Islami nuk pranon imitim të çoroditur 1
Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë thotë: "E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë, (ata do t'i pasonin)?", [El-Bekare:170].
Ky ajet, dhe shumë ajete të tjera të Kur'anit, i kritikon ata të cilët e kanë marrë imitimin e të tjerëve si program të jetës së tyre. Ky ajet i ndalon në veçanti muslimanët nga kjo vepër d.m.th.: imitimi i të tjerëve në mënyrë të verbër dhe të çoroditur, duke mos e peshuar atë vepër apo atë sjellje me peshoren e së vërtetës (hakkut) dhe të drejtësisë islame, (Kur'anit dhe sunnetit, sh.p.).
Duke u bazuar në atë që u tha më lart, është marrë vendim i prerë nga dijetarët islamë se imitimi i të tjerëve në çështje të besimit (akides) nuk pranohet dhe nuk lejohet, dhe se besimi i atij, i cili thotë se unë jam besimtar për arsye se e kam familjen besimtare ose ambienti në të cilin jetoj ma obligon atë, nuk është i vërtetë dhe i qëlluar, ashtu si e kërkon Allahu xh.sh..
Duke u nisur nga ky realitet, ata të cilët obligimet fetare si p.sh. namazi, agjërimi, haxhi dhe vlera të tjera të moralit Islam, i quajnë tradita fetare islame, ata kanë gabuar dhe janë shmangur nga rruga e drejtë, sepse fjala traditë në terminologjinë e linguistikëve dhe sociologëve nënkupton një grumbull zakonesh të cilat baballarët i kanë trashëguar prej stërgjyshërve, ose zakonet e përfituara nga një shoqëri ose popull i huaj si pasojë e kontaktit të afërt me ta.
Ndërsa ligjet e Allahut xh.sh. nuk janë të këtij lloji. Ato janë parime të larta hyjnore për interesin e njerëzisë, për të mirat e kësaj jete dhe të ahiretit.
Mençuria (hikmeti) e kësaj ndalese, që mos t'i emërojmë parimet islame me emrin tradita, është e qartë dhe e ditur, sepse kjo bie në kundërshtim me autoritetin dhe nderin e njeriut dhe logjikën e tij të shëndoshë, me të cilën Allahu xh.sh. e ngriti njeriun lart mbi krijesat e tjera.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".