Besimi në Allahun xh.sh. dhe urtia e domosdoshmërisë së Tij 2
Sepse këto veti njerëzore, nëse lihen kështu të lira e pa mbikëqyrje, në vend se të jenë burime të hajrit dhe rehatisë, shndërrohen në burime negative. P.sh. logjika dhe të menduarit (pa këtë mbikëqyrje) kishin për t'u shndërruar në një mjet që do ta dëmtonte nderin e njeriut dhe ta rrezikonte jetën e tij. Fuqia dhe forca e madhe (pa këtë mbikëqyrje) kishin për t'u shndërruar në një furtunë të pamëshirshme e cila kishte për ta përfshirë shoqërinë njerëzore dhe, si pasojë e kësaj, do të ekzistonte klasa e fortë aristokrate dhe shtresa e dobët e bujkrobërve. Barbarizmi njerëzor aktual është fryt apo rezultat i lirisë absolute të këtyre atributeve të lartpërmendura. Kur nuk ekziston mbikëqyrja dhe frika nga dënimi i veprave të këqija dhe të pamoralshme, natyra e këtyre cilësive funksionon negativisht, pa kontroll dhe frikë nga Allahu xh.sh..
Adhurimi (nënshtrimi) i njeriut nga të tjerët është fryt i lirisë absolute të këtyre cilësive, sepse kur këto atribute shfrenohen dhe çlirohen nga kujdestaria e lartë e Allahut xh.sh. atëherë kjo jetë shndërrohet në një arenë ku secili mundohet ta mundë dhe ta mposhtë kundërshtarin.
E këtu kuptohet shkaku i arsyes së besimit në Allahun xh.sh., pasi nëse ata mizorë do të kishin besuar në ekzistencën e Allahut xh.sh. dhe të pejgamberëve të Allahut xh.sh., padyshim se ata kishin për t'u ndalur nga shtypja (mizoria) e të tjerëve, dhe ata robër kishin për t'u liruar nga robëria e tyre. Ne kemi një shembull adekuat dhe shumë interesant në Kur'anin e madhëruar: shembullin e Faraonit dhe shtypjen e tij të pamëshirshme ndaj popullit beni israil. Faraoni i kishte shndërruar ata në robër të poshtëruar, nga frika e madhe prej tij dhe nga besimi i patundshëm për aftësinë e tij kinse hyjnore (këtë e deklaruan edhe magjistarët e tij kur dolën në garë me Musain a.s., të cilët thanë se me forcën e Faraonit ne do të ngadhënjejmë mbi Musain a.s.).
Kur në zemrat e tyre u fut besimi në Allahun xh.sh. dhe kur ata u bindën se Ai është i vetmi që sjell dobi dhe (dëm) që ngjall dhe vdes, atëherë dobësia e tyre u shndërrua në forcë. Ata u çliruan nga robëria e rrejshme e tyre ndaj njeriut dhe filluan t'i bëjnë rezistencë Faraonit dhe kërcënimeve të tij me një guxim dhe krenari të madhe.
Kjo është e shënuar edhe në Kur'anin famëlartë. Allahu xh.sh. thotë: "Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: Ne i besuam Zotit të Harunit e të Musait. Ai (Faraoni) tha: A i besuat atij para se t'u jap unë leje? Ai (Musai) është prijësi juaj i cili ua mësoi magjinë. Unë do t'ua pres duart e këmbët tërthorazi, e do tju var në trungjet e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni se cili prej nesh ka dënim më të ashpër e më të vazhdueshëm. Ata thanë: Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund të zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote! Ne i besuam Zotit tonë, që Ai të na i falë gabimet tona dhe magjinë me të cilën ti na detyrove. Allahu është më i miri (në të shpërblyerit) dhe më i përjetshmi (në të dënuar)j", [Ta-Ha:70-73].
Pra, fshehtësia dhe shkaku i domosdoshmërisë së besimit në Allahun xh.sh. qëndron në faktin se kjo vepër konsiderohet si faktori kryesor për ta nxjerrë njerëzimin nga robërimi ndaj njëri-tjetrit dhe për t'i futur të gjithë e në adhurimin dhe nënshtrimin (absolut) ndaj Allahut xh.sh., nuk ekziston asnjë metodë (mënyrë) tjetër për t'i nxjerrë njerëzit nga robëria e njëri-tjetrit, vetëm se që të gjithë t'i nënshtrohen dhe t'i besojnë sinqerisht Allahut xh.sh..
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".