JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.4
Në vëllimin -IV- f. 215, thotë: "Dobia e tridhjetë: Nëse njeriu është muxhtehid në medhhebin e ndonjë imami e nuk është i pavarur në ixhtihad, a lejohet për të që të japë fetva me mendimin e këtij imami? Ka dy mendime. Që të dy mendimet janë të shokëve të Shafiiut dhe Ahmedit. Mendimi i parë është se lejohet, e në këtë rast ai i cili e përmban këtë mendim është duke e imituar të vdekurin e jo atë, ndërsa ai vetëm transmeton nga imami. Mendimi i dytë është se nuk lejohet për të që të japë fetva sepse pyetësi është imitues i tij e jo i të vdekurit, ndërsa ai nuk ka bërë ixhtihad për të. Pyetësi i thotë atij: Unë të imitoj në atë që jep ti fetva".
Në vëllimin -IV- f. 215, thotë: "A lejohet që i gjalli të imitojë të vdekurin e të veprojë me fetvanë e tij, pa e ditur argumentin që e lejon veprimin me atë fetva? Ka dy mendime të shokëve të imam Ahmedit. Ata që e kanë ndaluar thonë: Lejohet ndryshimi i ixhtihadit të tij sikur të ishte i gjallë. Mendimi i dytë: Lejohet imitimi i të vdekurit. Me këtë veprojnë të gjithë imituesit në rozullin tokësor. Më të mirën që e posedojnë është imitimi i të vdekurve ... Thëniet nuk vdesin me vdekjen e thënësve sikur që nuk vdesin tregimet me vdekjen e transmetuesve".
Në vëllimin -IV- f. 234, thotë: "Dobia e dyzet e tetë: Nëse ndonjë njeri posedon dy sahihet (sahihun e Buhariut dhe Muslimit) ose njërin prej tyre ose ndonjë libër prej suneneve që përmbanë hadithet e vërteta të Muhamedit a.s., a ka të drejtë që të japë fetva me atë që e gjenë aty? Mendimi i vërtetë në këtë çështje është se nëse kuptimi i hadithit është i qartë për çdo person që e dëgjon dhe se nuk bartë më shumë se një kuptim, atëherë ka të drejtë që të veprojë me të, të japë fetva, e në këtë rast nuk ka nevojë për mendimin e ndonjë fekihut ose imamit sepse argument është fjala e të Dërguarit të Allahut".
Po nëse kuptimi i hadithit nuk është i qartë, atëherë nuk lejohet që të veprojë sipas tij e as të japë fetva me të, derisa të pyesë e të kërkojë sqarimm e hadithit dhe kuptimin e tij ... Mandej ka thënë: "E gjithë kjo vlen për atë njeri që ka njohuri të përgjithshme por nuk ka njohuri të mjaftueshme në njohjen e imtësirave dhe rregullave të arabishtes dhe të usulistëve. Nëse ai person nuk ka njohuri të përgjithshme, atëherë, obligim për të është ajo që e ka thënë Allahu në Kur'an: 'Pyetni dijetarët nëse nuk e dini'". [2]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[2] - Krahaso mes kësaj që e thotë Ibnul-Kajjimi rahimehullah dhe asaj qe e supozon autori i broshurës ku thote se ixhtihadi është i lehtë dhe se nuk ka nevojë përpos që njeriu t'i posedojë librat e sunnetit dhe Muvetain e Malikut. Po ashtu thotë se nëse vëren ndonjë kundërshtim mes haditheve, atëherë ka për obligim që ndonjëherë të veprojë me këtë hadith e herave tjera me tjetrin!