JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.3
Pas kësaj, Ibnul-Kajjimi gjerësisht ka folur për mëkatin e llojeve të imitimit të papranuar, ku ka harxhuar afër njëqind faqe. Me sa duket, se ai pas kësaj fjale të gjatë ka harruar të kthehet për të folur për llojin e dytë e ai është imitimi obligativ, për të cilin kishte premtuar se do të flasë. Pas kësaj kishte kaluar që të folë për tekstet kur'anore dhe hadithet dhe se është e ndaluar të jepet fetva me diçka që vjen në kundërshtim me to, si dhe kishte folur për pozitën e sunnetit prej Kur'anit.
Kush thellohet në temat e Ibnul-Kajjimit në librin "E'lamul-Muvekiin" dhe duron në leximin e tyre dalëngadalë me kuptim, do të vërejë gjëra të çuditshme të këtij lloji. Ai ndonjëherë e ndanë temën në disa pjesë, mandej fillon t'i sqarojë disa prej këtyre pjesëve duke i komentuar gjerësisht. Mandej tërësisht kalon në ndonje temë tjetër pa i cekur pjesët e mbetura të temës së parë, siç është rasti këtu. Ndonjëherë bie në kundërshtim të çuditshëm, siç është rasti me bisedën e tij të gjatë rreth hileve dhe dispozitave të saj.
Sidoqoftë, në një vend tjetër të librit, njeriu ka folur për obligueshmërinë e imitimit për atë që nuk e ka arritur gradën e muxhtehidit. Në disa pjesë të këtij libri ka folur për kushtet e fetvasë dhe rregullat e saj. Në brendinë e këtyre pjesëve ka folur për rregullat e njeriut të rëndomtë dhe të dijetarit, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit dhe se ky dijetar duhet të imitojë ndonjë imam në dispozitat e hallallit dhe haramit. Një dijetar i tillë nuk mund të japë fetva para njerëzve, edhe pse i posedon librat e hadithit dhe e gjen ndonjë hadith që ka të bëjë me fetvanë e tij.
Në vazhdim do t'i cekim disa pjesë prej fjalëve të tij duke sqaruar këtë çështje:
Në vëllimin -IV- f. 175, thotë: "Dobia e njëzetë: Nuk lejohet për imituesin që të japë fetva në fenë e Allahut me atë që ai imiton, në kohë kur ai nuk ka njohuri për atë çështje përpos asaj që e di së ështc fjalë e atij që e imiton. Ky është ixhma' (konsensus) i gjithë selefëve. I këtij mendimi në mënyrë të prerë janë imam Ahmedi dhe Shafiiu radijeliahu anhuma. Ebu Amr ibn Salahu ka thënë: Ebu Abdullah El-Halimi, imami i shafiive në tokat e Azizë Qendrore, kadiu Ebul-Muhsin Er-Revjani, autor i librit Behrul-Medhheb etj., në mënyrë të prerë thonë: Nuk lejohet për imituesin që të japë fetva me atë që ai imiton".
Mandej Ibnul-Kajjimi ka folur gjatë, duke e përforcuar këtë vendim dhe duke e sqaruar se është i vërtetë.
Në vëllimin -IV- f. 196, thotë: "Dobia e njëzet e një: Nëse ndonjë njeri ka mësuar fikhun dhe ka lexuar ndonjë libër prej librave të fikhut ose më shumë, por megjithatë është i paaftë që të njohë Kur'anin, sunnetin, gjurmët e selefus-salih dhe nxjerrjen e dispozitave me anë të istinbatit, a lejohet imitimi i tij në fetva? Në lidhje me këtë dijetarët kanë dhënë katër mendimi ... më i vërteti është se pyetësi nëse është e mundur që të shkojë e të marrë mendimin e ndonjë dijetari që e udhëzon, nuk lejohet për të që të kërkojë fetva prej atij njeriu, ndërsa këtij njeriu nuk i lejohet që të caktojë veten si mufti në prezencën e këtij dijetari. Nëse nuk ka tjetër njeri përveç tij, derisa njerëzit nuk kanë kë ta pyesin pos tij, atëherë nuk ka dyshim se marrja e mendimit të tij është më mirë se sa të veprohet pa dituri ...".
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".