Metoda e ndërmarrë për shqyrtimin e lajmit sipas dijetarëve muslimanë 2
Andaj është rregull që dispozitat e Sheriatit të mbështeten në hadithe të vërteta (sahih) edhe pse janë të shkallës ahad. [6] Kjo që përmendëm duhet të ndiqet në mënyrë që të jemi sa më të kujdesshëm dhe sa më të matur në këtë çështje. Nga e gjithë kjo që thamë përfundojmë se i vetmi lajm i vërtetë që vlen për argument në ndërtimin e akides dhe koncepteve të saj është ajo që emërtohet hadith mutevatir dhe që nënkupton se njeriu nuk detyrohet t'i bindet lajmit që ka të bëjë me besimin përveç nëse është i ngritur në argumentin që i plotëson kushtet e mutevatirit. Ndërkaq, nëse argumenti i lajmit është hadith ahad, atëherë bindshmëria ndaj tij, i lehet bindjes personale të individit.
Por, nëse më pyet: si t'i dijë hulumtuesi kushtet e hadithit sahih (të vërtetë)? Ta zëmë se ai ka dëgjuar vargun e transmetimit, si mund të arrijë të dijë lidhshmërinë midis këtyre transmetuesve dhe se ata janë të besueshëm, të drejtë dhe të përpiktë?
Përgjigjen për këtë e gjejmë në këto dy disiplina: El-Xherh ve ta'dil dhe lënda që quhet Teraxhumu'rr-Rrixhal. Këto dy shkenca janë formuar për të bërë të mundshme rrugën e hulumtimit si dhe për të lehtësuar shikimin dhe studimin e realitetit që duhet ta kuptojmë.
Në bibliotekat tona islame kemi shumë libra që shqyrtojnë jetëshkrimin e transmetuesve për nga aspekti i pranimit, si të besueshëm apo jo të besueshëm, emrat e të cilëve përmenden në ndonjë sened [7] prej senedeve. Këto libra na mundësojnë që të njoftohemi me biografinë e cilitdo qoftë prej tyre, të sigurohemi për kohën kur ata kanë jetuar, të mësojmë për bashkëkohësit e tyre dhe kush nga ata ka patur mundësi që të takohet me ta.
Është për t'u habitur se këta dijetarë që iu kushtuan tubimit të karakteristikave të transmetuesve (dijetarë që janë të besueshëm e që konsiderohen pararendës burimorë në këtë fushë), të cilët aspak nuk druan që për hir të hulumtimit të së vërtetës dhe për respektin e nderin që kishin ndaj kritereve shkencore, nuk kursyen asgjë për të shtjelluar e cilësuar me hollësi transmetuesit në mënyrë aq të saktë dhe të thukët saqë nuk morën parasysh se çfarë përfundimi do të dali ndaj tyre, gjegjësisht, a me refuzimin e transmetimeve të tyre apo me pranimin e tyre.
Kështu në bibliotekat tona islame u përpiluan fjalorë të llojeve të ndryshme ... fjalorë për protokollimin e personave dhe transmetuesve nëpërmjet të cilëve na mundësohet të njoftohemi me falsitetin, pra, me atë nëse është e trilluar apo e dobët. Këta fjalorë na mundësojnë të njihemi me këto po me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi që mund të gjejmë ndonjë fjalë apo vlerësimin e saj në fjalorët e gjuhës dhe në fjalorët e tjerë të njohur.
Njëkohësisht në bibliotekat tona është formuar edhe një lëndë e veçantë për këtë lëmi, e që quhet: Mustalah el-hadith. Kjo disiplinë në vetvete ngërthen të gjitha elementet e ndryshme për të analizuar transmetimin dhe lajmet (hadithet) dhe kjo sipas një metode shkencore që s'e ka shembullin.
Kjo ishte një përmbledhje e shpejtë, lidhur me metodën shkencore te dijetarët muslimanë për të analizuar transmetimin, tekstin dhe lajmin (hadithin). Pra, me këtë shpjegim kaq të shpejtë nuk mund të presim ndonjë imtësim dhe shpjegim më të gjerë. Por ai që dëshiron një gjë të tillë le t'u kthehet lëndëve që i përmendëm më lart, për të parë mundin e rrallë e të çuditshëm, e që nuk i gjendet shembulli kur është fjala për përfundimin e vlerës shkencore të fjalës së transmetuar.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".
[6] - Hadith ahad - Lajm, i cili në hallkat e zinxhirit të transmetimit të tij ka nga një
transmetues, sqarim i përkthyesit.
[7] - Sened - Vargu i transmetuesve.