Islami nuk pranon imitim të çoroditur 2
Allahu xh.sh. na ka obliguar ne me këtë fe që të jemi të nderuar, të lartë dhe të respektuar, e kurrsesi të ulur dhe të poshtëruar. Mandej, nëse ti nuk ke mundur ta kuptosh prej ligjeve të Allahut xh.sh dhe parimeve islame se ato nuk janë gjë tjetër veçse tradita, atëherë ky është faji i yt dhe është kundër favorit tënd, sepse ti si intelektual nuk ke mundur të bësh diferencën linguistike në mes traditës dhe parimit. Mu për këtë arsye, ata të cilët i konsiderojnë parimet islame si tradita dhe zakone largohen shumë shpejt nga këto parime.
E nëse ata i konsiderojnë ligjet e Allahut xh.sh. si parime, obligime dhe status jete dhe nëse këto ligje aplikohen dhe zbatohen ashtu si kërkon krijuesi ynë, Allahu xh.sh., atëherë popullit do t'i sigurohet rehatia dhe kënaqësia në këtë jetë, ndërsa po qe se populli i lë anash dhe nuk i përfill këto obligime hyjnore, atëherë padyshim se kjo gjë do t'u sjellë atyre jo rehati dhe mizori në këtë jetë. Prandaj kush i ka kuptuar këto parime si ligje të Allahut xh.sh., ai është më i devotshmi dhe më afër Allahut xh.sh..
Lufta ideologjike kundër muslimanëve zhvillohet në shumë mënyra dhe në shumë metoda, dhe njëra nga mënyrat është edhe kjo dukuri negative, pra që ligjet dhe parimet e Allahut xh.sh. të reklamohen dhe të komentohen para masës muslimane se nuk janë gjë tjetër veçse një grumbull zakonesh apo traditash që kanë trashëguar prindërit tanë nga gjyshërit e tyre.
Ato vazhdojnë të propagandohen në këtë mënyrë me qëllime dhe synime të shumta, derisa të kalojë një kohe e gjatë dhe njerëzit fillojnë të harrojnë që në realitet ato janë ligje dhe parime që bazohen në logjikë të shëndoshë dhe në argument.
Si pasojë, armiqve të Islamit u lehtësohet sulmi dhe luftimi i ligjeve të Allahut në emër të lirisë (dhe të demokracisë, sh.p) me titullin 'lultimi i traditave', kur populli po angazhohet të gjejë lirinë. E që muslimanët të mos bien në kurthin e tyre, ata duhet ta dinë dhe të përkujtojnë gjithmonë se ligjet e Allahut xh.sh. janë parime hyjnore dhe se mu për këtë arsye Kur'ani e ka ndaluar imitimin e të tjerëve dhe i ka ndaluar etërit tanë që t'i trashëgojnë dispozitat e fesë nga të tjerët. Ato që janë në përputhje me fenë duhet t'i marrin, ndërsa ato të cilat janë në kundërshtim me fenë duhet të lihen anash.
Duhet të dimë edhe një gjë me rëndësi të madhe: dispozitat e Allahut xh.sh, me të cilat jemi të ngarkuar, qoftë në aspektin doktrinar të besimit apo në aspektin social dhe njerëzor, kanë për qëllim që ta rregullojnë jetën tonë në këtë botë dhe që ta përfitojmë kënaqësinë e Allahut xh.sh. në botën tjetër, e kurrsesi nuk guxojmë që ato ligje t'i quajmë tradita të trashëguara nga stërgjyshërit.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".