Rëndësia e studimit të biografisë së Muhamedit (alejhi selam) për të kuptuar islamin
Qëllimi i studimit të biografisë së Muhamedit (alejhi selam) nuk lidhet vetëm me ngjarjet historike apo me transmetimin e ndodhive të pëlqyeshme, por ka dimensione më të gjera. Për këtë arsye, studimin e 'Fikh es-Sire' (kuptimin e biografisë së Pejgamberit alejhi selam) nuk duhet ta konsiderojmë të ngjashëm me studimet e zakonshme historike sikur kur lexojmë historinë e një kalifi apo ndonjë periudhë të lashtë historike.
Qëllimi kryesor është që besimtari ta parafytyrojë realitetin islam të personifikuar në jetën e Muhamedit alejhi selam, pasi që paraprakisht t'i ketë kuptuar edhe teorikisht parimet, rregullat dhe dispozitat. Kjo do të thotë se studimi i biografisë së Pejgamberit (alejhi selam) nuk është gjë tjetër përveçse punë praktike e cila ka për qëllim që ta personifikojë realitetin islam në përgjithësi përmes shëmbëlltyrës më të lartë të Muhamedit alejhi selam.
Nëse duam që ta ndajmë këtë qëllim dhe t'i radhisim aspektet e biografisë së Muhamedit (alejhi selam), atëherë përfshirja e tyre mund të bëhet në këto linja vijuese:
1. - Të kuptuarit e personalitetit pejgamberik (alejhi selam) nëpërmjet jetës së tij dhe rrethanave në të cilat ka jetuar ai, për të vërtetuar se Muhamedi (alejhi selam), pozitën dhe nderin që e gëzonte në mesin e popullit të tij, nuk e kishte thjesht për faktin se ai posedonte inteligjencë të jashtëzakonshme, por ai para së gjithash ishte i dërguar të cilin e përkrahu Allahu me vahj (shpallje) dhe pati mbështetje nga Ai.
2. - Njeriu pranë vetes ta gjejë formën e shembullit më të lartë në të gjitha aspektet e jetës së ndershme, me qëllim që atë ta marrë si kushtetutë në të cilën do të mbështetet dhe me të cilën do të veprojë. S'ka dyshim se njeriu sado që të hulumtojë për shembullin më të lartë në cilëndo sferë të jetës, ai do ta gjejë atë në formën më të përkryer në jetën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam). Për të gjitha këto, Allahu e bëri shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin, duke thënë: "Ju kishit shembullin më të lartë me të dërguarin e Allahut", (El-Ahzab, 21).
3. - Njeriu përmes studimit të biografisë së Muhamedit (alejhi selam) ta gjejë atë që e ndihmon për ta kuptuar librin e Allahut dhe ta përjetojë kënaqësinë e shpirtit, pasi që shumë ajete të Kuranit sqarohen e qartësohen me anë të ngjarjeve të cilat i kanë ndodhur të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) dhe qëndrimit të tij ndaj tyre.
4. - Që te muslimani, nëpërmjet studimit të biografisë së Pejgamberit (alejhi selam) të tubohet sa më shumë që të jetë e mundur kulturë dhe njohuri e vërtetë islame, qoftë për çështje që kanë të bëjnë me besimin, ashtu edhe me dispozitat dhe moralin, sepse pa dyshim se jeta e tij është formë e personifikuar ndriçuese për të gjitha parimet islame dhe dispozitat përkatëse.
5. - Që mësuesi ose thirrësi islam të ketë model konkret për metodat e edukimit dhe arsimimit, sepse Muhamedi (alejhi selam) ishte mësues, këshillëdhënës dhe edukator i ndershëm i cili nuk ngurronte që të përdorte metodat më të dobishme përmirësuese për edukim dhe arsimim gjatë të gjitha fazave të thirrjes së tij.
Çështja më e rëndësishme që e bën të kompletuar biografinë e tij (alejhi selam) është përfshirja e të gjitha tipareve të tij njerëzore dhe shoqërore të cilat gjenden te njeriu, qoftë si individ i pavarur ose si anëtar aktiv në shoqëri.
Jeta e Pejgamberit (alejhi selam) na e ofron modelin e lartë për të riun, duke e udhëzuar sjelljen e tij në çdo sferë dhe duke e theksuar tiparin e besnikërisë me shokët dhe me popullin e tij. Gjithashtu, jeta e tij ofron model të mrekullueshëm për njeriun thirrës në rrugën e Allahut me urtësi dhe këshillim të mirë, i cili e harxhon maksimumin e energjisë në përcjelljen e mesazhit.
Është model për kryetarin e shtetit i cili i udhëheq punët me mençuri dhe urtësi të përsosur. Është model për burrin shembullor në mirësjellje dhe për babanë e butë në emocionet e tij, duke bërë dallim preciz ndërmjet të drejtave dhe obligimeve ndaj gruas dhe fëmijëve. Është model për udhëheqësin ushtarak të talentuar dhe për politikanin e sinqertë e të shkathët. Është model për muslimanin i cili nga njëra anë di të harmonizojë - me precizitet dhe drejtësi - obligimin e adhurimit dhe nënshtrimin ndaj Allahut dhe në anën tjetër bashkëjetesën më të mirë me familjen dhe me shokët e tij.
S'ka dyshim se studimi i biografisë së Muhamedit (alejhi selam) nuk është tjetër përveçse nxjerrje në shesh të të gjitha këtyre aspekteve njerëzore të personifikuara në modelin më të lartë dhe në formën më të përsosur.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".