Të përmendurit e Allahut xh.sh. dhe efekti i saj në jetën e njeriut 2
Ligji dhe tradita e kësaj jete nuk ndryshon dhe do të qëndrojë e tillë deri në ditën e fundit të kësaj jete dhe Allahu xh.sh. do t'i sprovojë njerëzit me këto dy sprova të rënda. Mirëpo neve na intereson se si ta gjejmë mënyrën që të dalim nga kjo grackë e rrezikshme dhe si të korrim sukses?
Njerëzit, filozofët dhe psikologët më të mëdhenj botërorë nuk kanë mundur që të arrijnë në një përfundim të frytshëm që të shpikin dhe të zbulojnë një bar, me qëllim që atë që kënaqet me epshet e kësaj jete ta dirigjojnë dhe ta bëjnë të sjellshëm në mënyrë që të mos t'i kalojë kufijtë me mëkate, dhe që atë të brengosurin ta shpëtojnë nga brengat e kësaj jete.
Shpëtimi i suksesshëm dhe i sigurt nga kjo vuajtje shpirtërore është që njerëzit të ndjekin recetën të cilën Allahu xh.sh. ua ka dhënë robërve të Tij, e kjo është që zemra të jetë e lidhur me fjalën (përmendjen) e Allahut xh.sh.. E kur të veprojë në këtë mënyrë, atëherë njeriu do të ruhet nga rreziqet dhe problemet e kësaj jete.
Përmendja dhe përkujtimi i Allahut xh.sh. i sjell njeriut dy të mira të mëdha.
E para është se ajo i sjell njeriut qetësi dhe rehati dhe ja mbush zemrën më frikë dhe kujdes.
Qetësia dhe rehatia është për atë të cilit kjo jetë ia ka kthyer shpinën dhe e ka sprovuar me sprova të rënda, ndërsa frika dhe kujdesi është për atë të cilit kjo jetë i është dhënë me të gjitha të mirat e saj.
Shih se si e kristalizon këtë realitet Allahu xh.sh., me fjalët e Tij në Kur'anin e madhëruar, duke thënë: "Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen, pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat slabilizohen", [Er-Rra'd:28].
Përsëri Allahu xh.sh. thotë: "Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme", [El-Enfale:4].
Prej nga vjen qetësia e zemrës? Ajo vjen nga bindja e madhe që ka përkujtuesi në zemrën e tij se kjo jetë, me të gjitha të mirat e saj, konsiderohet si një ëndërr që dikush e sheh natën në gjumë, e pas ëndrrës agon mëngjesi i vërtetë me të gjitha ngjyrat e kësaj jete. Po ashtu qetësia e zemrës vjen nga bindja e madhe tek Allahu xh.sh. se asgjë nuk humb tek Ai.
E nga vjen frika e zemrës prej Allahut xh.sh.? Ajo vjen nga bindja në fjalën e Allahut xh.sh. në Kur'an: "dhe do të përgjigjeni në ditën e gjykimit për të mirat (kënaqësitë) e kësaj jete", [Et-Tekathur:8].
E kur të bashkohen frika dhe qetësia, dy komponentë këto me rëndësi të madhe, atëherë nga këto të dyja sigurohet rehatia dhe kënaqësia në këtë jetë.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".