JoMedhhebizmi: Parathënia e botimit të parë 2
Muslimani i ri, në bazë të këtyre fjalëve mendon në historinë e muslimanëve, por nuk gjen tjetër pos një histori të mbushur përplot me renegatë dhe persona të devijuar, edhe pse ky i ri, islamin e kishte pranuar në bazë të asaj që e kishte dëgjuar prej tyre. Po ashtu ky i ri provon që të lirohet prej imitimit të katër medhhebeve dhe tenton që të kuptojë sheriatin islam drejtëpërdrejtë prej Kur'anit dhe sunnetit, por ai e gjen veten dhe ata që janë si ai, se janë futur në një errësirë të thellë dhe se tentojnë të notojnë pa mjete.
Si do të mund të bësh xhihad dhe më pas të grumbullosh rezultat kur e di se kjo vrimë nuk lejon që të kesh as rezultat e as sukses!
Këtë që po e them nuk është iluzion, por është një fotografi e vërtetë e realitetit që po e shohim me sy. Një ditë më erdhi një student i Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Damaskut dhe më informoi se si islami kishte depërtuar në shpirtin e tij dhe kishte filluar përsëri t'i kryej të gjitha obligimet, dhe atë sipas rregullave të medhhebit Shafiij, pasi që i kishte mësuar prej një broshure të këtij medhhebi.
Mirëpo, në ndërkohë, kishte gjetur një broshurë, në të cilën mes tjerash thuhet: nuk lejohet që muslimani t'i përmbahet njërit prej katër medhhebeve. Kush e bën këtë, ka bërë kufër dhe ka devijuar nga rruga e islamit sepse ky musliman ka për obligim që të gjitha dispozitat e sheriatit islam t'i marrë drejtpërdrejt prej Kur'anit dhe sunnetit. Studenti në fjalë më tregoi se nuk është në gjendje që ta lexojë Kur'anin sipas rregullave të texhvidit, e lëre më që ta kuptojë atë dhe t'i nxjerrë dispozitat prej tij. Më pyeti çka të bëjë?
Si t'i përgjigjem atij? A t'i them atij se unë jam i interesuar për zgjidhjen e problemeve të mëdha islame dhe se nuk duhet të merrem me këto gjëra jo të rëndësishme dhe nuk i lejoj vetes që të flas rreth kësaj çështje, që të mos inicoj mosmarrveshje dhe përçarje të reja, në kohë kur nuk ka nevojë të inicohen?!
A është e vërtetë se unë nuk duhet t'i inicoj këto probleme? A është e mundur që të merrem me zgjidhjen e problemeve të mëdha, pa e zgjidhur problemin që sillet në kokën e këtij studenti universitar, po qoftë edhe me një fjalë?
Vallë, ky person a është vetën një, që të kem mundësi ta tërheqi anash e ta vendosi gojën time në veshin e tij dhe ta udhëzoj në rrugën e drejtë, pa dëgjuar të tjerët, që të mos inicoj përçarje e as probleme të reja? Sikur ky person ka me qindra të tjerë, të cilëve kjo broshurë u ka shkaktuar huti, i ka hedhur në paqartësi rreth historisë së tyre si dhe në injorancë të re rreth realitetit të islamit të tyre.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".