Banner

Mënyra e bashkimit të muslimanëve 1



Allahu xh.sh. në Kur'an famëlartë thotë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtoni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër", [Ali Imran:103].

Ky ajet madhështor i librit të Allahut xh.sh. vendos një prej ligjeve më kryesore të shoqërisë islame, në mënyrë që kjo shoqëri të jetë e bashkuar dhe e lidhur mes vete dhe ky ajet kur'anor ua mundëson rrugën më të përsosur për realizimin e këtij ligji. E ky ligj është që të gjithë besimtarët të kapen për Litarin e Allahut xh.sh. e Litari i Allahut është Kur'ani me dispozitat e veta (sheriati).

Në këtë rast, ne nuk do të mundohemi që ta sqarojmë mençurinë e bashkimit të muslimanëve, pasi është treguar dhe vërtetuar në histori dobia e vëllazërim-bashkimit të tyre kur ata të gjithë ishin të bashkuar dhe të vëllazëruar, dhe po ashtu është parë dëmi dhe pasojat e këqija kur muslimanët janë larguar nga ky Litar dhe janë copëtuar mes vete.

Mirëpo ku qëndron mençuria që kapja (bashkëngjitja) e të gjithëve nëpër Litarin e Allahut xh.sh. të jetë ajo e një rruge që na bashkon (njëson)? Mençuria qëndron në faktin se popujt nuk mund të bashkohen dhe të lidhen mes vete nëse ata nuk kanë pasur më herët një parim dhe një ide të përbashkët, sepse pa u mbledhur të gjithë në një qendër ne nuk mund të bashkohemi, dhe pa u siguruar gjallëria e zemrës ne nuk mund të presim funksionimin e gjymtyrëve.

Provo të bashkosh një grup njerëzish që nuk kanë një besim të përbashkët, por që kanë mendime të ndryshme. A kish për t'iu përgjigjur dikush thirrjes tënde? Normal që askush nuk kishte për t'iu përgjigjur. Po ashtu provo ta thërrasësh në besim një grup që nuk ka asnjë parim e asnjë bindje. Thirrjes tënde, po ashtu, nuk kishte për t'iu përgjigjur askush.

Në historinë tonë të pashtershme islame, ne kemi një shembull shumë aktual, shembullin e dy fiseve më të mëdha në Gadishullin Arabik: fisin EUS dhe HAZREXH. Mes këtyre dy fiseve kishte pasur luftë dhe armiqësi, qindra vite para ardhjes se Muhamedit a.s.. Si pikë e parë, Muhamedi a.s. i thirri ata në besimin tek Allahu xh.sh.. Kur besimi u fut në zemrat e tyre dhe ata të gjithë e shijuan ëmbëlsinë e tij, atëherë Muhamedi a.s. i bashkoi dhe i vëllazëroi ata të gjithë në emër të fesë islame.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...