Banner

Ç'thonë argumentet hyjnore? 3



h). Ngjarjet e ditës së gjykimit janë të shumta dhe të tmerrshme. Rreth një e treta e Kur'anit i përshkruan ato dhe shpjegon rëndësinë e tyre. Nga më të rëndësishmet ngjarje janë:

- Dhënja llogari: Është e sigurt që Allahu xh.sh. do të kërkojë llogari prej të gjithë njerëzve përnjëherë. Dhënja llogari është e bazuar në drejtësi të plotë, kështu që askush nuk do të dëshmojë për ndonjë ngarkesë apo mëkat të tjetrit. Secili do të jetë bartës vetëm i rezultateve të punës së tij dhe të askujt tjetër. Origjina për këtë janë fjalët e Allahut xh.sh.: "Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (atë që vepruan) e tij, e ditën e gjykimit, ne do t'ia shfaqim atij libër të hapur", (El-Isra:13).

D.m.th. nuk do t'i ngarkohet asnjë njeriu fatkeqësia e tjetrit, pasi ajo ka zanafillën dhe pronarin e saj. E vetëm ai do të bartë rezultatet dhe efektet. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. thotë: "Dhe asnjë mëkatar nuk do të bartë mëkatin e tjetrit, po edhe nëse të ngarkuarit me mëkate thërrasin që t'u barten, ajo asgjë nuk do t'i bartet atij, edhe nëse (ai që thirret) është i afërt i tij", (Fatir:18).

Dhe gjithashtu: "Sot secili njeri shpërblehet me atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, Allahu llogarit shpejt", (Gafir:17).

- Peshorja: Bazat e kësaj janë fjalët e Allahut: "Ditën e gjykimit do të vëmë peshoja të drejta, e askujt asgjë nuk i bëhet e padrejtë, edhe nëse ajo (vepra) është sa peshoja e një kokrre të melit, atë do ta sjellim. Mjafton që Ne jemi llogaritës", (El-Enbija:47).

Dhe nuk e di askush karakteristikën dhe madhësinë e kësaj peshoreje, pos Allahut xh.sh.. E kështu do të vendosen në të, të mirat e të këqijat tashmë të materializuara dhe cilësuara me peshërëndesën përkatëse.

- Shtegu (Ura): Një nga argumentet që na njeh me këtë është ajo që Allahu i Lartmadhërishëm thotë: "Po të donim, Ne do t'ua verbonim sytë e tyre, e ata do ta mësynin rrugën, po si do të shihnin?", (Ja-Sinë:66).

I Dërguari i Allahut xh.sh. gjithashtu thotë: "Pastaj sillet ura që është varur mbi grykën e xhehenemit".

Kështu, njerëzit që të gjithë do të paraqiten-rreshtohen mbi këtë urë dhe detyrohen për ecje-marshim mbi të. Dhe prej tyre disa të cilëve u zgjerohet ura nën këmbë në ecje e sipër, dhe iu jepet fuqi e madhe në shpejtësinë dhe kalimin mbi të. Ka të tjerë, të cilëve iu ngushtohet rruga para syve dhe poshtë këmbëve të tyre, aq sa do të bëhet më e hollë se fija e flokut sikurse i Dërguari tregon (në bazë të një hadithi të vërtetë) se shumë prej tyre bien nga e majta ose e djathta, kurse të tjerët ia dalin mbanë të arrijnë në xhenet.

i). Si përfundim, një prej dyve është fati i njeriut: ose lumturi e përhershme e trupit dhe shpirtit, që Allahu xh.sh. e përshkruan kur thotë: "Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë ç'u dëshiron shpirti dhe ç'u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë", (Ez-Zuhruf:71).

Ose një botë me tortura dhe dhimbje të mëdha të trupit dhe shpirtit që Allahu e përshkruan: "E të majtit, ç'është puna e të majtëve? Janë në vapë të zjarrit e në ujë të valë. Dhe në errësirë nga tymi. As e freskët e as e këndshme", (El-Vakia:41-44).



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Afrim TAHIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Hyrje në të kuptuarit e esencës - Kush jam? Përse? Dhe për ku?".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...