JoMedhhebizmi: Çështje të padiskutueshme 2
E treta: Se të gjithë imamët e katër medhhebeve janë në rrugë të vërtetë dhe të pranuar. Nga kjo nënkuptohet se ixhtihadi i tyre arsyeton veprimtarinë e tyre te Allahu xh.sh. në çështjet që pranojnë ixhtihad, nëse nuk e kanë qëlluar realitetin e hukmit, të cilin e ka dëshiruar Allahu për robërit e Tij. Pra, ai duhet të vazhdojë të ecë në bazë të asaj që e ka arritur me ixhtihadin e tij.
Prej këtu mund të kuptojmë se imitimi i imituesit cilindo prej tyre, konsiderohet kapje për një gjë të vërtetë. Mirëpo, ky person i cili ka zgjedhur që të imitojë njërin prej këtyre medhhebeve, nuk duhet në asnjë mënyrë të mendojë se të tjerët janë në gabim. Ekziston konsenzus i dijetarëve se personit që i takon medhhebit hanefij për shembull, i lejohet të falet pas personit që i takon medhhebit shafiij ose malikij dhe e kundërta. [2]
Kohëve të fundit në disa vende, disa grupe njerëzish kanë shpikur diçka që kundërshton këtë të vërtetë që e pranuan të gjithë. Mirëpo, edhe kjo po ashtu është pjesë e fanatizmit të keq që nuk ka vend në fe, dhe se muslimanëve duhet t'u tërhiqet vërejtja që të mos bien në të. Ndarja e mihrabeve nëpër xhamia dhe emërtimi i secilit mihrab në emër të ndonjërit prej katër medhhebeve është mënyra më e keqe që përshkruan formën e grupacioneve të pakuptimta.
Atë që e bëjnë disa njerëz të thjeshtë, të cilët skajohen në ndonjë skaj të xhamisë, në kohë kur para syve të tyre falet namazi me xhematë dhe ai nuk falet pas tij, vetëm e vetëm sepse imami nuk është i medhhebit të tij dhe pret që të vijë imami që i takon medhhebit të tij sepse ai nuk falet përpos pas tij dhe ka bindje se namazi nuk pranohet pas dikujt tjetër.
Them, kjo dukuri që është përhapur te një numër i madh i njerëzve të thjeshtë ose te disa dijetarë të vegjël, nuk mbështetet në asnjë bazë prej bazave të fesë. Ixhmai i dijetarëve dhe i imamëve në gjitha kohët është kundër këtij qëndrimi. Ajo që çon njerëzit të kapen për këtë traditë, është njëra prej dy gjërave: fanatizëm i paarsyeshëm dhe "dobia" e disa njerëzve, të cilët kanë trashëguar këto punë dhe janë mësuar materialisht të përfitojnë prej tyre.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".
[2] - Po, ekziston konsensus te dijetarët e gjeneratave të para se imituesi i medhhebit shafiij lejohet të falë namaz pas imamit nga medhhebi haneftj dhe e kundërta.
Është e njohur se fjala namaz këtu është shprehje e përgjithshme, do të thotë se me fjalën namaz këtu kemi për qëllim atë namaz që muktediu (xhemati që falet pas imamit) nuk e di se imami i tij ka bërë diçka që sipas medhhebit të tij (muktediut) prish namazin. Këtu nuk përfshihen mosmarrveshjet e dijetarëve për shembull rreth faljes së shafiiut pas hanefiut që e ka prekur gruan e tij, për të cilën muktediu ka njohuri. (Sipas medhhebit hanefij prekja e gruas nuk e prish abdesin, ndërsa sipas medhhebit shafiij e prish. Secili prej tyre ka argumentet e veta që e vërteton qëndrimin e tij. N.R.).
Kjo është e qartë saqë mund ta kuptojë çdokush që ka mësuar temën el-mutlak dhe el-mukajjed në cilin do libër prej librave të usulit. (Diskutimi në këtë pikë mes shejh Naserit dhe dr. El-Butit vazhdon edhe mëtej, mirëpo nuk e pamë të dobishme që të përkthehet sepse ka të bëjë me disa çështjë të thjeshta. N.R.).