnjë rresht që ia kanë mveshur Dehleviut, në asnjërin prej librave të tij!!
Më pas në faqet 124 dhe 125, duke sqaruar se nuk është e ndaluar që të imitohet një imam i caktuar thotë: "... si mund ta kundërshtojë këtë dikush kur dimë se kërkimi i fetvasë dhe dhënia e saj është përdorur në mesin e muslimanëve qysh prej kohës së Muhamedit a.s.. Në këtë kontekst, nuk ka dallim që njeriu të kërkojë fetva vazhdimisht vetëm prej një muxhtehidi ose herë prej këtij e herë prej atij. Si jo, kur kemi bindje se Allahu asnjë fekihut cilido qoftë ai nuk ia ka shpallur fikhun, nuk na e ka bërë obligim nënshtrimin ndaj tij dhe se ai nuk është i pagabueshëm. Nëse imitojmë ndonjërin prej tyre, atë e bëjmë duke pasur bindje se është njohës i mirë i Kur'anit dhe i sunnetit. Fjalët e tij ose janë të marrura prej argumenteve të qarta (sarih) nga Kur'ani dhe sunneti, ose të nxjerrura prej tyre me ndonjë mënyrë prej mënyrave të istinbatit (përfitimit të dispozitës), ose me anë të rrethanave se hukmi në këtë rast është e lidhur me këtë motiv (il-leh), për të cilën i pushon zemra, e në këtë rast bënë analogji (kijas) problemin për të cilin nuk ka tekst me problemin që ka tekst. Sikur që ai thotë: Mendoj se Muhamedi a.s. ka thënë: Sa herë që të gjendet motivi, atëherë hukmi është kështu ... Sikur të mos ishte çështja kështu, atëherë nuk do ta imitonte asnjë besimtar asnjë muxhtehid".
Mendo se në çfarë kundërshtimi bie kjo fjalë të cilën e thotë Dehleviu dhe ajo që ia mveshë autori i broshurës!! Ti, si lexues ke të drejtë që të lexosh librat "Huxhxhetullahi El-Baligah" dhe "El-Insaf" që të vërtetohesh prej fjalëve të tij se si vijnë në përputhshmëri të plotë me atë që e cituam?
Nuk ka dyshim se Dehleviu në këtë rast [1] ka folur rreth ndalimit të imitimit për atë person, i cili ka arritur gradën e ixhtihadit në ndonjë çështje ose në të gjitha çështjet dhe dispozitat. Mirëpo, në këtë rast kjo fjalë është jashtë temës për të cilën jemi duke diskutuar, siç e kemi sqaruar më parë. Është e pamundur që ndonjë i mençur ta përdorë atë si argument për supozimin se ndalohet imitimi në tërësi ose imitimi i një medhhebi të caktuar, për atë person, i cili nuk është muxhtehid. Kjo është diçka e ajo është diçka tjetër. Nuk e di se ç'është motivi për t'i përzier ato.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[1] - Është fjala për tekstin që e ka cituar autori i broshurës (N.R.).