Banner

Femra dhe e drejta për jetë 1



Ajo për çka nuk ka dyshim është se e drejta për jetë është e drejta më e shenjtë të cilën Allahut, xh.sh., ia ka dhënë njeriut ta gëzojë. Kështu është për shkak të faktit se është bazë dhe burim i të gjitha drejtave të tjera dhe prandaj iniciator i të gjithë atyre, sekret i ekzistimit dhe burim i dinjitetit të tyre. Shenjtëria e kësaj të drejte në mënyrë më të qartë, me siguri, është potencuar në Librin e Allahut, xh.sh., në të cilën thuhet: "Për këtë Ne u caktuam beni israilve: nëse dikush e mbyt dikë që nuk e ka mbytur dikë tjetër ose atë që nuk shkakton çrregullim në Tokë - është si të ketë mbytur të gjithë njerëzit, ndërsa nëse dikush bëhet shkaktar që të shpëtohet jeta e dikujt, - është si t'ua kishte shpëtuar jetën mbarë njerëzimit", (El-Maide, 32).

Do të vëresh se shprehja ka ardhur me fjalën "dikë" në mënyrë që të tretet dallimi në mes gjinisë mashkullore dhe femërore dhe që shenjtëria e jetës të jetë edhe në ligjin dhe shpalljen e Allahut, xh.sh., kjo përfshirje dëshmohet edhe në fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s., ditën e betejës së Hunejnit, kur kishte parë një politeiste të vrarë rreth cilës ishin tubuar njerëzit: 'Ajo nuk ka luftuar me ata që kanë luftuar, pra përse është vrare'?

Pas kësaj një njeri deklaroi: "Shko te Halid ibni Velidi dhe u thuaj se Pejgamberi, s.a.v.s., i urdhëron: 'Mos i vritni femrat dhe shërbëtorët'". [1]

E shikon se as vetia e politeizmit nuk e ka cenuar shenjtërinë e jetës, e le më ta bëjë këtë përkatësia gjinisë femërore.

Duke pasur parasysh këtë barazi midis mashkullit dhe femrës në moscenimin dhe shenjtërinë të cilën Allahu, xh.sh., ia ka dhënë jetës, kisasi (dënimi i barazimit, hakmarrjes) zbatohet për vrasjen e mashkullit dhe femrës njësoj. Njëri prej argumenteve më të qartë për këtë janë fjalët e Allahut, xh.sh.: "Ne u caktuam në të (Tevrat): koka për kokën (njeriu për njeriun), edhe syri për syrin, edhe hunda për hundën, edhe veshi për veshin, edhe dhëmbi për dhëmbin, por plagët kanë kundërmasë ... deri te: Ndërsa kush nuk gjykon sipas asaj që shpalli Allahu janë tiranë", (El-Maide, 45).

Ibni Kethiri në Tefsirin e tij (komentin) e këtij ajeti deklaron: "Të gjithë imamët e kanë marrë domethënien e përgjithshme të këtij hadithi si dëshmi që mashkulli vritet nëse e vret një grua. Kështu theksohet edhe në hadithin të cilin e transmeton En-Nesai dhe të tjerët që Pejgamberi i Allahut, s.a.v.s., kishte urdhëruar që t'i shkruhet letër Amër ibni Hazmit: Që mashkulli të vritet për shkak të vrasjes së gruas".



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

[1] - Ky është teksti i hadithit siç e transmeton Ibni Maxhe. E transmetojnë gjithashtu edhe Ebu Davudi nga Rebah ibni Rebi'et-Temimit ... Një hadith me domethënie të ngjashme e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah ibni Omer ibnu-l-Hattabi në Librin mbi xhihadin, Kaptina për vrasjen e femrave në luftë ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...