Banner

Besimi në Allahun xh.sh. dhe urtia e domosdoshmërisë së Tij 1



Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë thotë: "O ju njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur i Dërguari (Muhammedi a.s.) me të vërtetën nga Zoti juaj, kështu që besojeni atë, kjo është më mirë për ju. Por nëse ju nuk besoni, atëherë të Allahut janë gjithë çka në qiej dhe në tokë dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti, Gjithëgjykuesi", [En-Nisa':170].

Ky ajet kur'anor përmban vendimin më obligativ, me të cilin Allahu xh.sh. u është drejtuar mbarë njerëzisë në vende dhe kohëra të ndryshme, e ky vendim është besimi tek një Allah, besimi se Ai është i vetmi krijues, se Ai është i vetmi që bën mirë (dhe keq), se Ai është shkaktari i ekzistencës. Është Ai që i ka krijuar gjërat në natyrën e tyre të posaçme dhe ua ka caktuar detyrat dhe obligimet e tyre, d.m.th. është Ai i cili ia ka dhënë çdo gjëje formën e vet e pastaj e ka udhëzuar atë. Është Ai i cili ka për t'i mbledhur të gjithë njerëzit në një ditë për të cilën nuk ka dyshim (ditën e kiametit sh.p.), një grup do të jetë në xhenet, e një tjetër në zjarr.

Nga ky obligim (besimi në Allahun xh.sh.) nuk përjashtohet askush tjetër përpos fëmijët e vegjël, ata që janë të marrë (të çmendur), ose ata që kanë jetuar në një ambient ku nuk kanë pasur rastin të dëgjojnë emrin e fesë, ose ndonjë qortues apo udhëzues. Për këta, dhe të tjerët që janë të ngjashëm me ta, iu përshtatet fjala e Allahut xh.sh.: "Ne nuk e dënojmë një popull pa i dërguar atyre të dërguar (pejgamberë)", [El-Isra:15].

Shumica pyesin: ku është mençuria (ku qëndron fshehtësia) e këtij obligimi nga Allahu xh.sh.? Ndërsa disa të tjerë pyesin: çfarë dobie ka Allahu xh.sh. nëse robërit e Tij i nënshtrohen me besim dhe çfarë të keqe ka Allahu xh.sh. nëse ata (robërit) nuk i nënshtrohen Atij?

Nëse ne çuditemi dhe pyesim për llojin e dobisë dhe të dëmit atëherë përgjigjja është se dobia e besimit tek Allahu xh.sh. dhe e nënshtrimit ndaj Atij nuk i kthehet Allahut xh.sh., realiteti është, se dobia e besimit në Allahun xh.sh. dhe dëmi nga mosbesimi i kthehet shoqërisë njerëzore. Sqarimi i këtij problemi është se njeriu është i krijuar dhe i përbërë nga një sërë cilësish, në mënyrë që atij t'i mundësohet rindërtimi dhe përpunimi i tokës me qëllim që të përfitojë nga nënshtrimi i saj, si p.sh. cilësia e logjikës, e të menduarit, egoizmi, forca dhe pasojat që rrjedhin nga ajo, si dëshira për pozitë dhe karrierë. Të gjitha këto (elemente) nuk mund ta kryejnë rolin e tyre pozitiv në dobi të shoqërisë njerëzore nëse mbi to nuk mbizotëron një kujdestari (mbikëqyrje) e lartë dhe nëse personi që i zotëron këto cilësi nuk e ndien këtë mbikëqyrje.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...