Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 7



Argumenti i shtatë: Thënia e autorit të broshurës: "I thuhet imituesit: Në çfarë gjendje kanë qenë njerëzit para se të gjendet filani dhe filani, të cilët i keni imituar dhe i keni konsideruar thëniet e tyre të të njëjtit nivel me atë të Kur'anit dhe të sunnetit. Njerëzit para ekzistimit të tyre a kanë qenë në humbje (dalalet) apo udhëzim (hidajet)? Është patjetër që ata të pranojnë se kanë qenë në hidajet. Atëherë u thuhet atyre se çka kanë bërë ata përpos se e kanë përcjellur Kur'anin, sunnetin dhe gjurmët e sahabëve, si dhe i kanë dhënë përparësi fjalëve të Allahut, të Dërguarit të Tij dhe gjurmëve të sahabëve para atyre që i kundërshojnë. Po ashtu kanë nxjerrë dispozitat prej tij e jo prej filanit dhe filanit që kanë folur me mendjen e tyre. Nëse ky është hidajeti, atëherë pas hidajetit nuk ka pos dalaletit. Për çka largohen prej të vërtetës?!", (broshura, f. 38).

Duke zbuluar këtë argument të çuditshëm, përgjigjemi në vend të imituesit, të cilin e pyet autori i broshurës këtë pyetje dhe themi: 'Njerëzit para se të gjendeshin filani dhe filani bënin ashtu siç thotë Ibn Halduni në pjesën të cilën je mbështetur ti vetë në fjalët e tij'. A nuk ka thënë Ibn Halduni në të njejtin vend: "... të gjithë sahabët nuk kanë pasur aftësi për të dhënë fetva e as që merreshin dispozitat e fesë prej të gjithëve. Kjo ishte e veçantë për njohësit e Kur'anit, që i njihnin ajetet deroguese dhe te deroguara, të qarta dhe të paqarta dhe të gjitha kuptimet e tij". Çfarë domethënie ka kjo thënie e qartë?

Nëse pranojmë se ata që kanë pasur mundësi për fetva dhe ixhtihad prej sahabëve kanë qenë një grup i kufizuar që janë dalluar në mesin e tyre dhe se të tjerët kanë qenë nën këtë gradë, atëherë këta të tjerët prej kujt i kanë marrë dispozitat e fesë? Nuk ka dyshim se dispozitat e fesë i kanë marrë prej këtij numri të kufizuar që dalloheshin prej tyre për nga aftësia për ixhtihad dhe istinbat (nxjerrje të dispozitave). Atëherë imitimi a është diç tjetër pos kësaj?!

Pra, çështja nuk ka ndryshuar mes dy periudhave. Njerëzit e rëndomtë në kohën e sahabëve imitonin ata që ishin të njohur dhe kishin aftësi për fetva dhe ixhtihad. Të njejtën e bënin në kohën e tabiinëve. Po ashtu edhe në periudhën që pason. Ebu Hanifeja, Shafiiu, Maliku dhe Ahmedi nuk janë diç tjetër pos një grup prej këtyre muxhtehidëve që u lejohet njerëzve të rëndomtë t'i imitojnë ata, sikur që i është lejuar njerëzve të rëndomtë para tyre që t'i imitojnë muxhtehidët e kohës së tyre, po ashtu sikur që u është lejuar njerëzve të rëndomtë prej sahabëve që t'i imitojnë muxhtehidët e tyre sikur që ishin Ibn Abbasi, Ibn Mes'udi, Zejd ibn Thabiti, hulefairr-rrashidinët, etj..

A nuk ekziston konsensus nga ana e të gjithë dijetarëve të historisë dhe të historisë së të drejtës së sheriatit, se në periudhën e tabiinëve kanë ekzistuar dy medhhebe të mëdha: 'medhhebi i ehlul-hadith (tradicionalistëve) në Hixhaz dhe medhhebi i ehlir-ra'ji (racionalistëve) në Irak'. Të gjithë banorët e rëndomtë të Hixhazit kanë imituar medhhebin që dominonte tek ata dhe të gjithë banorët e rëndomtë të Irakut kanë imituar medhhebin që dominonte në mesin e tyre. Po ashtu ky medhheb ka pasur prijësit e tij po edhe medhhebi tjetër ka pasur prijësit e tij?!

Çfar ka ndodhur që kundërshton këtë realitet me lindjen e katër medhhebeve? Nuk ka ndodhur diç e re. E gjithë ajo që ka ndodhur është se imamët e katër medhhebeve kanë caktuar metodologji për nxjerrjen e dispozitave, metodologji të cilën e kanë nxjerrur nga argumentet e Kur'anit dhe sunnetit. I kanë caktuar kriteret për përdorimin e ra'jit (logjikës) dhe kijasit (analogjisë) të drejtë dhe e kanë dalluar nga ra'ji dhe kijasi i papranuar.

Me anë të kësaj janë bashkuar të dy medhhebet: 'ai i ra'jit dhe ai i hadithit dhe në mënyrë graduale janë zhdukur gabimet e të dy palëve'. Kjo ishte ndër motivet kryesore që i mundësuan katër medhhebeve një pozitë të lartë si dhe njerëz të grupeve dhe klasave të ndryshtne t'i imitojnë ato. Ky realitet është i njohur, mendoj se nuk ka nevojë për ta argumentuar.

Pra, çfarë ndryshimi ndodhi në esencën e ixhtihadit dhe teklidit (imitimit) që autori i broshurës të ketë të drejtë të thotë: 'Në çfarë gjendje kanë qenë njerëzit para se të gjendet filani dhe filani'. Ai me këtë mendon se e ka hedhur kundërshtarin në një rrugë që nuk ka rrugëdalje prej saj?!

Në çfarë dalaleti kanë ra imituesit e katër medhhebeve, kur ata nuk kanë bërë diçka tjetër pos asaj që e kanë bërë imituesit e medhhebit të ra'jit ose të hadithit para tyre, ose sikur ata që i kanë imituar imamët dhe muxhtehidët e sahabëve më parë?!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...