JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 7
Aspekti i dytë: Ne themi se: ekzistojnë dhjetë kiraete mutevatire nga i Dërguari i Allahut me të cilat lexohet Kur'ani. Për secilin prej këtyre kiraeteve është kujdesur ndonjë imam i caktuar. E ka transmetuar atë, ka lexuar me të, ua ka lexuar njerëzve dhe e kanë mësuar nxënësit atë prej tij. Është vërtetuar se muslimani mund të lexojë me cilindo prej këtyre kiraeteve, sikur që është vërtetuar se muslimani që nuk ka mundësi për ixhtihad imiton cilindo prej katër medhhebeve. Pra, muslimani a e ka për obligim në çdo rast të lexojë me kiraet të ri, në atë mënyrë që e ka haram t'i përmbahet gjithnjë një kiraeti pa kaluar në tjetrin?!
Këtë fjalë a e ka thënë dikush prej muslimanëve qoftë në të kaluarën apo në të tashmen? Vetë autori i kësaj broshure a e lexon Kur'anin çdo ditë me kiraet të caktuar, ndryshe prej atij që e ka lexuar dje?
Ç'është dallimi mes imitimit të imamëve të fikhut në çështjet sekondare të fesë (furuud-din) dhe imitimit të imamëve të kiraeteve në leximin e Kur'anit? Për çka imituesi i grupit të parë e ka për obligim ta ndryshojë imamin, ndërsa imituesi i grupit të dytë nuk e ka për obligim ta bëjë atë?
Disa prej tyre mund të thonë se është e mundur që muslimani të mos ketë mundësi që të mësoj me shumë se një kiraet dhe se nuk ka mundësi që t'i mësojë kiraetet tjera. Ne, të njejtën e themi në imitimin e medhhebeve, se muslimani nuk ka pasur mundësi të mësojë më shumë se medhhebin e një imami prej katër imamëve dhe nuk ka mundësi që t'i mësojë medhhebet e imamëve të tjerë në atë që i nevojitet prej dispozitave. Për çka ia arsyetojmë të parit e nuk ia arsyetojmë të dytit?
Megjithatë, çështja nuk është çështje arsyetimi ose mosarsyetimi, por është çështje që bazohet në argument.
Nuk kemi argument që obligon kalimin prej një medhhebi në tjetrin e as imitimin e një medhhebi gjithnjë. Kjo vlen edhe për imamët e kiraeteve edhe për imamët e fikhut. Vendimi, pra në të dy rastet është i njëjtë.
Aspekti i tretë: Kaloi periudha e sahabëve dhe pas tyre periudha e tabiinëve. Më pas erdhi periudha e katër imamëve dhe periudha që pason. Nuk kemi dëgjuar që ndonjë imam prej imamëve të këtyre kohërave ia ka tërhequr vërejtjen imituesve të imamëve dhe muftive nëse imitojnë një imam ose mufti të caktuar. Po ashtu nuk kemi dëgjuar që ndonjëri prej tyre i ka urdhëruar njerëzit që të kalojnë prej një imami në tjetrin duke imituar secilin prej tyre në ndonjë periudhë të caktuar.
Bile, atë që e dimë është e kundërta e saj. Kemi njohuri se Halifeja (kryetari i muslimanëve. N.R.) e publikonte emrin e imamit që ia besonte postin e muftiut dhe në atë vend që gjendej muftiu i urdhëronte njerëzit që ta pyesin dhe ta imitojnë në çështjet e fesë. Ndoshta ndodhte edhe ajo që Halifeja të ndalojë dikë tjetër që të japë fetva para njerëzve, që të mos ndodhë huti në mesin e tyre për shkak të fetvave të ndyshme që mund të ndodhnin.
Ata' ibn Ebu Rebahi dhe Muxhahidi ishin të vetmit që jepnin fetva në Meke. Një njeri i caktuar nga ana e halifes bërtiste që të mos japë fetva para njerëzve pos njërit prej këtyre dy imamëve. [10]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[10] - Shih: Shedheratudh-dheheb të Ibnul-lmad, 1/148.