Femrës që beson Allahun Fuqiplotë - Parathënia e botimit të dytë 1
Shpesh ndodh, që e dëmshmja të bëhet e dobishme, pra ndodh që ndonjë punë të ketë qëllim diçka por del e kundërta.
Një shkrimtar i njohur në një revistë që ka publicitet të madh e që është tepër e njohur, bëri thinje për të shembur atë që Sheriati Islam e ngriti midis burrit dhe gruas e që ka të bëjë me normat e përzierjes së saj me njerëzit, çështjen e mbulesës (perçen), drojës dhe dëlirësisë që ajo duhet ta ketë.
Që ai të arrijë qëllimin e vet filloi të hedhë argumente përplot shtrembërime dhe paqartësi. Ata (shkrimtari dhe revista) këtë e bëjnë me qëllim që t'i largojnë njerëzit nga vendi ku ngërthehet e vërteta.
Por efekti i këtij tentimi nuk doli ashtu siç e priti dijetari (hoxha) që e shkroi artikullin dhe as siç e priti revista e cila botoi dhe publikoi këtë. Një gjë e tillë bëri që myslimanet për këtë çështje të jenë edhe më tepër të kujdesshëm si dhe të shohin më mirë lëshimet që i kanë bërë ndaj Allahut ndaj një çështjeje kaq të rëndësishme.
Kurse masa dërmuese e vajzave dhe e grave të sinqerta myslimane bënë kthim dhe kuptuan vërtetësinë e vendimit të pakontestueshëm të Allahut, për çështjen e gruas e që ka të bëjë me mbulesën, drojën, turpin dhe raportet e saj me burrat. Madje ato me lemeri dhe drithmë u krodhën në mendim për shkak të largësisë që gjendet midis tyre, sheshit Islam dhe rrethit të edukatave islame.
Shkrimtarët myslimanë (Allahu xhel-leshanuhu i udhëzoftë dhe i shpërbleftë me shpërblime të mëdha) në shumicën e vendeve arabe botuan hulumtime dhe fletushka për të treguar të vërtetën që libri i Allahut e theksoi, që Sunneti i të Dërguarit e shpjegoi dhe për atë që dijetarët prijës janë në ujdi. Pra edhe kjo fletushkë e imja, nuk është tjetër vetëm se një pjesëmarrje modeste në këtë.
Ndikimi i thinjes së sinqertë për t'iu nënshtruar të drejtës (të vërtetës, hakut), shumë shpejt dhe në mënyrë të ndërsjellë u manifestua si për nga përputhshmëria me të ashtu edhe nga nënshtrimi, simpatia dhe kthimi drejt saj. Gjithmonë e drejta ka shenjë dalluese me të cilën njihet.
Këtë e vëren ai që është i sinqertë në kërkimin e së drejtës si dhe ai që me korrektësi është nisur drejt saj që ta kuptoj atë. Nga ana tjetër e padrejta gjithmonë mban në vete paqëndrueshmëri (dobësi) e dredhi, këtë e heton ai që ka shikim të mprehtë, sado që ajo të mbulohet me pretekste të drejtës apo të këshillës.
Gjithmonë e drejta komunikon dhe konsultohet me mendjen, kurse e padrejta gjithmonë përpiqet të depërtojë e të arrijë tinëzisht te dëshirat epshore ... E drejta komunikon me njerëzit duke u mbështetur në argumentet dhe faktet e lira, ndërsa e pavërteta për të arritur në zemrat e njerëzve, ndihmohet me karikatura tallëse, me shtrembërime apo me fotografi të felliqura ...
Ndoshta epshit e drejta i duket e rëndë por kundruall kësaj e drejta karakterizohet me madhështinë se është e pastër dhe në vete nuk mban asnjëfarë interesi misterioz ose dëshirë për urrejtje të fshehur. Kurse e padrejta, ndoshta epshit mund t'i vijë e lehtë (dhe joshëse), por kundruall kësaj, e padrejta në vetvete mban fshehur interes misterioz dhe nga ana tjetër në përfundim arrin me intriga dhe gënjeshtra.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".