Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 1.2



Kjo është e njejta të cilën e ka thënë -me inat dhe urrejtje- orientalisti gjerman Shaht, i njohur për nga armiqësia dhe urrejtja ndaj islamit. Ai thotë: "Fikhu islam, të cilin e kanë shkruar imamët e medhhebeve nuk është diç tjetër përpos një vepër juridike që e kanë shpikur mendë të juristëve të dalluar, që më pas ia kanë bashkëngjitur Kur'anit dhe sunnetit". Ky libër është libër numër një që universitetet e Evropës ia mësojnë studentëve të vet.

Sikur fjala e autorit të broshurës dhe orientalistit gjerman Shaht të jetë e vërtetë, atëherë, kjo do të thotë se sipas sheriatit nuk jemi të obliguar t'i përmbahemi shumicës së dispozitave të së drejtës familijare, sepse ato nuk janë diç tjetër pos mendime dhe ixhtihade të imamëve të medhhebëve, për të cilat as Allahu e as i Dërguari i Tij nuk kanë obliguar që ndonjëri t'u përmbahet atyre, sipas mendimit të autorit të broshurës.

Poashtu, sipas sheriatit nuk jemi të obliguar që t'i përmbahemi të së drejtës civile islame, që mund në të ardhmen ta përpilojë një grup prej dijetarëve, sepse shumica e dispozitave të tij janë mendime dhe ixhtihade, të cilat as Allahu e as i Dërguari i Tij nuk na kanë obliguar që t'i përmbahemi!

Atëherë, si mund të themi se Islami është fe dhe shtet?! Pra, për çka nuk vërejmë gabimin tonë e të shpallim se Islami është vetëm fe.

Muhamedi a.s. fiseve dhe vendeve të ndryshme ua dërgonte shokët më të aftë të tij, të cilët dalloheshin për nga aftësia, të kuptuarit dhe nxjerrjen e dispozitave nga burimet bazë. I obligonte ata që t'ua mësojnë njerëzve dispozitat e islamit si dhe hallallin e haramin. Ekziston konsenzus i ummetit se ata burra bënin ixhtihad në raste kur u mungonte argument i qartë nga Kur'ani dhe sunneti, dhe se Muhamedi a.s. e pranonte ixhtihadin e tyre.

Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Shu'beja, se Muhamedi a.s. kur dërgoi Muadhin në Jemen, i tha: "Si do të veprosh nëse kërkohet prej teje të gjykosh"? Tha: "Do të gjykoj me atë që gjendet në Librin e Allahut (Kur'anin)". Tha: "Nëse nuk gjendet në Lihrin e Allahut"? Tha: "Me sunnetin e të Dërguarit të Allahut". Tha: "Po nëse nuk gjen në sunnetin e të Dërguarit të Allahut"? Tha: "Bëj ixhtihad e nuk lë mangu". Tha Muadhi: "I Dërguari i Allahut më ra në gjoks dhe tha: 'Falënderoi Allahun xh.sh., i Cili udhëzoi të dërguarin e të Dërguarit të Allahut në atë mënyrë që pajton të Dërguarin e Allahut'". [2]

Në këtë hadith shohim ixhtihad dhe forma të të kuptuarit prej dijetarëve të sahabëve, ku gjykonin me to mes njerëzve, me pëlqim dhe vendim nga vetë Muhamedi a.s.. Pra, si mund të thuhet për to: "se janë ixhtihade dhe kuptime, për të cilat as Allahu xh.sh. e as i Dërguari i Tij nuk kanë obliguar që ndonjëri t'u përmbahet atyre"?! Pra, dispozitat e islamit nuk janë aq të lehta për t'u kuptuar e as të pakta në numër siç paramendon autori i broshurës, duke argumentuar me hadithet që dhamë shenjë për to.

Por, ato janë të gjera dhe gjithëpërfshirëse saqë përfshijnë çdo gjë që ka të bëjë me jetën individuale dhe shoqërore, në raste dhe gjendje të ndryshme. Të gjitha këto dispozita kanë mbështetje në Kur'an dhe sunnet, qoftë me kuptim të qartë dhe të drejpërdrejt ose me anë të të hulumtuarit dhe të ixhtihadit. Me cilëndo prej këtyre dy mënyrave që ta kuptojë muslimani hukmin, ai për të konsiderohet hukmi i Allahut dhe nuk lejohet të heqë dorë prej tij.

Po ashtu, ky hukm konsiderohel hukmi i Allahut edhe për atë person që kërkon fetva prej tij. Përndryshe, nëse nuk është kështu, atëherë dërgimet e shokëve të tij nëpër fise dhe vende të ndryshme që i bëri Muhamedi a.s. do të ishin të pakuptimta dhe ata njerëz do të kishin të drejtë që të thonë: As Allahu e as i Dërguari i Tij nuk na kanë obliguar që t'i përmbahemi ixhtihadeve tuaja!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[2] - Këtë hadith e transmeton Shu'beja nga Ebi Avni, ky nga El-Harith ibn Amri, ky nga disa njerëz prej shokëve të Muadhit, ata nga Muadhi r.a.. Në lidhje me këtë hadith, dijetari Ibnul-Kajjim në librin e tij "E'amul-Muvekkiine" (1/202) thotë:
"Ky hadith edhe pse është transmetuar nga njerëz të paemërtuar, megjithate ata janë shokët e Muadhit. Ajo nuk e dëmton, sepse tregon se hadithi është meshhur. Po ashtu këtë hadith e transmeton El-Harith ibn Amri nga një grup prej shokëve të Muadhit e jo nga një prej tyre. Kjo është më e pranuar se sa të jetë e transmetuar nga një, po edhe të jetë i emërtuar. Në mesin e shokëve të Muadhit nuk dihet se ka të akuzuar e gënjeshtarë. Disa dijetarë të hadithit kanë thënë: Nëse e sheh Shu'ben në senedin e ndonjë hadithi kapu fort për të. Ebu Bekr ibnul-Hatib ka thënë: Në të vërtete thuhet se Ubade ibn Nisjin e ka transmetuar nga Abdurrahman ibn Ganem, ky nga Muadhi. Ky isnad është muttesil (i ngjitur) dhe transmetuesit e tij janë të njohur për nga besueshmëria. Këtë hadith dijetarët e kanë transmetuar dhe e kanë përdorur si argument. Edhe ne e pranojmë si të vërtetë si ata".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...