Mbështetja e besimtarit në lajme të vërteta
Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë thotë: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë", [El-Huxhurat:6].
Vendimi ose ligji që ky ajet kur'anor synon ta vendosë është të vërtetuarit e çdo lajmi që muslimani dëgjon për vëllanë e tij musliman. Mos kujto se çdo lajm që të vjen në vesh është i vërtetë. Ky ajet kur'anor përfshin një urtësi të madhe në brendi të tij dhe aty qëndron baza dhe gur themeli për ngritjen e shoqërisë islame dhe atë humane.
Shtyllat e shoqërisë së pastër nuk mund të ngrihen nëse shoqëria nuk bazohet në ndihmën reciproke dhe në mbështetjen e njëri-tjetrit. Sa për ilustrim po japim një shembull të thjeshtë: po të mos ekzistojë ndihma reciproke e sinqertë në mesin e një grupi punëtorësh të ndonjë kompanie për të ngritur një ndërtesë, pa dyshim se ata nuk do të kishin mundur ta ndërtonin dhe ta ngrinin atë ndërtese. Po ashtu, edhe ngritja e shtyllave të shoqërisë së pastër në Islam i ngjan këtij shembulli.
Hapi i parë për të arritur deri te ndihma shoqërore është konsultimi i drejtë dhe i sinqertë. Duke u bazuar në këtë realitet, Allahu xh.sh. na ka obliguar që të jemi të drejtë dhe të sinqertë dhe na e ka ndaluar gënjeshtrën dhe hipokrizinë.
Mirëpo, nëse në mesin e popullit ekziston ndonjë individ i cili e ka zakon përdorimin e gënjeshtrës për ndonjë interes të tijin personal dhe i cili nuk frikësohet nga Allahu xh.sh. për këtë gjest jonjerëzor, atëherë çfarë mase preventive kishim për të marrë që kjo gënjeshtër të mos t'i japë frytet dhe pasojat e saj dhe në çfarë mënyre kishim për t'ia ndërprerë rrugën atij, i cili nëpërmjet kësaj vetie të ndytë dëshiron t'i realizojë epshet dhe qëllimet e tij?
Pa dyshim, se metoda e cila duhet ndjekur për të shpëtuar nga ky rrezik është që t'ua tërheqim vërejtjen të tjerëve dhe t'ju themi se çdo lajm që vjen nga ai person të mos merret për bazë, po ashtu duhen shfrytëzuar të gjitha mjetet që janë në dispozicion për t'u bindur nëse me të vërtetë lajmi i tij është lajm i vërtetë, kështu që më vonë të mos pendohemi nëse ai lajm ka qenë jo i saktë.
Ja pra, në këtë mënyrë sheriati islam na mëson se si t'i përdorim të gjitha mjetet që janë në dispozicion, në mënyrë që shoqëria njerëzore të ruhet e pastër. Në radhë të parë, ai e ka obliguar folësin që kur të flasë, të flasë drejt dhe mos të gënjejë dhe, në radhë të dytë, e ka obliguar dëgjuesin e lajmeve që mos ta marrë si të vërtetë çdo lajm dhe çdo fjalë.
Urtësia që fshihet në këtë çështje qëndron në faktin se shoqëria islame duhet të jetë e siguruar dhe e vëllazëruar në mes vete, pasi ajo çka më së shumti e prish shoqërinë dhe i shkatërron familjet është rrena dhe gënjeshtërta. Në një shoqëri të sëmurë askush nuk i frikësohet Allahut xh.sh.: ai i cili flet gënjen, ai i cili dëgjon beson çdo gjë. Në këtë mënyrë përhapet ngatërresa dhe hidhërimi, shoqëria nuk mund të dalë nga krizat sociale dhe morale dhe kështu shkohet deri te copëtimi i shoqërisë, në vend se ajo të qëndrojë e lidhur dhe e fortë.
Nëse folësi do ta kishte ruajtur gjuhën e tij nga rrena dhe dëgjuesi veshin e tij nga lajmet e pabaza, nuk kishin për të ndodhur probleme dhe ngatërresa. Këtu shihet madhëria e Allahut xh.sh., i Cili në një ajet kur'anor thotë: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë".
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".