Të përmendurit e Allahut xh.sh. dhe efekti i saj në jetën e njeriut 1
Allahu xh.sh. në Kur'anin famlartë thotë: "Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me drojë, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që nuk kanë kujdes", [El-A'raf:205].
Ky ajet kur'anor vendos një parim shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut, pra fillohet me mbjelljen e këtij ligji në zemër si qendër kryesore, e mandej efekti i tij shpërndahet në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Përmendja e Allahut xh.sh. një startim edukativ shumë i rëndësishëm që Ai e vendos për robërit e Tij në sipërfaqen e tokës. Përmendja apo përkujtimi i Allahut xh.sh. nuk bazohet në një veprim formal të gjuhës së njeriut, duke thënë subhanallah, ose në zhurmën e tespive, e as në luhatjet majtas apo djathtas mbi tokë.
Realiteti i dhikrit dhe domethënia e tij e vërtetë aplikohet në këtë mënyrë: njeriu duhet të meditojë dhe logjikojë me zemrën e tij për madhërinë e Allahut xh.sh., për mbikëqyrjen dhe diturinë e Tij për çdo gjë, duke menduar për llogarinë tonë para gjykatës supreme, para Allahut xh.sh. për çdo vepër dhe për çdo krim.
Kësi lloj ajetesh në Kur'anin e madhëruar janë të shumta. Mirëpo cila është mençuria që qëndron pas kësaj? Çfarë nevoje kemi ne për të? A është Allahu xh.sh. i nevojshëm për ne, apo ne jemi për Të?
Hikmeti apo mençuria nga kjo shihet se jeta e shoqërisë njerëzore nuk nivelizohet dhe nuk stabilizohet në mënyrën e duhur nëse në zemrat e kësaj shoqërie nuk mbizotëron frika nga Allahu xh.sh. dhe mbikëqyrja e Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë të drejtat e popullit mund të sigurohen në mënyrën më të duhur.
Më lejoni që të zgjerohem pak më tepër në komentimin e këtij problemi.
Ka qenë vullnet i Allahut të madhëruar që filozofia e kësaj jete t'i ketë dy kahe të rëndësishme: atë pozitive dhe atë negative. Dikujt kjo jetë i kthehet me të gjitha të mirat dhe begatitë e saj dhe, si rezultat i kësaj, kur njeriu sheh begatinë dhe hijeshinë e kësaj jete, atij i futet në zemër mendjemadhësia, mendon se materia e kësaj jete është qëllimi final i njeriut, nuk brengoset për ndryshimet dhe problemet e kësaj jete, i futet në zemër egoizmi dhe nuk i intereson çështja e askujt.
Ndërsa dikujt tjetër kjo jetë i kthehet në brengosje, goditje (dhimbje) etj., dhe, si pasojë i këtij procesi, njeriut i futet në zemër një brengosje e madhe dhe ai fillon ta shikojë dhe ta logjikojë çështjen e kësaj jete si një burg të mbushur plot dhimbje dhe ndëshkime, në krahasim me ata të cilët kënaqen dhe dëfrehen me epshet e kësaj jete. Ky person ndalet, logjikon mendon gjatë dhe vjen në konkludimin se, për të, është më mirë që ta vrasë veten dhe në këtë mënyrë të rehatohet.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".