Metoda e hulumtimit te perëndimorët 2
Pra, ajo që i shtyu ata të vazhdojnë këtë metodë kaq të rëndë e të saktë, të cilën e morën si kriter për vërtetësinë e çdo transmetimi dhe ndodhie historike, ishte bindja e tyre fetare. Sikur të mos ishte kjo bindje e shtytje ata do të dorëzoheshin para një projekti të tillë, zbatimi i të cilit kërkon mundime të mëdha.
Gjithashtu sikur të mos ishte kjo bindje dhe shtytje nuk do të shihje asnjë prej dijetarëve të Hadithit që të përshkojë qindra kilometra, duke u larguar nga vendlindja e vet, në kushte shumë të rënda jo për diçka tjetër por vetëm që të takohet me një person, i cili do t'ia trasmetojë një hadith të Pejgamberit, bekimet e All-llahut qofshin për të, që ky person e di apo e ka nxënë përmendësh. Po ashtu, dëshiron të takohet me të që ta dëgjojë hadithin prej tij dhe të marri leje që ta transmetojë nga ai me qëllim që të shtohen rrugët e transmetimit të hadithit si dhe të njoftohet me senede (zinxhire transmetuesish) të reja që eventualisht mund të gjenden tek ai person.
Është shumë lehtë të lexosh senedin (zinxhirin e transmetuesve) e ndonjë hadithi prej haditheve të të Dërguarit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në ndonjë libër si në Sahihun e Buhariut, duke qenë i mbështetur në shtratin tënd ose ulur në karrigen e zyrës tënde por me rëndësi është të kuptosh e të paramendosh mundimin e madh që është dhënë në mënyrë shumë bujare vetëm për këto dy rreshta që ndoshta ti sot nuk u kushton ndonjë rëndësi.
Kjo ishte për sa i përket motivit, i cili shtyu dijetarët muslimanë të ndërtojnë një metodë komplekse për shqyrtimin e transmetimit. Por tashti le të pyesim! Cili mund të jetë motivi i të tjerëve për të ndërmarrë një gjë të tillë? Normalisht se asgjë përderisa mundi që jepet për një gjë të tillë, është më i madh se leverdia materiale, madje edhe më i madh se vetë shkenca.
Nga kjo kuptojmë se shumicën e temave shkencore mendimi islam dhe ai perëndimor, i kanë trajtuar në dy rrugë të kundërta ku as kritika e as diskutimi nuk sjellin dobi pasi metoda e shqyrtimit të transmetimit te muslimanët është një burim prej burimeve të shpjegimit. Ndërsa metoda që është ballë të parës, e të tjerëve është thjesht konkluzion.
Të sjellim si shembull për këtë, fenomenin e vahjit gjatë jetës së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
Metoda që ndjekin dijetarët muslimanë për këtë çështje është:
Së pari: bëhet shqyrtimi i transmetimit dhe saktësia e tekstit dhe i senedit. Pas analizës dhe shqyrtimit, dijetarët muslimanë kanë ardhur deri te përfundimi se hadithi që flet për vahjin është i vërtetë, transmetohet nga rrugë të ndryshme e që kalon shkallën e mutevatirit kuptimor.
Së dyti: praktikimi i induksionit të plotë, duke e vendosur këtë para dy argumenteve që janë rrjedhimi i pandarë bashkekzistues dhe analogjia parësore kijasu el-eula. (Këtu lexuesi i nderuar të mos presi që unë të zgjerohem në shpjegimin e kësaj metode, të cilën dijetarët muslimanë e kanë ndjekur sepse një gjë e tillë do të na shtynte që t'i qasemi një teme tjetër për të cilën nuk jemi duke folur tani). [2]
Pra, pas gjithë kësaj, mendimi islam arriti te ky rezultat: Bindshmëria e plotë se vahji është një e vërtetë, të cilën e pranoi Muhammedi alejhis-salatu ves-selam, e vërtetë, e cila nuk varet nga ai dhe nuk ka të bëjë aspak me qenien dhe ndjenjat e tija të brendshme dhe se Shpallja është jashtë provave dhe përpjekjeve të tij ideore a shkencore.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".
[2] - Vendi i diskutimit të kësaj teme është kur do të flasim për En-ubuvat (çështjet që kanë të bëjnë me pejgamberinë dhe pejgamberët).