Banner

Ç'thonë argumentet hyjnore? 7



Pra ndryshimi ekziston në atë që arabët pranuan argumentin ndalues në bazë të asaj që ai ishte urdhër nga Allahu i Lartmadhërishëm të cilit ia hapën zemrat duke e madhëruar, dashuruari dhe tek i cili kishin bindje absolute se Ai nuk urdhëron pos për të mirë dhe nuk ndalon pos nga e keqja. Bindje këto të cilat zhdukën dhe dëshirat e tyre.

Kurse amerikanët dolën me flamurin e ndalimit të alkoolit, në bazë të mendjes së tyre, ndërkohë që edhe heqja dorë nga vazhdimi i zbatimit të ligjit, ndodhi po në bazë të mendjes. Është nga punët e njohura që nëse bindjet mendore ndeshen me dëshira, epshe, tundime, atëherë gjithnjë fitorja do të jetë e dëshirave, tekave e jo e vendimeve mendore.

Konkluzionet në të cilat arrijmë dhe besojmë në to pas kësaj, është se besimi që zbriti me revelatën Hyjnore te njeriu mbi të vërtetën e universit, jetës dhe lidhjes së njeriut me Zotin, që nuk ka rival, dhe të ardhmen e tij pas kësaj jete, nuk e shtyn pronarin e atij besimi (besimtarin) në sjelljen e duhur pos nëse ai është vendosur në bindje mendore dhe është dhënë me plot ndjenja dhe shpirt.

Besimi në Zot pa dashuri për Të ose frikë ndaj Tij, s'e gjallëron pronarin e vet e as s'e përgatit aftësinë për ndonjë sakrificë apo përkujdesje në rrugën e besimit të tij.

Kjo ngaqë njeriu është më shumë i ndikuar dhe i udhëzuar nga emocionet e zemrës së tij sesa nga bindja mendore.

Shumë njerëz sakrifikojnë çdo gjë në emër të asaj që duan ose si një masë paraprake ndaj asaj që i frikësohen. Por shumë pak janë ata që sakrifikojnë në emër të asaj që dijnë.

A nuk shihni kudo në perëndim një numër të madh njerëzish mendjet e të cilëve janë mbushur me bindje për ekzistencën e Allahut. Shkruajnë përmbledhje-kapituj ku njoftojnë për këtë besim, por nëse vëreni sjelljen e ndonjërit prej tyre, e shihni që është i tërhequr nga frymëzimet e instiktit dhe epshit të tij pa dhënë vlerë apo llogari për këtë besim?

A nuk shihni madje që edhe bota islame është plot me muslimanë të këtij lloji? Janë të bindur në islam dhe e mbrojnë atë me një racionalitet të rallë. Por njëkohësisht ata nuk janë të gjithë të tërhequr nga epshet dhe dëshirat e tyre që ia kanë vënë zemrat nën kontrol. Sado që ato epshe bien në kundërshtim me kërkesat e atij besimi.

* * *>

Pra ne doemos të kthehemi të rivendosim që besimi i plotë në Allahun xh.sh. nuk mund t'i plotësoj punët e tij të dëshiruara në qenien njerëzore, pos nëse ngulit bindjen në arsyen dhe nëse nga brenda dominon zemrën. Nëse shkenca është mënyra për të ngulitur të tillë bindje në arsye, mjetet e të përhapurit të saj si emocion apo ndjenjë, janë ato të praktikimit të saktë të adhurimeve, vazhdueshmërisë në të kujtuarit e Allahut xh.sh. dhe njohja e cilësive të Tij. Kjo ishte ajo që pasuron zemrën me pasuri për Allahun xh.sh. me frikë prej Tij dhe adhurim për Të.

Kështu pronari i një zemre të tillë zbaton urdhërat dhe obiigimet e Allahut me vullnet dhe nënshtrim të plotë.

Si rrjedhim, dashuria e zemrës do të korrespondoj me bindjen mendore.

Ky ishte boshllëku i parë që duhej të mbyllej, me qëllim që të ofroja lidhje të gjalla mes besimtarit teorik dhe sjelljes praktike qoftë në fushat e botës islamike apo me ato të shoqërive perëndimore.

Ky me sa duket është i pari dhe i fundit problem që ka nevojë për t'u zgjidhur. Le ta gjejmë zgjidhjen në kapitullin që vijon.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Afrim TAHIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Hyrje në të kuptuarit e esencës - Kush jam? Përse? Dhe për ku?".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...