Metodat e studimit te shkencëtarët muslimanë
Përpunimi i kësaj metode shkencore te dijetarët muslimanë bazohet në një rregull të artë që nuk e kanë të tjerët e ajo është: "Nëse je përcjellës (që trasmeton diçka) duhet të jesh i saktë, e nëse ofron ndonjë tezë (pohon diçka) duhet të ofrosh argument".
Themi kështu sepse lënda e hulumtimit gjithmonë ose është lajm i përcjellur (transmetuar) ose është pikëpamje e supozuar. Kur është fjala për lajmin, kërkimi duhet të jetë i kufizuar rreth shqyrtimit të përkatësisë midis lajmit dhe burimit të tij, sepse saktësia e përkatësisë së këtij lajmi në këtë rast është çështje e debatit, pikërisht a është i besueshëm apo i dyshimtë. E kur të hiqet dyshimi, atëherë nga ky lajm buron një e vërtetë shkencore e caktuar, por me kusht që të ketë domethënie të prerë.
Ndërkaq kur është fjala për tezën, na duhet të theksojmë se ajo duhet të mbështetet në argumente shkencore të harmonizuara me të, e të cilat kanë për detyrë të shpalosin shkallën e vërtetësisë të kësaj teze.
Çdo lloj i këtyre tezave, ka llojin e argumenteve shkencore që i përket llojit të vet dhe nuk mund të zëvendësohet me ndonjë tjetër. Pra, tezat që kanë të bëjnë me natyrën e gjërave materiale dhe me thelbin e saj nuk mund të vërtetohet vetëm se me argumente shkencore-eksperimentale e lëndore. Ndërsa tezat që kanë të bëjnë me abstraksionin si: numrat, logjika, çështjet psikologjike dhe ato shpirtërore, këto nuk pranojnë argumente të tjera përveç argumenteve të tyre legjitime e të padiskutueshme.
Kurse çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, jurisprudencën dhe kodet penale, për to vlejnë vetëm provat dhe faktet, për të cilat janë dakord të gjithë se duhet të merren parasysh. Kështu teza nuk mund të jetë argument shkencor i qëndrueshëm pa u shoqëruar me argumentin që i përket (llojit të vet). Prandaj, argumenti që ofrohet për ndonjë tezë nuk mund të gëzojë vlerë shkencore nëse ndërmjet tij dhe tezës nuk ekziston përputhje në natyrë dhe lloj.
Duke patur parasysh këto që thamë më lart, shtrohet pyetja se cila është metoda shkencore, të cilën e kanë ngritur dijetarët islamë për të vërtetuar përkatësinë ndërmjet lajmit dhe burimit si dhe për të shqyrtuar vlerën shkencore që ka të bëjë me tezën ashtu siç e sqaruam më parë.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".