Banner

Dituria e vërtetë - bazament i moralit dhe besimit 2



Përveç mençurisë që u cek më lart, një mençuri tjetër është se njeriu influencohet nga ambienti ku jeton dhe, në të shumtën e rasteve, ai i nënshtrohet mendimeve dhe supozimeve të ndryshme që janë të pabaza, si p.sh. fjala vjen: dyshimi i tij për dikë tjetër, rezistenca e tij ndaj dikujt tjetër, egoizmi, epshet dhe qëllimet e tij të ndryshme. Me kësi lloj problemesh ballafaqohen popujt dhe njerëzit. E shpëtimi i njeriut nga këto kurthe dhe gracka është që ai ta pastrojë kokën dhe zemrën e tij nga këto mendime të dyshimta dhe të pabaza. Ndonjëherë njeriu e urren dikë tjetër, i nënshtrohet ligjeve të mendjes së vet dhe fillon të flasë kundër tjetrit.

Kurse ndonjë tjetër ballafaqohet me ndonjë problem të kësaj jete dhe fillon ta gjykojë me mendjen e tij se si të shpëtojë nga ky preokupim. Ndërsa ndonjë tjetër e mundon fanatizmi familjar ose fisnor dhe lufton kundër dikujt tjetër për këtë fanatizëm familjar ose fisnor, duke mos u bazuar tek realiteti dhe tek e vërteta (hak), etj.. Kjo dukuri apo kjo sëmundje, pra kur logjika e vërtetë dhe mendja e kulluar nuk gjykon sipas diturisë së vërtetë por robërohet dhe i nënshtrohet problemeve të kësaj jete, konsiderohet një lloj robërie nga më të rrezikshmet.

Si të lirohemi nga kjo robëri dhe si të shërohemi nga kjo sëmundje? Lirimi nga kjo robëri vjen kur njeriu mbështetet dhe bazohet në peshojën e diturisë së vërtetë dhe kërkon ndihmë me mjetet me të cilat Allahu xh.sh. e pajisi njeriun: mendja, të dëgjuarit, të shikuarit dhe shqisat e tjera. Kur njeriu fillon t'i përdorë këto mjete, duke e pasuruar dhe zgjeruar diapazonin e tyre, atëherë si rezultat i kësaj do të jetë se efekti i atyre problemeve, në ambientet e ndryshme që i thamë më lart, do të reduktohet dhe ato nuk do të ndikojnë negativisht.

S'do mend se ata, të cilët janë të dyshimtë dhe labilë, janë më larg nga fusha e diturisë së vërtetë, ndërsa ata të cilët ballafaqohen dhe merren me dituri dhe me qëllime të sinqerta janë më afër hakut dhe janë më stabilë. Shkaku i rëndësisë së mendjes dhe i shqisave të tjera ka qenë se njeriu është obliguar me amanetin më të madh, për të cilin, nëse e humb atë, do të përgjigjet para Allahut xh.sh., gjë për të cilën flet qartazi edhe ajeti kur'anor, dhe se ai person do të llogaritet nesër për këto të mira nga Allahu xh.sh., Allahu xh.sh. thotë: "pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi", [El-Israe:36].



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...