Banner

Metoda e ndërmarrë për shqyrtimin e lajmit sipas dijetarëve muslimanë 1



Në këtë rrugë ngrihen disa literatura të veçanta që nuk i ka hasur historia përveçse në bibliotekën islame e që është: "Mustalah el-hadith", [1] "El-Xherh ve ta'dil" [2] dhe lënda që quhet "Teraxhumu'rr-rrixhal". [3] Këto tre lëndë bashkohen për të ngritur një kriter të saktë nëpërmjet të cilit qartësohet lajmi i vërtetë nga ai i gjymti dhe dallimi midis lajmit të vërtetë, i cili jep mundësi për alternativë (dhannij) dhe atij që sjell bindje.

Kështu lajmi mund të ngrihet në shkallën më të lartë të vërtetësisë atëherë kur vërtetohet (gjatë analizës dhe hulumtimit) se zinxhiri i senedit (personat që transmetojnë atë lajm) është i ngjitur (nuk është i ndërprerë) me të zotin e lajmit dhe me burimin e tij, kështu që e përcjellin persona të drejtë, të saktë dhe po në këtë mënyrë vazhdon të përcillet brez pas brezi deri tek i fundit nga i cili del ky lajm dhe atë që lajmi të mos përmbajë në vetvete asnjë çrregullim në thelbin e tij apo mungesë në transmetimin e lajmit.

Ndërkaq nëse lajmi është nën këtë gradë (cilësi), bie fjala, nga zinxhiri i transmetimit të mungojë një hallkë për shkak të mosnjohjes të ndonjë transmetuesi, apo për shkak të mungesës së besueshmërisë (drejtësisë) së tij, apo për shkak se nuk jemi të sigurtë në talentin apo saktësinë e transmetuesit, apo nëse teksti i lajmit është i çregullt në krahasim me të tjerët, të cilët janë të pranueshëm, atëherë ky lajm nuk është i vërtetë (sahih).

Por, lajmi i vërtetë (sahih) ngrihet në shkallë të ndryshme, duke filluar nga ai që merret si i pranuar, i cili prodhon besueshmëri të fortë dhe deri të arrijë në shkallën e njohjes (perceptimit) së sigurtë (bindëse, të padyshimtë). Kështu nëse zinxhiri në vetvete përmban elementet kryesore me të cilat konsiderohet i saktë dhe në hallkat e zinxhirit është vetëm një transmetues, atëherë ky lajm sipas gjykimit të arsyes rreshtohet nën shkallën e lajmeve të mundshme supozuese. Kurse, nëse hallkat e zinxhirit janë të përbëra prej dy transmetuesve apo tre, atëherë edhepse ky lajm ende mbetet në shkallën që merret si i mundshëm në besueshmërinë e tij si alternativë (dhannij), porse siguria për besueshmërinë e këtij lajmi është e fortë saqë i afrohet bindjes.

E nëse në çdo hallkë prej atyre hallkave, kemi aq shumë transmetues saqë mendja bindet se nuk mundet të gjithë ata të merren vesh për të gënjyer, atëherë ky lajm i transmetuar në këtë rast fiton cilësinë (shkallën) e bindjes, pra, atëherë ky lajm quhet lajm mutevatir. [4]

Vlen të përmendim se lajmi i vërtetë që ka shkallën e dhanniut (i mundshëm për të qenë i besueshëm) sipas gjykimit islam, nuk vlen si argument për ndërtimin e akides, sepse ky nënkupton mundësi për besueshmëri e jo bindje. Ndërkaq Kur'ani ka ndaluar që në fushën e hulumtimit të akides [5] të ndjekim atë argument që prodhon mundësi për të qenë i besueshëm siç u vërejtë më lart. Por, ky lajm vlen dhe merret si argument në fushën e dispozitave praktike. Kur themi se ky lajm i kësaj shkalle vlen si argument për fushën e dispozitave praktike, këtë e mbështesim në argument mutevatir dhe në argument të prerë se muslimani është i detyruar në aspektin e vendimeve shkencore të mbështetet në lajmin e vërtetë të shkallës dhannij (i mundshëm në besueshmërinë e tij).



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

[1] - Lënda e terminologjisë së Hadithit.
[2] - Lënda, e cila merret me studimin dhe hulumtimin e gjendjes, përkatësisht të karakteristikave të transmetuesve nga aspekti i pranimit apo i refuzimit të hadithit.
[3] - Bibliografia e personave-trasmetuesve.
[4] - Mutevatir - Atë lajm që e transmetojnë (përcjellin) grupe njerëzish, të cilët është e pamundur të bien dakord për të gënjyer, kështu duke filluar që nga hallka e parë e zinxhirit e deri te hallka e fundit e tij (sqarim i përkthyesit).
[5] - Akide - Lënda që merret me të vërtetat e besimit islam.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...