Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.1



Argumenti i pestë: Fjalët të cilat i ka cituar autori i broshurës nga El-Izz ibn Abdiselami, Ibnul-Kajjimi dhe El-Kemal ibn El-Hummami, me të cilat argumenton supozimin e tij se është haram imitimi i një medhhebi të caktuar dhe se duhet që të gjithë njerëzit të marrin drejtpërdrejt prej Kur'anit dhe sunnetit, ose të vazhdojnë të kalojnë prej një medhhebi në tjetrin, pa e imituar ndonjërin prej tyre gjithnjë. Ky supozim ishte shkaku kryesor për shkruarjen e kësaj broshure.

Të gjitha tekstet që i ka cituar prej këtyre dijetarëve, nuk kanë të bëjnë fare me këtë supozim të pavërtetë, për të cilën nuk ka argument. Si mund që këto tekste të jenë argument për diçka të tillë kur dijmë se vetë thënësit e këtyre teksteve iu kanë përmbajtur medhhebeve të caktuara, pa kaluar nga medhhebi i tij në tjetrin!! El-Izz ibn Abdiselami i takon medhhebit Shafiij, Ibnul-Kajjimi medhhebit Hanbeli, El-Kemal ibn El-Hummam medhhebit Hanefij, etj..

Fjalët e këtyre dijetarëve, të gjitha kanë të bëjnë me ato tri çështjet që i përjashtuam nga diskutimi, për të cilat nuk kundërshton asnjë dijetar i drejtë. Ndërsa, të përdoren si argumente për atë që e ëndërron autori i broshurës është e pamundur.

Në fillim do ta cekim atë që e thotë El-Izz ibn Abdiselami: Në librin e tij "Kavaidul-Ehkam" (vëll. -II- f. 135) thotë: "... nuk lejohet që dikush të imitojë atë që nuk është i urdhëruar për ta imituar, siç është rasti me imitimin e muxhtehidit muxhtehidin tjetër ose sahabët. Në këto çështje ka mosmarrëveshje mes dijetarëve. Atyre që kundërshtojnë, ua sjellim ajetin kur'anor: "Gjykimi nuk i takon askujt përpos Allahut, ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër pos Tij". Nga ky rregull përjashtohen njerëzit e rëndomtë. Ata duhet të imitojnë sepse nuk kanë mundësi që t'i njohin dispozitat me anë të ixhtihadit. Muxhtehidi nuk ka të drejtë të imitojë sepse ai është i aftë për të arritur deri te hukmi me anë të ixhtihadit. Ai person, i cili imiton një imam, a ka të drejta nëse dëshiron të imitojë ndonjë imam tjetër në ndonjë çështje? Ka më shumë se një mendim. Ta sqarojmë gjerësisht. Nëse çështja në medhhebin të cilin dëshiron të kalojë tek ai është prej gjërave që prishet në të hukmi, atëherë nuk lejohet të kalohet. Po nëse që të dy mendimet e të dy medhhebeve janë të barabarta, atëherë lejohet imitimi dhe kalimi në medhhebin tjetër, sepse njerëzit prej kohës së sahabëve e deri kur kanë lindur katër medhhebet, kanë imituar dijetarët, pa kundërshtuar askush. Sikur të ishte e papranueshme do të kundërshtonin. Po ashtu nuk është obligative që të imitohet më i miri edhe pse është më mirë, sepse sikur të ishte obligative imitimi i tij, njerëzit nuk do të imitonin në kohën e sahabëve dhe të tabiinëve të mirin dhe më të mirin, pa kundërshtuar askush, por ishin tolerant në imitimin e të mirit dhe më të mirit. As më i miri nuk i thirrte që të gjithë ta imitojnë atë e as i miri nuk i ndalte njerëzit që ta pyesin atë në prezencën e më të mirit. Kjo është prej gjërave që nuk dyshon asnjë i mençur".

Tekstin e citova në tërësi pa e lënë anësh asnjë shkronjë që ta dish se atë që e thotë ky dijetar është në kundërshtim të plotë me atë që ia mveshë atij autori i broshurës. El-Izzi rahimehullah njerëzit e rëndomtë i obligon që të imitojnë, ndërsa autori i broshurës i obligon që të imitojnë atë që nuk gabon e të lënë atë që gabon, siç u cek më herët. El-Izzi rahiimehullah është i mendimit se imituesi në" esencë duhet të imitojë një imam (medhheb) të caktuar.

Mandej, gjerësisht flet se a ka të drejtë që të kalojë prej një medhhebi në tjetër nëse dëshiron. Tregon se për këtë çështje ka më shumë se një mendim. Ai personalisht anon kah ajo se lejohet (jo obligohet), me kushte. El-Izzi rahimehullah nuk është i mendimit se ndalohet imitimi i një medhhebi të caktuar pa kaluar në tjetrin, ndërsa autori i broshurës e bënë obligim kalimin prej një medhhebi në tjetrin. Çudia e gjithë çudirave është se El-Izzit i mveshen disa gjëra, ndërsa ai e thotë të kundërtën e tyre. [1]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Shih fillimin e faqes 13 të broshurës. Nuk e di për çka "komisioni i caktuar" me rastin e sqarimit të këtyre të vërtetave dhe pastrimin e El-Izz ibn Abdiselamit prej shpifjeve që i janë mveshur, ka heshtur dhe atë e ka zëvendësuar vetëm me fyerje dhe sharje?!

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...