Banner

Mënyra e bashkimit të muslimanëve 2



Po qe se Muhamedi a.s. nuk do të kishte ndjekur këtë metodë për t'i bashkuar dhe vëllazëruar ata, padyshim se ai kishte për të dështuar në thirrjen dhe misionin e tij. Me fjalë të tjera, po të ishte munduar në radhë të parë që t'i vëllazëronte dhe bashkonte ata, pa e mbjellë besimin në zemrat e tyre, askush nuk kishte për t'iu përgjigjur thirrjes së tij. Mirëpo ai nuk veproi kështu, për t'i dhënë shembull botës në përgjithësi (sh.p. dhe shqiptarëve në veçanti) se pa besim nuk ka bashkim dhe vëllazërim, dhe çdo bashkim dhe vëllazërim, pa bazën e besimit në Islam, është formalitet dhe dështim.

Shembulli tjetër qëndron në bashkimin dhe vëllazërimin e ensarëve dhe muhaxhirëve. Më së pari Muhamedi a.s. ua mbolli besimin në zemër, e pastaj ata u vëllazëruan, dhe duke u nisur nga ky parim (definicion) edhe jahuditë u larguan nga Medina përgjithmonë.

Prandaj, nëse kërkojmë që ta ngremë lart një ndërtesë gjigante prej vëllazërim-bashkimit, obligimi më primar është që kësaj ndërtese t'i vëmë për bazë dhe gur themel besimin në Allahun xh.sh. dhe parimet islame. Nëse startohet kësisoj, ndërtesa vetvetiu ngrihet dhe forcohet, e nëse nuk vihet për bazë besimi në Allahun xh.sh. dhe praktikimi i parimeve islame, por vihen epshet, mendimet dhe ideologjitë e ndryshme të njerëzve, atëherë kjo ndërtese nuk ngrihet lart kurrë, sepse bazamenti është i dobët dhe jo i sigurt.

Kjo dukuri shihet qartë edhe në këtë ajet kur'anor, ku Allahu xh.sh. thotë: "Dhe vërtet, kjo (urdhrat e Allahut të përmendura në ajetet 151 dhe 152 në suretul En 'Aam) është rruga Ime e drejtë, kështu që ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera, pasi ato do tju largojnë nga Udha e Tij. Kështu ju ka urdhëruar Ai që të mund të bëheni Muttekinë (të përkushtuar në besimin e pastër islam)", [El-En'ame:153].

Ndoshta ju mund të pyesni: nëse problemi qëndron këtu, atëherë çfarë dallimi ka ky parim (ligj) i Allahut xh.sh. nga parimet (ligjet) njerëzore, dhe çfarë përparësie ka ligji i Allahut xh.sh. në këtë rast?

Përgjigjja është se: nëse largohemi nga ligjet që Allahu xh.sh. ua ka obliguar njerëzve, atëherë ata, deshën apo nuk deshën, do të përqafojnë ligje të tjera. Këto ligje (parime) njerëzore, që konsiderohen supozime, do të vihen në shënjestër të kritikës dhe të diskutimit rreth pranimit të tyre. Çdo individ, i cili posedon logjikë të shëndoshë ose aftësi të madhe arsyetimi, ka të drejtë dhe mund t'i refuzojë pa kurrfarë problemi këto ligje (parime) njerëzore, për arsye se ai posedon aftësi më të lartë se vetë ligjdhënësi. Në këtë rast, këto parime njerëzore do të bëhen shkak dhe burim kryesor për kundërshtim dhe përçarje, në vend se të jenë shkak për mirëkuptim dhe bashkim.

Mu për këtë arsye, për njerëzit nuk përshtatet asnjë ligj (parim) tjetër, përveç atij që u ka caktuar atyre Allahu xh.sh., Krijuesi i botës, nëse dëshirojmë që gjendja aktuale në botë të stabilizohet dhe të rregullohet.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...