JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.6
E zgjata shumë duke cituar fragmente nga fjalët e Ibnul-Kajjimit lidhur me këtë çështje për shkak të njohurisë që kam, për fanatizmin e një grupi të jomedhhebistëve për mendimet e lbnul-Kajjimit. Fanatizohen për të më shumë se fanatizmi me të cilin akuzojnë të gjithë muslimanët imitues të medhhebeve të tyre. Nëse mendojnë në këto citate nga Ibnul-Kajjimi ndoshta e zbusin këtë fanatizëm dhe kthehen në rrugën e vërtetë.
Ndërsa sa i përket tekstit të cilin e ka zgjedhur autori i broshurës nga e gjithë ajo që e ka thënë Ibnul-Kajjimi në lidhje me këtë çështje dhe e ka nxjerrur nga libri i tij që të mbështetet në të, për supozimin e tij se është haram që njeriu të imitojë një medhheb të caktuar, ky tekst është krejtësisht larg supozimit të tij dhe nuk mund të përdoret për ta vërtetuar atë.
Tekstin, të cilin e ka zgjedhur autori i broshurës nga fjalët e Ibnul-Kajjimit, është: "... bile nuk lejohet që njeriu i rëndomtë të ketë medhheb edhe pse ai imiton atë. Njeriu i thjeshtë nuk ka medhheb. Nëse thotë unë jam shafiij, hanefij, hanbelij apo malikij, ose diç tjetër, nuk bëhet ashtu vetëm e vetëm se ka thënë ...". Fjala që ekziston para dhe pas këtij teksti sqaron atë që nuk kundërshton askush, e ajo është se imituesi nuk e ka për obligim që të imitojë gjithnjë një medhheb në të gjitha degët dhe çështjet e tij. Më parë kemi thënë se këtë e pranojnë të gjithë dijetarët dhe e kemi larguar prej temës së diskutimit.
Mirëpo, këtë tekst që e cituam nga Ibnul-Kajjimi është i vetmi që në shikim të parë mund të vërtetojë supozimin e autorit të broshurës për hedhjen e imitimit dhe detyrimin e të gjithë njerëzve për të marrë prej Kur'anit dhe sunnetit. Vetëm se kjo shprehje nuk përmbanë këtë kuptim. Qëllimi i kësaj fjale siç thonë shumë dijetarë, është se njeriu i rëndomtë nëse takon ndonjë mufti që i jep fetva për problemin për të cilën kërkon hukmin e tij, në këtë rast ky person ka për obligim që të marrë mendimin e këtij muftiu dhe se nuk ka të drejtë që të kërkojë prej tij që t'i japë fetva sipas ndonjë medhhebi të caktuar, sepse muftiu është muxhtehid, përndryshe nuk lejohet që të ushtrojë detyrën e muftiut.
Muxhtehidi ka të drejtë që t'i përgjigjet pyetësit sipas ixhtihadit të tij e jo të imitojë ndonjë muxhtehid tjetër sikur ai e të japë fetva sipas mendimit të tij. Po, njeriu i rëndomtë ka të drejtë që të pyes se si është mendimi i Shafiiut për shembull në lidhje me problemin e tij. Po ashtu muftiu ka të drejtë që t'ia transmetojë mendimin e Shafiiut në lidhje me të, në formë të citimit e jo në formë fetvaje. Ndërsa, njeriu i rëndomtë ta detyrojë muxhtehidin që t'i japë fetva sipas medhhebit që i takon ai, nuk e ka këtë të drejtë sepse ai nuk është më shumë se një injorant i cili supozon se posedon njohuri rreth një medhhebi të caktuar. Ai sikur të ishte ashtu, nuk do të kishte nevojë që të pyes e as të kërkojë fetva prej këtij muxhtehidi.
Në lidhje me këtë çështje që nuk pranon dyshim, dijetarët kanë thënë: "Medhhebi i njeriut të rëndomtë është medhhebi i muftiut të tij. Për këtë, njeriu i rëndomtë nuk ka medhheb të caktuar".
Mirëpo, si është puna e këtij njeriut të rëndomtë, kur shikon përreth tij dhe nuk gjenë mufti (d.m.th. muxhtehid absolut), nuk gjenë përpos dijetarë imitues ku secili prej tyre imiton ndonjë medhheb të caktuar. Ai i cili prej tyre është emërtuar me emrin mufti, kjo është vetëm në formë të përgjashmërisë e jo në realitet? [3]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[3] - Këtë që e thamë e di edhe studiuesi më i vogël që ka mësuar dallimin mes këtyre tri fjalëve: mufti, alim dhe muxhtehid. Mirëpo, "komisioni i caktuar" për përgjigje ndaj librit tonë ka shfrytëzuar këtë të vërtetë shkencore për punë të këqija që nuk e pranon morali i pastër, vetëm e vetëm që të nxisin fitne, pa e diskutuar me një fjalë shkencore ose gjysëm shkencore.