Banner

Ç'thonë argumentet hyjnore? 4



j). Afrimi i ditës së gjykimit ka shumëlloj shenjash dhe paraqitjesh. Ndër më të rëndësishmet është zbritja e Isas a.s. i cili nuk është vrarë dhe as që ka vdekur. Kjo në përputhshmëri me atë që vërteton sqarimi Hyjnor në Kur'an më shumë se një herë. Allahu xh.sh. atë e ngriti prej atyre që u përpoqën ta vrasin. Pastaj Ai bëri njërin prej tyre shembëlltyrë ekzakte të Isaut. I Lartmadhërishmi bëri zbritjen dhe shfaqjen e Isaut a.s. shenjë nga shenjat e afrimit të momentit, sikurse e bëri shfaqjen e tij përforcim të njësisë së fesë dhe njësisë së Allahut xh.sh. ai do të gjykojë me Kur'an dhe sunnetin e Muhamedit a.s. dhe atë botë të gjitha sektet do të grumbullohen në të vërtetën. [7]

Pastaj atë e vdes Allahu në përshtatje me vendimin e tij të padiskutueshëm: "Ti do të vdesish, e edhe ata do të vdesin", (Ez-Zumer:30).

Feja e vërtetë që Allahu ua ka detyruar robërve të tij, përbëhet nga imani-besimi, islami-dorëzimi me përulje dhe ihlasi-mirëdashja. Besimi ka thelb arsyen në sigurinë shpirtërore. Ai është i përfaqësuar nga bindja në Allahun xh.sh., në engjujt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në botën e ardhshme dhe në Kaderin - qoftë i mirë ose jo.

Ndërsa pozita dhe të manifestuarit e islamit është pjesa e jashtme e qenies njerëzore, që përfaqësohet me të deklaruarit e dëshmisë se s'ka Zot tjetër pos Allahut xh.sh. dhe se Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij, të zbatuarit dhe të dorëzuarit vendosshmërisht në faljen e namazit, dhënjen e zekatit, agjërimin në muajin e ramazanit si dhe vajtjen në haxh (nëse është brenda mundësive materiale dhe fizike të njeriut).

Islami i posedon ndikimet e veta në mënyrë të pavarur dhe të shkëputur nga besimi, por kjo vetëm në jetën e kësaj bote. Kështu që, çdo musliman trajtohet si musliman dhe besimtar në këtë botë pa ndonjë ndarje mes tij dhe të tjerëve. Ndërkohë që edhe islami edhe besimi janë korrelative të bashkëlidhur kur bëhet fjalë për llogarinë që Allahu xh.sh. do t'ua bëjë robërve të Tij ditën e gjykimit.

Domethënë, në ditën e gjykimit asnjë musliman pa besim në zemër nuk do të shpëtojë siç s'do të shpëtojë asnjë besimtar nëse nuk i është nënshtruar konditave të islamit, ose nëse ai nuk e ka deklaruar dëshminë e islamit nga kryeneçësia dhe mendjemadhësia. Ama nëse mosshprehja e nënshtrimit të tij ka ndodhur nga frika e diçkaje që e ka kërcënuar atë, apo për ndonjë arsye tjetër që nuk ka të bëjë me kryeneçësinë dhe mendjemadhësinë, atëherë ai nuk përjashtohet nga besimtarët musliman dhe Allahu xh.sh. ia fal atij këtë, ngaqë zemra e tij ka qenë e mbushur me besim.

Ihsani sipas asaj që i Dërguari a.s. tha për të është: "Të adhuruarit e Allahut, si të ishte duke e parë Atë, se edhe pse ti nuk e sheh, të sheh Ai ty". [8]

Nuk ka dyshim se kjo gjendje është një shkallë e ngritjes së njeriut mbi bazat e besimit dhe islamit. Në këtë rast bindja e tij mendore i kapërcen ndjenjat dhe përhapet kudo në katrorin e shpirtit të tij. Pastaj ndeshet me komponentët e universit dhe të shikuarit e tij në ta që më parë e privonte në të krijuarit e Allahut të Lartësuar, tash i bëhet përkujtues i Tij. E kështu, ai nuk vëren tjetër gjë nga paraqitjet e llojllojshme të krijesave të ndryshme, pos asaj që manifeston cilësitë e Allahut të Lartësuar dhe argumentet e njësisë së Tij.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Afrim TAHIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Hyrje në të kuptuarit e esencës - Kush jam? Përse? Dhe për ku?".

[7] - Shfaqja e tij nuk kundërshton atë se Muhamedi a.s. është i Dërguari i fundit, meqë shpallja për të do të jetë ndërprerë, andaj paraqitja e tij nuk do të jetë si i dërguar, por si njeri i zakonshëm.
[8] - Transmetoi Muslimi dhe Tirmidhiu në librin "el-Iman", Ebi Davudi në librin "es Sunne" dhe En Nesaiu në librin "el-Iman ".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...