Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor: Hyrje
Me emrin e Allahut, Mësbiruesit, Mëshirëplotit Falënderimi i qoftë Allahut me mëshirën e cilit realizohen gjërat e bukura, Salavat dhe selam pastë Pejgamberi Muhammed, Familja dhe sahabët e tij.
E lus Allahun, xh.sh., t'më frymëzojë me gjykim të drejtë, t'më trimërojë me të mirat e sinqeritetit që shpijnë drejt Fytyrës së Tij Fisnike, ta bëjë këtë vepër timen të frytshme në këtë botë dhe të pranuar në botën tjetër.
Ai është që dëgjon dhe përgjigjet.
Hyrje
Dispozitat për femrën në Islam janë të moçme sa edhe vetë Islami. Ato nuk janë pasojë e ndryshimit të kohës, revolucioneve njerëzore ose pikëpamjeve të reformuara ... edhe përkundër kësaj nuk kemi dëgjuar dikë të kritikojë këto dispozita ose diçka prej tyre në emër të mbrojtjes dhe mbështetjes së femrës, pos në këtë kohë. Cili është shkaku për këtë?
A janë përkujdesur gjeneratat e mëhershme më pak për femrën dhe interesat e saj ose i kanë kushtuar më pak vëmendje asaj që shkrimtarët dhe studiuesit e shikojnë sot, që Islami ndaj femrës nuk vepron drejt në të drejtat që ia ofron dhe obligimet që ia cakton?
Nuk bëhet fjalë as për njërën as për tjetrën. As është fjala se gjeneratat e mëhershme kanë pasur më pak kujdes për femrën dhe të drejtat e saj, as pasardhësit e tyre janë më të mirë në të kuptuarit e Sheriatit (legjislacioni islam) [1] dhe më të vetëdijshëm për mangësitë e tij, nëse mangësi dhe zbrazëti ka fare në të, kurse Allahu, xh.sh., e ka ruajtur Sheriatin e vet nga të gjitha mangësitë.
Shkaku i vërtetë qëndron në atë se Perëndimi në të kaluarën nuk ka qenë në pozitë e cila do t'i lejonte të bëjë intriga lidhur me Islamin, sepse ka qenë i preokupuar me gjendjen e vet, i penguar me problemet e veta dhe përçarjet që e karakterizonin. Kur iu ofruar rasti të ngritët nga pluhuri dhe të zgjohet nga prapambeturia e vet, e pa tek Islami dhe myslimanët rrezikun i cili i kanosej ngritjes së tij, shikoi në pasurinë me të cilën Allahu, xh.sh., i kishte nderuar atë që shkakton makutëri për territoret e tyre.
Prandaj tërë vëmendjen e vet e orientoi jo vetëm në depërtim, porse edhe në rrënimin e mburojës më të fortë dhe më të rëndësishme që i mbronte myslimanët nga goditja e çfarëdo të keqe që do të mund t'i godiste. Kjo mburojë është Islami në besimin e bazuar fuqishëm në baza shkencore mbi kozmosin, njeriun, jetën dhe dispozitat e moralit të cilët myslimanëve u japin civilizim të lartë human.
Prijësit e Perëndimit konkluduan se fusha e edukimit dhe arsimimit është fusha më e mirë për përhapjen e intrigave me të cilat do të arrihej qëllimi i caktuar. E kishin të qartë që roli i femrës është arma më e mirë me të cilën do të imponohej "edukimi i dëshiruar" dhe të zëvendësojë edukimin e duhur islam.
Me këtë ne nuk zbulojmë asnjë fshehtësi dhe as hedhim dritë në diçka sekrete. Kjo është gjë e qartë dhe intrigë e njohur e cila nuk është e fshehur as për njerëzit e zakonshëm të paarsimuar. Xhisspi, njëri prej misionarëve më të frytshëm të kolonializmit në vendet e Shamit, ka thanë qartë: "Me të vërtetë shkollat për femra janë drita e syve të mi. Gjithnjë kam ndjerë se e ardhmja e Sirisë qëndron në arsimim të vajzave dhe grave të saj. Shkolla jonë për vajza në Bejrut tashmë ka filluar punën. Fatkeqësisht, ende nuk ka ndërtesë të veten, por ka tërhequr vëmendje të madhe në qarqet e shoqatave misionare". [2]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".
[1] - Në vazhdim të tekstit do të përdoret termi Sheriat (vër. e përkth.).
[2] - "Kryqëzimi dhe kolonializmi", Mustafa el-Halidi dhe Omer Ferruh, f. 30.