Femra dhe e drejta për jetë 4
Këtë pyetje e shtron autori i Enciklopedisë së shekullit XX, i befasuar dhe shqetësuar pasi e paraqet tablonë e jetës luksoze dhe të lirë të cilën e gëzonte femra, e pastaj e paraqet edhe tablonë tjetër krejtësisht të kundërt me atë e cila vjen në vend të saj ... kësaj pyetje ai i përgjigjet: "Kur pushteti i Romës u shtri dhe kur erdhi dominimi dhe prioriteti ndaj popujve të tjerë ashtu që në Tokë nuk kishte rival të denjë, i pushtoi dashuria ndaj luksit dhe mirëqenies që plotësohen vetëm me përzierjen e gjinive.
Në këtë u ndihmuan doktrinat e ateistëve grekë dhe ithtarëve të tyre romakëve me çka u mbulua arsyeja e tyre. Filluan të zhveshin rrobat nga gratë e tyre dhe kjo vazhdoi gjersa ato, pak nga pak, nuk u bënë dominante në planin politik. Në këtë përzierje ndodhën shumë gjëra të turpshme dhe të ndyra të cilat nuk dua t'i shënojë penda ime. Ambiciet e tyre u shuan, vendosmëria u tret, shpirtrat e tyre u bënë të prishur andaj kridheshin në konflikte dhe gjakderdhje. Në ndërkohë ndodhën ngjarje të cilat ndryshuan mendimin për femrën, dhe dominoi ideja se femrat janë shkak i këtyre çrregullimeve. Urrejtja ndaj femrave filloi të shtohej pak nga pak, ndërsa presioni shtohej dita ditës kështu që erdhi deri te ajo që u përshkrua lidhur me gjendjen në mesjetë dhe mbeti e tillë prej shekullit shtatëmbëdhjetë deri atë nëntëmbëdhjetë".
Pastaj deklaron: "Prandaj, femra e gjorë ka qenë lodër në duar e meshkujve deri në atë masë sa e mbyll gjersa është e devotshme, ndërsa kur e kaplon dashuria për argëtim dhe luks e liron për të lozur me dobësinë e saj. Mandej, kur ta joshë dhe rrënojë moralin e saj me të gjitha llojet e luksit dhe stolive më të cilat mashkulli i trillon, ajo i bëhet arrë e rëndë, andaj e kthen në burg më të lig seç ka qenë". [5]
Duhet thënë se skena e ngjarjeve në Perëndim, e ajo është motër binjake e civilizimit romak, e përsërit rrëfimin e njëjtë pjesës së parë të cilit i është afruar fundi. Embrioni i pjesës së dytë përplot mjerim është evidente për secilin që mendon me thellë dhe i kushton vëmendje zhvillimit të ngjarjeve dhe gërshetimit të tyre, si dhe faktorët psikologjik e shoqërorë që fshihen prapa tyre.
Kjo përdhosje e drejtave të femrës për jetë nuk ka qenë specifike vetëm për shoqërinë romake, por ka dominuar edhe në të gjitha shoqëritë tjera.
Për shembull, ligji Manoa në Indi nuk ia pranon asnjë të drejtë femrës pavarësisht nga e drejta e babait, burrit apo djalit të saj në raste se babai dhe burri vdesin. Nëse të gjithë këta vdesin, femra duhet t'i përkasë njërit prej familjarëve meshkuj nga gjaku i burrit dhe nuk mund të pavarësohet në asnjë situatë. Edhe më rëndë se mohimi i drejtës së saj në raportet ndërnjerëzore në jetë është mohimi i drejtës së saj për jetë të pavarur nga jeta e burrit, sepse është e gjykuar që duhet të vdesë po atë ditë kur i vdes edhe burri dhe se duhet të digjet bashkë më kufomën e tij. [6] Ky zakon i vjetër ka zgjatur prej kohëve më të lashta të civilizimit brahman, deri në shekullin shtatëmbëdhjetë.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".
[5] - Enciklopedia e shekullin XX, Ferdi el-Vexhdi 8/622-623.
[6] - Autori përmend dy fenomene të ndryshëm që lidhen me dy sekte në Indi, gjersa njëri e shtyn femrën që mbështetjen ta kërkojë te mashkulli në çdo aspekt; tjetri pas vdekjes së bashkëshortit atë e djeg (vër. e përkth.).