Banner

JoMedhhebizmi: Parathënia e botimit të dytë 1 [1]



1. - Shumë kohë isha në hamendje se a të ribotoj këtë libër apo jo. Gjatë kësaj kohe kam pyetur veten: Me anë të këtij libri që e kam shkruar, vallë, a e kam përçarë bashkimin e muslimanëve apo e kam dobësuar unitetin e tyre? A përmbajnë fjalët e mia ndonjë dëmtim ndaj ndonjë personi, ose me anë të asaj që e kam shkruar a kam rënë nën nivelin e kërkimeve shkencore objektive, gjegjësisht fjalë të padobishme të cilat sjellin urrejtje në shpirt dhe nuk largojnë dilemat nga mendja?

Sa i përket dëmtimit të dikujt ose rënies nën nivelin e kërkimeve shkencore, kam lexuar rresht për rreshti gjithë atë që e kam shkruar, herë e kam lexuar me sy të kundërshtarit e herë me sytë e atij që nuk di asgjë, mirëpo, -El-hamdu-lilah- nuk kam gjetur asnjë rresht me të cilin kam dëmtuar ndonjë person.

Ndërsa, sa i përket asaj se me anë të këtij libri kam përçarë bashkimin dhe unitetin e muslimanëve, kam pritur reagimet e grupeve të ndryshme të njerëzve duke përfshirë njerëz me orientime të ndryshme dhe i lexova gjitha letrat që i kishin dërguar si koment ndaj tij. -El-hamdu-lilah- nuk pashë se kisha përçarë bashkimin ose kisha dobësuar unitetin, por atë që e ka sjellur ky është plotësisht e kundërta e përçarjes dhe dobësimit. Shpërndarja e këtij libri ka pasur dy ndikime të kundërta, të cilat janë ndihmuar mes veti për të bashkuar shumë muslimanë në vijën mesatare.

Ndër lexuesit, kishte pasur të tillë që me fanatizëm dhe inat kishin imituar ndonjërin prej katër medhhebeve. Nëse ka qenë shafiij, nuk është falur pas atij që është hanefij dhe nuk i ka lejuar vetes që të dalë nga imitimi i medhhebit të tij në ndonjë çështje rreth të cilës i ka grumbulluar argumentet nga Kur'ani dhe sunneti dhe i ka gjetur ato se nuk janë në anën e medhhebit të tij. Ata njerëz, kur kanë lexuar këtë që e kam shkruar rreth kësaj teme, kanë hequr dorë prej fanatizmit dhe janë kthyer në vijën mesatare.

Ndër lexuesit, kishte pasur të tillë që kishin pasur qëndrim krejtësisht tjetër ndaj imamëve të medhhebeve. Disa prej tyre kishin menduar se këta imamë janë si rivalë ndaj sheriatit të Muhamedit a.s. dhe se kanë për qëllim që njerëzit t'i largojnë nga sheriati i Muhamedit a.s. dhe t'i tërheqin në medhhebet e tyre. Në këtë rast këta njerëz kanë përfituar bindje se kanë për obligim t'i largojnë të gjitha pengesat dëmtuese mes tyre dhe Muhamedit a.s.! Po ashtu këta njerëz, kur kanë lexuar atë që e kam shkruar janë ndalur, kanë menduar dhe kanë kuptuar injorancën e tyre të rrezikshme, si dhe kanë vërejtur se medhhebet e katër imamëve janë shkallë për arritur te hidajeti i Muhamedit a.s. e në asnjë mënyrë nuk janë pengesë ose rivalë. Me këtë, këta njerëz me ata të tjerët ishin takuar në rrugën ë drejtë dhe në vijën mesatare.

Në bazë të letrave të shumta që më kanë arritur dhe me takimin e shumë vëllezërve që i kam parë, gjenden raste të shumta për ndikimin dyanshëm të kaij libri, që kishin bashkuar grupe të ndryshme të njerëzve, të cilët ishin të humbur djathtas apo majtas dhe ishin kthyer në rrugën e gjerë, të shpresuar nga çdo musliman.

Me anë të kësaj që e kam bërë, a i kam përçarë rreshtat e muslimanëve apo i kam bashkuar? Me anë të saj, a i kam futur dilema dhe kundërshtime apo i kam nxjerrë prej lyre në dritën e kuptuarit të shëndoshë?



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Ky libër në gjuhën arabe është botuar mbi dhjetë herë. Ndërsa në gjuhën shqipe ky është botimi i parë i tij.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...