JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 9
Paramendo, vëllai im i dashur: Kjo është fjala e El-Hafidhul-Kebir Shemsudin Edh- Dhehebiut, nxënësi i imam Ibn Tejmijes. I lavdëron fukahatë e katër medhhebeve dhe i përmbanë në imitimin e imamëve në ixhtihadet e tyre. I lavdëron ata me fjalët që i dëgjove duke ua tërhequr vërejtjen me plot drejtësi që të mos fanatizohen e të konsiderojnë mendimin e imamit të medhhebit më të fortë se argumenti i qartë.
Këto ishin Tabakatët e dijetarëve të shafiive, malikive, hanelive dhe hanbelive, si dhe ai ishte realiteti i tabiinëve dhe i sahabëve siç sqaruam më parë. E gjithë kjo dëshmon qartë se nuk është dëm e as mëkat imitimi i një medhhebi të caktuar, përderisa nuk ka bindje se Allahu e ka angazhuar me imitimin e këtij personi. Këtë gjë e kundërshtojmë ne dhe e kundërshtojnë të gjithë muslimanët. [12]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[12] - Gjithë këtë që e thamë, a nuk është argument se në mesin e sahabëve, tabiinëve dhe atyre që kanë ardhur pas tyre ka pasur që kanë imituar një imam ose një medhheb të caktuar pa hequr dorë prej tij, si dhe imitimi i një medhhebi është çështje e lejuar që nuk ka diçka që e ndalon. Bile është vërtetuar e kundërta e asaj që e ndalon, e ajo është se vetë sahabët, tabiinët dhe ata që kanë ardhur pas tyre e kanë bërë një gjë të tillë.
Pas gjithë kësaj, thënia se imitimi i një imami ose medhhebi të caktuar është haram, a nuk konsiderohet bid'at (risi) në fe?
Megjithatë, shejh Naseri në diskutimin që patëm mes nesh dhe atij, na pyet për argumentin se jomedhhebizmi është bid'at si dhe për argumentin se në mesin e sahabëve dhe tabiinëve ka pasur njerëz që kanë imituar një medhheb të caktuar.
Unë e pyes: A e ke lexuar librin? Ai përgjigjet: Po, inshaellah. Nuk e dimë se shprehja "inshaellah" a është për ta'lik (me qëllim që realizimin e veprës ta mbështesë tek Allahu) apo për bereqet.
E ka lexuar librin "inshaellah" dhe nuk ka gjetur se vetmimi i Ata' ibn Ebi Rebahut dhe Muxhahidit për fetva në Meke pa kundërshtimin e askujt, është argument se ka pasur konsensus për lejimin e imitimit të një medhhebi të caktuar si dhe thënia pas kësaj se është haram një gjë e tillë konsiderohet bid'at dhe thënie të cilën nuk e ka lejuar Allahu.
E ka lexuar librin "inshaellah" dhe nuk ka gjetur në imitimin e banorëve të Irakut medhhebin e Ehlur-ra'jit, të përfaqësuar nga Abdullah ibn Mes'udi dhe nxënësit pas tij, asnjë argument për lejimin e një gjëje të tillë dhe ndalimin e të kundërtës. Po ashtu nuk ka gjetur në imitimin e banorëve të Hixhazit medhhebin e Ehlul-hadithit të përfaqësuar nga Abdullah ibn Omeri, nxënësit dhe shokët e tij më pas, argument për të njejtën!
E ka lexuar librin dhe nuk ka gjetur në imitimin e miiiona njerëzve ndonjërin prej imamëve të katër medhhebeve argument që përforcon konsensusin e mëparshëm, se imitimi i muslimanit të medhhebit e të ndonjë imamit të caktuar nuk është as haram, as mekruh e as bid'at.
Pas gjithë kësaj, nuk ka dyshim se injorimi i të gjitha këtyre argumenteve të qarta dhe thënia se imitimi i një medhhebi të caktuar është haram, konsiderohet bid'at i pabazë në fe. Po ashtu thirrja në jomedhhebizëm duke u bazuar në të është bid'ati më i rrezikshëm që i kërcënon sheriatin islam, sidomos në këtë kohë kur shumica e njerëzve pasojnë epshet e tyre.