JoMedhhebizmi: Shkurtimisht përmbajtja e Broshurës 4
Kjo ishte përmbajtja e broshurës në mënyrë të shkurtër. Kjo broshurë në të gjitha kapitujt dhe tekstet e ndryshme të cituara, ka për qëllim të vërtetojë se kapja e cilitdo musliman për ndonjërin prej katër medhhebeve është haram dhe se imitimi i njërit prej tyre rregullisht konsiderohet dalalet dhe kufer si dhe konsiderim i njerëzve zotëra në vend të Allahut. Po ashtu ky musliman ka për obligim që dispozitat t'i nxjerrë drejtëpërdrejtë nga Kur'ani dhe sunneti, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të transferohet prej një medhhebi në tjetrin, duke marrë herë nga njëri, herën tjetër nga tjetri dhe herave tjera nga i treti dhe kështu me radhë. [1]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[1] - Shejh Nasirudin El-Albani është i mendimit se në këtë broshurë gjendet një fjali që i përmirëson të gjitha tekstet që i cituam më lartë. Kjo fjali është thënia e Haxhnediut në faqen 29 (ta kesh në dije se kapja për fjalët e dijetarëve është sikur tejemmumi i cili lejohet në rast të mungesës së ujit. Sa herë që gjendet tekst nga Kur'ani, sunneti dhe fjalët e sahabëve radijellahu anhum, kapja për të është obligative dhe nuk lejohet largimi prej tij e të marrë prej fjalëve të dijetarëve). Kështu na tha në diskutimin që e pati me ne. Me anë të këtij udhëzimi që na e bëri shejh Naseri problemi u bë edhe më i koklavitur!
Sa herë që të gjejmë rreth ndonjë çështje tekst nga Kur'ani dhe sunneti, të gjithë muslimanët e kanë për obligim që të kapen për të dhe u ndalohet atyre rreptesisht që të kapen për ixhtihadet e imamëve! Kush e thotë këtë fjalë të çuditur? Çka ka përmirësuar kjo fjali? Këtë libër që po e shkruajmë, nuk e kemi shkruar për diçka tjetër pos për t'iu përgjigjur këtij qëndrimi të çuditshëm?
Vendose Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit para shumicës absolute të muslimanëve sot dhe kërko prej tyre që t'i kuptojnë dispozitat e fesë prej teksteve që gjenden në to, do të shohësh se si ata do të zhyten në lojë të çuditshme me këtë fe. A këtë e dëshiron "dijetari i famshëm" Haxhnediu dhe shejh Naseri në qëndrimin mbrojtës të çuditshëm që ia bën këtij dijetari në gabimet e tij!?
Shejh Ibnul-Kajjimi, dhe me të gjithë dijetarët dhe imamët thonë: Posedimi i Suneneve në vete nuk mjafton që fetvaja të jetë e saktë, por është e patjetërsueshme krahas saj që personi të arrijë gradën e ixhtihadit dhe të hulumtimit që të mund të nxjerrë drejtpërdrejtë nga Kur'ani dhe sunneti, e nëse nuk e posedon këtë aftësi atëherë ai ka për obligim t'i nënshtrohet ajetit kuranor: "Pyetni dijelarët nëse nuk e dini".
Në anën tjetër, shejh Haxhnediu, dhe me të shejh Naseri thonë: Sa herë që gjendet tekst nga Kur'ani, sunneti dhe fjalët e sahabëve radijellahu anhum, kapja për të është obligative dhe nuk lejohet largimi prej tij e të marrë prej fjalëve të dijetarëve!
Cilën prej tyre ta besojmë: Ixhmain (konsenzusin) e dijetarëve në mesin e të cilëve edhe Ibn Tejmije, Ibnul-Kajjim, dhe ..., apo qëndrimin individual të Haxhnediut të cilin e përkrahë edhe shejh Naseri në broshurën e tij të "dobishme"?!
Mandej, mendo në fjalët e Haxhnediut ku do të gjesh në brendinë e tij injorancë të çuditshme. Ai mendon se imamët muxhtehidë, ixhtihadet e tyre që i përcjellin muslimanët i kanë ngritur vetem mbi mendimet e tyre personale të zhveshura plotësisht nga tekstet e Kur'anit dhe sunnetit. Ky është tejemmumi i cili është patjetër të merret! Është e padiskutueshme se ixhtihadet e dijetarëve nuk mund e as që lejohet të ngriten pa u bazuar ne tekste nga Kur'ani dhe sunneti. Ai imam i cili bën ixhtihad në ndonjë çështje të fesë pa mbështetje nga Kur'ani dhe sunneti, ai ka shtuar me këtë diç në fe dhe nuk lejohet asnjërit prej muslimanëve që ta imitojë atë dhe se kjo nuk konsiderohet as ujë e as tejemmum.
Mandej Haxhnediu supozon se mosnjohja e ndonjë hukmi të sheriatit është si rezultat i mosekzistimit të tekstit për të. Ndërsa, nëse gjendet për të ndonjë tekst nga Kur'ani, sunneti ose fjalët e sahabëve, atëherë shkaqet e mosnjohjes së hukmit zhduken dhe të gjithë njerzit janë të barabartë në mundësinë e të kuptuarit të hukmit të sheriatit prej tij. Me këtë bie poshtë nevoja për imitimin e imamëve muxhtehidë.
Vallë, a e thotë ketë fjalë një dijetar që i njeh kuptimet e teksteve dhe mënyrat e nxjerrjes së dispozitave prej tyre?!
Hukmi i tokave të cilat i kanë perfituar muslimanët në luftë, është çështje për të cilën nuk mungojnë tekstet e qarta nga Kur'ani dhe sunneti, megjithatë jam më se i bindur se dijetarin më të madh të jomedhhebistëve do ta kapë kokëdhembja duke tentuar që të nxjerrë hukmin e islamit prej këtyre teksteve.
Në të gjitha dispozitat e fikhut ekzistojnë çështje të këtij lloji.
Atëherë, si mund të kuptohet fjala e Haxhnediut: "Sa herë që gjendet tekst nga Kur'ani, sunneti dhe fjalët e sahabëve radijellahu anhum, kapja për të është obligative dhe nuk lejohet largimi prej tij e të marrë prej fjalëve të dijetarëve". Pas kësaj fjale, vallë çfarë nevoje mbeti për tejemmumin?!
Pasi që e sqaruam këtë çështje shejh Naseri na tha se Haxhnediu me fjalën e tij ka pasur për qëllim: se nëse hulumtuesi në tekst e arrinë atë gradë që ia mundëson atij ixhtihadin. Kur i thamë atij se fjala "hajthu" (sa herë) është prej fjalëve gjithëpërfshirëse, ai ishte këmbëngulës se është e veçantë edhe pse i kundërshton të gjitha rregullat e gjuhës arabe!