Dituria e vërtetë - bazament i moralit dhe besimit 1
Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë thotë: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi", [El-Israe:36].
Allahu xh.sh., me këtë ajet kur'anor, na ndalon qartazi që të ndjekim ndonjë ide apo besim përderisa nuk kemi argument të fortë dhe të sigurt rreth çështjes në fjalë, qoftë ai argument në aspektin e besimit apo të moralit.
Ky ajet kur'anor përmban edhe një ligj tjetër, e ai është që dituria e saktë dhe e vërtetë duhet të jetë kriter për të gjitha problemet, në tërë sferat e jetës.
Çka do të thotë fjala dituri (Ilm), apo ç'është dituria?
Dituri është të dish ose të kuptosh diçka ashtu si është në realitet, qoftë ajo çështje konkrete apo abstrakte. Pa dyshim, supozimet nuk mund t'i quajmë dituri, mirëpo këto janë rrugët që na shpien drejt diturisë, e ne ende nuk i kemi kaluar këto rrugë.
Ku qëndron mençuria në këtë çështje dhe çfarë dëmi i shkaktohet njeriut nëse ai i mbyll sytë e tij para realitetit dhe argumenteve të vërteta?
Përgjigjja është se ky ligj (vendim) ka lidhshmëri të fortë me vendimin themelor, e ai është domosdoshmëria e besimit në Allahun xh.sh. dhe nënshtrimi ynë ndaj ligjeve të Tij.
Për të arritur deri te besimi në Allahun xh.sh. duhet të ndiqet rruga e diturisë së saktë dhe e bindjes së fortë. Ne duhet t'iu shmangemi supozimeve dhe mendimeve të pabaza, përndryshe ndjekja e kësaj rruge të dyshimtë kishte për të qenë tejet e rrezikshme.
Ky është shkaku i devijimit të ateistëve në çështjen e ekzistencës së Allahut xh.sh., pra bazimi i tyre në supozime dhe ide të pabaza (dhunun ), e jo në dituri të vërtetë.
Ndërsa shkaku i mosdevijimit të besimtarëve dhe i besimit të tyre në Allahun xh.sh. është se ata kanë qenë dhe janë bazuar në dituri të vërtetë (ilmul-jekijm). Këta të tillët Allahu xh.sh. i ka përmendur në Kur'an.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".